TIRANË -  Kryeministri Rama deklaron në mbledhjen e grupit PS se do të shtyjë për 2 javë paraqitjen e pr/buxhetit të parë të qeverisë së koalicionit “Aleanca për të ardhmen Europiane”.

Në mbledhjen e grupit PS-së Rama tha pr/buxheti i ri është projektuar të nisë me larjen borxheve që shteti u ka sipërmarrësve dhe se shtyrja ka të bëjë me përfudimin e termave të programit të ri me FMN-në .

“Finalizimi i termave të programit të ri me FMN-së, për të cilin kemi gjetur edhe mbështetjen më të plotë të Bankës Botërore është dhe arsyeja pse Projektbuxheti do të shtyhet për afro dy javë në mënyrë që ngrehina e tij të mbështetet në themelin e ri që ky program përbën për ekonominë tonë në vitet në vijim. Po që sot mund të thuhet pa asnjë ngurrim se rruga e rimëkëmbjes është e hapur dhe siç e kemi premtuar ajo është e projektuar të nis me larjen e llogarive të shtetit ndaj sipërmarrjes, si dhe me mbylljen e gropave të hapura gjithandej nëpër Shqipëri me katrahura financiare dhe korruptive në infrastrukturën e vendit tonë.”- nënvizoi Rama.



Për kryeministrin "Kush i trembet skenarit grek i them se e keqja kalon me 2013-ën" por shton   se viti i ardhshëm do të jetë sërish vit i reformave të thella.

“Me finalizimin e termave të programit të ri me FMN dhe BB-në  mund të thuhet se qoftë kush e ëndërron skenarin grek për qëllime politike, por qoftë dhe kush në mënyrë të arsyeshme i trembet rrënimit të mëtejshëm ekonomik për arsye të krizës tronditëse që trashëguar duheta ta ketë fare të qartë se më e keqja do të kalojë më 2013-tën. Sigurisht që viti i ardhshëm do të jetë një vit me rritje ekonomike por nuk do të thotë se nuk do të jetë një vit reformash të dhimshme të cilat janë ilaç i hidhur, por i domosdoshëm për ta ngritur ekonominë nga honi ku e kemi gjetur në rrugën e zhvillimit të mëtejshëm. Programi do të jetë një program zhvillimi ekonomik, një program rritjeje ekonomike, një program që do të krijojë të gjitha hapësirat për të lehtësuar kushtet në të cilat funksionon ekonomia jonë."- tha Rama.

"Projektbuxheti i këtij viti të parë të mandatit tonë- tha Rama-  është i diktuar nga kushtet e rënda në të cilat e gjejmë ekonominë, por kjo nuk do të jetë pengesë për të dhënë edhe nëpërmjet këtij projektbuxheti dhe paketës së parë fiskale të qeverisë së “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” sinjalet e qarta për votuesit, për sipërmarrësit, për të gjitha kategoritë shoqërore se ndryshimi i 23 qershorit ka sjellë në krye të vendit një qeveri të votuar me një program mbi disa vlera dalluese me palën tjetër, të cilat ne do t’i kemi tërësisht parasysh qysh tani edhe pse shtrëngesa e kushteve të ekonomisë dhe të financave është jashtëzakonisht ndikuese dhe kushtëzuese."

RIMEKEMBJA KA NISUR
Ai nënvizoi si të suksesshme rezultatet e 40 ditëve punë të dy drejtoreshave të reja në krye të Doganave dhe Tatimeve dhe shprehu besimin se me kompaninë Crawn Agents rezultatet pozitive do të jenë edhe më të mëdha. 

“Besoj se rezultatet e para të punës nën drejtimin e ri në Dogana e Tatime flasin për zhvillime pozitive. Trashëguam një gropë, korrupusionin e kudo ndodhur dhe shpartallimit të administratës, por e vërteta është që kemi gjetur njerëz profesionistë për ti' shërbyer ligjit dhe sipërmarrësve. 

Në vetëm 40 ditë me vendosjen e dy Drejtoreve të Përgjithshme dhe rivënia në lëvizje e sistemit tatimor e doganor jo vetëm kapërcyem ndjeshëm shifrat por kemi dhe një ndryshim shumë të fortë mes shtatorit e tetorit të këtij viti. I përgëzoj publikisht për rezultatet e para të një punë pa orar, plot sakrifica. Përgëzoj e punonjës të doganave e tatimeve që punojnë me përkushtim. Kam besim në përfshirjen e agjentëve të Crawn Agenst”.


URIMI PER SOTIRAQ FILON
Mbledhjen e sotme të grupit parlamentar të PS-së, Rama e nisi me urimin e kandidatit të Koalicionit të majtë Sotiraq Filo i cili dje fitoi me 76 % të votave zgjedhjet vendore për kryetar të bashkisë së Korçës.

“Rezultat i jashtëzakonshëm numerikisht por unë ju ftoj ta lexojmë jo si fitore e opozitës por s’i shenjë tjetër shumë e qartë e pritshmërisë ndaj nesh. Falenderoj qytetarët që morën pjesë në votim, socialist progresitë dhe demokratë që bashkuan votën për kandidatin e koalicionit tonë. Kjo votë tregon më shumë se pëlqimin për kandidat dhe ne do të bëjmë të pamundurën për të merituar këtë mbështetje. “- tha Rama. 

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)