Shtypi gjerman: Çfarë kërkon
BE-ja nga samiti i Triestes?

Shtypi gjerman i ka kushtuar vëmendje të madhe Samitit të Triestes, një takim i mbajtur në vazhdën e nismës së Kancelares Angela Merkel, që mori jetë 3 vite më parë.

Por, ajo që godet më fort është gazeta “Die Welt”.

Në artikullin e titulluar “Përse Brukseli do të krijojë një Jugosllavi të re?”, kujtohet se një sërë shtetesh e dëshirojnë anëtarësimin, por blloku nuk ia del dot për momentin të bëjë pranime të reja, ndaj kërkon që të fitojë kohë përmes një ideje të lindur më parë.

“Aleksandar Vuçiç e kishte formuluar edhe më herët: Nuk do të ishte më praktike të lidheshin vendet e Ballkanit në një zonë ekonomike të përbashkët? Ky do të ishte hapi i parë për anëtarësim në BE. BE e pranoi me falënderim këtë ide”, thotë gazeta gjermane, duke e cilësuar unionin doganor si një instrument të mirë për BE-në që të marrë kohë.

Brukselit, sipas saj, i vjen për shtat ky skenar, sepse nuk i duhet të pranojë anëtarë të rinj dhe, në të njëjtën kohë, arrin ta ruajë ndikimin e tij në rajon.

“Die Welt” thekson se, nga ana ekonomike, Ballkani për europianët është i parëndësishëm. Rëndësia më e madhe e tij është në kontekstin e historisë europiane. Kohët e mëdha të zgjerimit kanë kaluar, prandaj prej vitesh po diskutohet si një instrument unioni doganor, një instrument që e çaktivizon fuçinë e barutit me emrin “Ballkan”, e nga ana tjetër nuk e detyron BE-në të zgjerohet.

“Komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Johannes Hahn ka sjellë formulën ‘Varësi pozitive’, e cila mund të ndikojë në çtensionimin e konflikteve etnike në rajon”, vazhdon “Die Welt”. Por në fakt kjo do të ishte sipas saj një rilindje e Jugosllavisë së vjetër, vetëm se natyrisht thjesht në formën e një unioni doganor dhe transporti.

“Në frontin e Ballkanit Perëndimor, gjithçka është e qetë, - thotë nga ana tjetër “Politico”, - por a do të arrijnë fqinjët e atjeshëm të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin? Krahasuar me 6 muaj më parë, gjërat për Ballkanin duket se po shkojnë më mirë”, vazhdon artikulli.

“Jam krenar për procesin, - citohet të ketë thënë Johannes Hahn. - Ka ecur shumë shpejt në të gjithë rajonin”.

Që të përmbushet synimi i krijimit të një zone ekonomike rajonale, e cila mbulon mbi 20 milionë vetë në 6 shtete, do të duhet të harmonizohen ligjet e të reduktohen barrierat, ndonëse nuk mungojnë zërat skeptikë - sipas “Politico”-s, - që thonë se një bllok i ri ekonomik nuk do t’i zgjidhë problemet rrënjësore si korrupsioni e mungesa e sundimit të ligjit./Top Channel

(d.b/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis

NBA/ Oklahoma lider në Perëndim, Bucks humbasin sërish! Fitojnë Miami e Memphis