'Shtypi i huaj po flet shumë rreth gjendjes shëndetësore të shokut Enver, një gazetë greke shkruante sikur kishte vdekur', Mbledhja e Byrosë, për sëmundjen e “Komandantit”

'Shtypi i huaj po flet shumë rreth gjendjes shëndetësore të shokut Enver, një gazetë greke shkruante sikur kishte vdekur', Mbledhja e Byrosë, për sëmundjen e “Komandantit”

Ish-diktatori Hoxha në shtrat

Pjesa e dytë

Plot 39 vjet më parë, në mesnatën e 11 prillit të vitit 1985, pas dy ditësh në koma, pushoi zëmra e udhëheqësit kryesor të Shqipërisë komuniste, diktatorit Enver Hoxha, njeriut që e kishte qeverisur me dorë të hekurt vendin e tij, që nga nëntori i vitit 1944, kur ai erdhi në pushtet menjëherë pas largimit të forcave gjermane, gjë e cila shënoi edhe mbarimin e Luftës.  Vdekja e tij erdhi edhe si pasojë e një sëmundje (diabeti), që atij i ishte shfaqur që në vitet e para të pasluftës, e cila u bë shkak edhe për një infarkt akut, që ai pësoi në vitin 1973, duke i shpëtuar paq vdekjes, por që në fillimet e viteve ’80-të, iu acarua së tepërmi, duke i dhënë edhe mjaft komplikacione, kjo solli dhe vdekjen e tij në mesnatën e 11 prillit 1985.

Por keqësimi i shëndetit të Enver Hoxhës, filloi që nga ditët e para të shkurtit të vitit 1984, gjë e cila shkaktoi një alarm të vërtetë tek “shokët e udhëheqjes”, duke bërë që Ramiz Alia, njeriun të cilin Enveri, pas eliminimit të ish-kryeministrit Mehmet Shehu, në dhjetorit të vitit 1981, e kishte “pagëzuar dhe promovuar si pasardhësin e tij, të mblidhte disa herë në takime pune anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike, për t’i informuar ata për situatën e rëndë shëndetësore, që po kalonte “Komandanti”, apo dhe komunikuar herë pas here, mbi sëmundjen e tij dhe “masat që po merrte Partia”, për ta kaluar atë situatë tejet të vështirë.

Veç të tjerash kjo gjë bëhet e ditur edhe nga disa dokumente me siglën “Tepër sekret e një rëndësie të veçantë”, të nxjerra nga Arkivi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, (Fondi 14, Ap. O.U)

Gjëja e parë që bie në sy nga këto dokumente me proces-verbalin e mbledhjes së Byrosë Politike, të mbajtur në datën 17 shkurt 1984, është fakti se Ramiz Alia, tashmë kishte marrë në dorë “frenat” e shtetit shqiptar dhe në një farë mënyre ai ishte tashmë edhe “de facto” kreu i Partisë së Punës së Shqipërisë, duke vendosur vetë për gjithçka. Dhe tjetra që vihet re në këto dokumente, është preokupimi mjaft i madh i Ramiz Alisë dhe gjithë “shokëve të udhëheqjes”, për ta mbajtur sa më të fshehtë sëmundjen e Enverit dhe gjendjen shëndetësore të tij.

Pasi ka bërë një rezyme të gjendjes shëndetësore të Enver Hoxhës dhe ekipin e mjekëve shqiptarë që ishin angazhuar në atë drejtim, Ramiz Alia, ka diskutuar me “shokët e Byrosë”, edhe për mundësinë e sjelljes nga jashtë shtetit të disa mjekëve specialistë, kryesisht nga Franca, por nuk është pranuar nga vetë Enveri, dhe as nga Ramizi me Nexhmijen, pasi i druheshin lajmeve të shtypit botëror, sepse një gazetë greke, kishte shkruar se Enver Hoxha kishte vdekur.

Nisur nga këto, në ato mbledhje, Ramiz Alia i ka porositur “shokët e Byrosë”, që të kenë kujdes në ruajtjen e sekretit “për shëndetin e shokut Enver”, madje të mos bisedojnë as me familjarët e tyre dhe në shtëpi e në publik, të rrinë të qeshur, që populli të mos kuptojë gjë.

Por për më shumë, na njohin dokumentet i më poshtëm me proces-verbalet e mbledhjeve të Byrosë Politike të datës 17 shkurt dhe 11 nëntor të vitit 1984, të cilat po e publikojmë.

(Vijon nga numri i kaluar)

DOKUMENTI ARKIVOR ME PROCES-VERBALIN E MBLEDHJES SË BYROSË POLITIKE TË PPSH, MBI GJENDJEN SHËNDETËSORE TË ENVER HOXHËS

“Tepër sekret, i rëndësisë së veçantë”

Proces-verbal i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, i datës 11 nëntor 1984

Këtë mbledhje të Byrosë Politike, e thirri Sekretari i Komitetit Qendror të PPSH-së, shoku Ramiz Alia, për të informuar shokët kryesorë të udhëheqjes së partisë, mbi gjendjen shëndetësore të shokut Enver.

Ata u mblodhën në sallën e vogël të pushimit, në katin e sipërm, dhe fjala e shokut Ramiz u stenografua.

SHOKU RAMIZ ALIA: Mendova të bisedoja me të gjithë ju, shokë për t’ju informuar mbi gjendjen shëndetësore të shokut Enver. Të gjithë e keni ndjekur dhe në përgjithësi jeni në dijeni për gjendjen e tij shëndetësore.

Tani dëshiroj t’ju bëj të njohur, që të keni parasysh edhe si qëndron kjo çështje ditët e fundit, pse siç e patë dhe vetë, në mbledhjen e Plenumit të 9-të të Komitetit Qendror, në 27 shtator, gjendja e tij është rënduar ca.

Shëndeti i shokut Enver karakterizohet nga një dobësi e përgjithshme e organizmit. Rezistenca e tij fizike ka rënë mjaft, gjë që siç e patë, shprehet deri në të folurin e tij me vështirësi.

Këtë gjendje ai na e ka vënë edhe vetë në dukje, kur erdhi herën e fundit në aparat dhe midis të tjerash na tha se ka dëshirë të na flasë për shumë gjëra, por nuk flet dot. Kohët e fundit shokut Enver, i janë vështirësuar edhe lëvizjet e gjymtyrëve.

E vërteta është se gjatë këtyre ditëve, ai pati edhe njëfarë gripi, që natyrisht ka ndikuar jo për mirë në rëndimin e kësaj gjendjeje. Për të gjitha këto arsye, mendova t’ju vija në dijeni juve shokë të Byrosë, për të pasur një tablo të plotë mbi këtë gjendje.

Burimi kryesor i rënies shëndetësore të shokut Enver, është sëmundja e diabetit. Sikurse e dini të gjithë, ai vuan prej një kohe të gjatë, që nga viti 1948, nga diabeti.

Kjo sëmundje në përgjithësi i ka prekur enët e gjakut, duke ia pakësuar mundësinë e qarkullimit, gjë që i dobësuar organizmin. Mjekimet kundër kësaj sëmundjeje i janë bërë vazhdimisht me rigorozitet.

Po ato i janë bërë në rregull edhe në sajë të rigorozitetit dhe të vullnetit e kujdesit të vazhdueshëm të vetë shokut Enver, i cili u është përmbajtur me përpikëri rekomandimeve të mjekëve dhe i ka zbatuar këshillat e tyre me një disiplinë shembullore.

Kjo ka bërë të mundur, të shmangeshin për një kohë të gjatë ato efekte negative që mund të vërtetoheshin shumë më shpejt, po të lihej pas dore terapia e caktuar.

Sidoqoftë, këtu te diabeti qëndron burimi kryesor i gjendjes së vështirë, që po kalon tani shoku Enver. Si rrjedhim i sëmundjes së diabetit, shoku Enver ka kaluar një infarkt të miokardit, 11 vjet më parë, në tetor 1973. Shumë nga shokët këtë ngjarje nuk e dinë, po një pjesë e mirë, si Adili, Manushi, etj., kanë dijeni për këtë sëmundje, nga e cila u prek ai në atë kohë.

Edhe në këtë rast, shoku Enver u mjekua me shumë kujdes dhe përsëri duhet vënë në dukje, se ka qenë gjithashtu shumë i disiplinuar në zbatimin e kurave. Mund të them madje, se atëherë u trajtua me aq efektivitet kundër infarktit, saqë më vonë nuk ka pasur më asnjë shqetësim dhe ka vazhduar të punojë normalisht.

Duhet përmendur se përpara tre vjetëve, aty nga viti 1980-1981, kanë filluar t’i duken disa fenomene të tjera të quajtura ‘edema pulmonare’, që s’janë gjë tjetër, veçse grumbullim ujërash në mushkri, që i shkaktojnë vështirësi në frymëmarrje.

Për këtë arsye mjekët tanë, kanë qenë të detyruar të merrnin herë pas here masa, për shkarkimin e ujërave të tepërta nga mushkëritë, që të lehtësohej dhe të rikthehej në gjendje normale.

Shkaku i ‘edemave pulmonare’ vjen nga dobësimi i muskulit të zemrës, që nuk ka fuqinë e duhur për të thithur ujërat e tepërta që i krijohen në mushkëri dhe i shkaktojnë vështirësitë në të marrit frymë.

Nga fillimi i këtij viti, pati një periudhë që këto fenomene iu bënë më të shpeshta dhe e rënduan gjendjen e tij shëndetësore, por ky fenomen tani nuk po vihet re më. Siç jeni në dijeni, në shkurtin e këtij viti, shoku Enver pati edhe një ishemi cerebrale.

Pali me Muhon nuk ishin, kur ne u mblodhëm të nesërmen me këtë rast. Megjithatë, edhe ata mësuan për atë moment tepër të rrezikshëm, për jetën e shokut Enver, por gjendja u dominua mirë, në sajë të ndërhyrjes shumë të shpejtë e shumë efektive të mjekëve tanë.

Pas kësaj goditjeje, shoku Enver u përmirësua, por duhet pranuar se në përgjithësi gjendja e tij shëndetësore, erdhi duke u keqësuar, pasi ishemia i krijoi vështirësi në lëvizjen e gjymtyrëve të këmbës dhe të dorës, që iu prekën, dhe i është krijuar një lodhje e përgjithshme.

Për këtë arsye, disa herë i kishim propozuar shokut Enver, të sillnin nga jashtë mjekë për ta vizituar. Kam biseduar unë vetë veçanërisht me të, ka biseduar veçanërisht gjithashtu Nexhmija, në të njëjtën kohë kemi biseduar një herë tjetër të dy bashkë me Nexhmijen, po ai nuk e ka pranuar kurrsesi, propozimin tonë. Ai e argumenton me dy arsye.

Së pari, me besimin e plotë që ka te mjekët tanë, në diagnozën që i kanë bërë ata dhe në mjekimin që i kanë bërë dhe vazhdojnë t’i bëjnë. Së dyti, është pastaj aspekti politik i këtij hapi, që ai mendon se duhet parë me kujdes para se të veprohet.

Edhe pa marrë mjekë nga jashtë, të gjithë kemi parë çfarë shkruan shtypi në botë, rreth gjendjes së personit të tij, madje një gazetë greke, aty një muaj më parë, shkruante sikur kishte vdekur. Edhe televizioni italian ka folur për gjendjen e rëndë shëndetësore të shokut Enver.

Pra, pa sjellë mjekë dhe bëhet zhurmë jashtë, prandaj merret me mend çfarë mund të flitet e të shkruhet pastaj në opinionin botëror, sikur të thërritet ndonjë. Duhet pasur parasysh pastaj, në radhë të parë, shqetësimi që do të shkaktohej në popullin tonë.

Dy-tri javë përpara, biseduam përsëri me shokun Enver, e më së fundi ai pranoi të bëhet diçka në këtë drejtim, po jo të vinin këtu mjekë të huaj për ta vizituar, por të dërgoheshin jashtë, në Francë, mjekët tanë për të bërë një konsultë me specialistët francezë.

Për këtë arsye, dërguam në Paris tre nga mjekët tanë, që merren me kurimin e shokut Enver, mjekun e tij personal, Isuf Kalon, mjekun kardiolog, Ylli Popën dhe Bajram Prezën, si neurologu, që ka ndjekur kurat kundër ishemisë cerebrale.

Mjekët tanë morën të gjitha të dhënat e nevojshme dhe me anën e ambasadës sonë në Paris, organizuan një konsultë me kryetarin e Shoqatës Francë-Shqipëri, mjekun profesor Pol Miliezin në krye, të cilit i folën hapur dhe natyrisht në mënyrë konfidenciale, se fjala ishte për shokun Enver.

Kjo u bë që ai me ekipin e tij, të kuptonin se duhej ruajtur sekreti i çështjes, prandaj i’u theksua se vetëm ata e dinin këtë gjë.

S’ka dyshim se qeverisë së tyre, specialistët francezë do t’i kenë folur, po të paktën në shtyp, ata nuk mund të thonë gjë, se një gjë e tillë do të ishte shumë negative për ta. Kështu pra, specialistëve francezë, iu paraqit gjithë dokumentacioni, duke filluar që nga historiku i sëmundjes, elektro-kardiogramet që i janë bërë gjatë kësaj kohe, etj.

Dihet se në mjekësinë modern, nuk ecet më me metodat e vjetra, duke i vënë veshin ose prekur trupin e të sëmurit; sot bëhen më parë analizat e nevojshme dhe mbi bazën e tyre organizohen konsulta.

Kështu u veprua atje edhe për rastin e shokut Enver, dhe kjo konsultë ishte shumë efektive. Ç’doli prej saj? Të gjithë specialistët francezë në konsultë, ishin plotësisht të një mendimi me diagnozën e mjekëve tanë, nga fillimi e deri në fund.

E dyta, të tërë ishin dakord me mënyrën e mjekimit, me terapinë që është ndjekur, qoftë kundër diabetit, ashtu edhe me atë për forcimin e zemrës, kundër edemave, etj…!

Madje specialistët francezë, thanë se, edhe sikur vetë ta kishin ndjekur pacientin, vështirë se mund të bënin më tepër nga këto që kanë bërë mjekët tanë, të cilët kanë përdorur teknikën moderne të mjekimit dhe ilaçet e fundit që kanë siguruar, i kanë dhënë në dozat e përshtatshme me efikasitet.

Jo se ne kishim ndonjë dyshim në trajtimin e mjekëve tanë ndaj shokut Enver, sepse kurdoherë kemi qenë të bindur që efektiviteti i mjekimeve nga ana e tyre, ka qenë i mirë, po fakti që edhe specialistët francezë, kishin të njëjtin mendim me tanët, na qetësoi dhe na bindi, se nuk kemi të bëjmë me ndonjë gjë tjetër.

Për sa i përket zemrës, si mendimi i specialistëve francezë, ashtu edhe i tanëve është i njëllojtë. Ky organ ka arritur në fazën e një insuficience të theksuar, muskuli i zemrës është dobësuar së tepërmi dhe është pikërisht ky burimi i pafuqisë së përgjithshme, që ka deri tani shoku Enver.

Pra faktori kryesor në këtë gjendje që shkakton edhe fenomenet e tjera negative të shokut Enver, është zemra. Madje kur u diskutua për diagnozën, francezët thanë se ishemia cerebrale që goditi disa muaj përpara shokun Enver, aty e ka burimin, nuk kemi të bëjmë me stenozë të arteries karotide, siç kishin menduar mjekët tanë./ Memorie.al

G.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Qemal: 15/04/2024 15:15

    Zgjohu enver, o enver djali, dil o se na mori malli

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë