Bisedimet midis zyrtarë të Turqisë dhe Greqisë në selinë e NATO-s, për të shmangur rritjen e tensioneve ushtarake në Mesdheun lindor, u shtynë deri të enjten, thanë burimet e ministrisë turke të Mbrojtjes.
Bisedimet për “çtensionimin ushtarak” të njoftuara nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg javën e kaluar, synojnë të parandalojnë një përshkallëzim që vjen nga incidente të tilla siç ishte përplasja muajin e kaluar midis anijeve luftarake greke dhe turke.
Anijet luftarake po ndiqnin nga afër një mjet lundrues turk që eksploronte për naftë dhe gaz në ujërat e diskutueshme mesdhetare në perëndim të Qipros, operacion që Greqia e ka dënuar si të paligjshëm.
Ankaraja dhe Athina pretendojnë secila se zona është pjesë e shelfit të tyre kontinental.
Delegacionet ushtarake të dy vendeve të NATO-s duhej të zhvillonin bisedime në selinë e aleancës në Bruksel të martën, pas një kontakti fillestar javën e kaluar, por burimet turke thanë se takimi ishte shtyrë deri të enjten.
Ministri i Jashtëm turk Mevlut Çavusoglu akuzoi Greqinë se ishte tërhequr nga një marrëveshje për të mbajtur bisedime teknike, në të cilat nuk do të flitej për mosmarrëveshjen themelore territoriale, por ku mund të diskutohej për krijimin e një linje të posaçme komunikimi midis ushtarakëve të të dyja vendeve dhe për përdorimin e rregullt të kodit të sinjaleve detare.
“Nëse Greqia beson në vetvete, nëse ka guximin dhe i beson argumentit të saj, atëherë … le të vijë e të ulet në tryezë”, tha zoti Çavusoglu në një konferencë shtypi në Ankara.
Athina thotë se për të hapur çdo diskutim kërkohet largimi i anijeve turke nga ujërat e diskutueshme. Një burim grek i tha agjencisë së lajmeve Reuters se prania e tyre po shkakton tensione dhe “përqendrimin e një numri të madh forcash ushtarake në zonë”.
Greqia kërkon dialog por jo “nën kërcënime, shantazhe dhe provokime”, tha Presidentja greke Katerina Sakellaropoulou.
Greqia gjithashtu po i kërkon Bashkimit Evropian që t’i verë sanksione Turqisë. Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel tha të premten se udhëheqësit e bllokut do të vendosin për një qasje të tipit “kulaçi dhe kërbaçi” ndaj Turqisë gjatë një takimi në datat 24-25 shtator.
Një zyrtar i NATO-s tha se bisedimet kanë filluar të “vendosin mekanizmat për një çtensionim ushtarak,” por nuk pranoi jepte hollësi./VOA