Gjykata e Apelit për Krime të Rënda shtyn për herë të shtatë, brenda katër muajsh,  seancën gjyqësore për anëtarët e grupit Shullazi.

Trupi gjykues, u ndryshua me dy anëtarë dhe kjo solli rinisjen nga e para të gjyqit në Apel, ndryshim për të cilin nuk ka qenë dakord, një prej anëtarëve të grupit, Blerim Shullazi. Ky i fundit nuk ka qenë dakord me kryesuesen e treshes gjykuese, duke thënë se "nuk bënte gjyq me të, pasi e kishte gjykuar edhe më herët dhe pa avokat". 

Këto pretendime të të dënuarit Blerim Shullazi, u pasuan nga kërkesa e avokatit të tij, Bledar Meminaj, për përjashtim të gjyqtares Saida Dollani,kërkesë e cila do të shqyrtohet nga tjetër gjyqtar. Kështu, Gjykata shtyu për të shtatën herë në 4 muaj procesin nga Shullazit dhe grupit të tij, për të bërë njoftimin e avokatit të Gilmando Danit, i cili nga treshja e parë gjykuese, ishte përjashtuar duke u zëvendësuar me avokat kryesisht.