Shtyhet procesi i privatizimit të
 “Albpetrol”-it nuk thuhen shkaqet

Shtyhet procesi i privatizimit të<br /> “Albpetrol”-it nuk thuhen shkaqet
Kompania shtetërore e nxjerrjes dhe prodhimit të naftës në vend “Albpetrol” nuk do të privatizohet përpara vitit të ardhshëm. Qeveria synonte që këtë proces ta finalizonte brenda këtij viti, sipas deklaratave të bëra nga vetë kryeministri Edi Rama. Kreu i Ekzekutivit, më 17 mars të këtij viti, u shpreh se ky do të ishte viti i përfundimit të një procesi të stërzgjatur të privatizimit të shoqërisë gjigande shtetërore të naftës. 

"Ky do të jetë edhe viti i përfundimit të një procesi të stërzgjatur privatizimi të shoqërisë shtetërore Albpetrol, për të cilën po përgatitet vlerësimi financiar dhe dokumentet e privatizimit, me asistencën e institucioneve financiare ndërkombëtare. Por ky privatizim do të jetë rezultat i një ndryshimi radikal në qasje ndaj të ardhmes së kësaj shoqërie. Shteti do të marrë të gjitha të drejtat që sot i gëzon Albpetrol-i si inerci e një të shkuare shumë të largët. Ndërkohë, Albpetrol-i do të ndahet nga blloqet e lira të naftës, të cilat do të vihen në dispozicion të investitorëve. Për ne, qysh ditën e parë, ka qenë e qartë që Albpetrol-i është një atavizëm i një kohe të shkuar dhe një hibrid që nuk mund t’i rezistojë sfidës së kohës që vjen. Por padyshim që, sidoqoftë, mbetet një aset i vlefshëm. Ne do të sigurojmë që të gjithë aktorët seriozë të sektorit, që do të shprehin interes, të kenë një proces transparent përmes një gare tё hapur dhe konkurruese, ku do të ftohen tё gjithë të interesuarit", deklaroi Rama në samitin "Albania Oil, Gas & Energy 2015".

Por, duket se planet, për arsye të panjohura për publikun, kanë ndryshuar. Sipas burimeve nga ministria e Energjetikës, për periudhën e vitit që ka mbetur nuk ka as kohë fizike për të miratuar apo nisur procesin, e për këtë duket se misioni mbetet të kalojë në axhendë vitin e ardhshëm.

Këtë fakt qeveria e ka konfirmuar këto ditë edhe pranë Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, ku raporton ecurinë e sektorit të energjisë, me të gjithë komponentët që përfshin ky i fundit. 

Kompania “Albpetrol” ka një histori të gjatë tentativash për privatizim, ku më e afërta është ajo e vitit 2012. Atëhere fituese u shpall një kompani me një ofertë përtej çdo pritshmërie, me vlerë 850 milionë euro, por më pas rezultoi vetëm një flluskë. Pas kompanisë misterioze fshihej biznesmeni Rezart Taçi, që tashmë ndodhet në vështirësi financiare. Qeveria Berisha në atë kohë nuk arriti të merrte as garancinë prej 10 për qind që duhet të arkëtonte paraprakisht, pra 85 milionë euro. Që nga ajo kohë nuk është marrë më asnjë iniciativë për privatizim dhe qeveria e majtë, ardhur në fuqi në vitin 2013, vendosi që paraprakisht të bënte një vlerësim të plotë financiar për kompaninë para se të hidhte hapin e rradhës.

Ndërkohë që shtyn pa asnjë njoftim paraprak procesin e privatizimit të “Albpetrol”-it, ministria e Ekonomisë njofton, nga ana tjetër, se nuk është tërhequr nga asnjë prej planeve të saj të privatizimit të objekteve shtetërore. Ajo ka bërë gati për shitje 1.570 objekte të tillë në të gjithë vendin. Pas një inventari të objekteve publike, që nisi menjëherë pas shtatorit 2013, ministria ka përcaktuar pronat shtetërore më rëndësi jostrategjike që do të dalin në shitje. Objektet janë ish-ndërmarrje shtetërore tashmë jashtë funksionit dhe shtrihen në të gjithë vendin. 

Pra qeveria nuk ka hequr dorë nga privatizimet. Por gjigandi, që mund të sjellë me shitjen e tij në arkën problematike të ministrit Cani një bombol oksigjeni, ende administrohet nga struktura shtetërore. Atëhere, pse kjo qasje absurde?  
 

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)
 
 
 
 

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Forca Detare shqiptare dërgon anijen e dytë në operacionet e NATO-s

Forca Detare shqiptare dërgon anijen e dytë në operacionet e NATO-s