Ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, është shprehur se çështja e heqjes së imunitetit të zv.kryeministres Belinda Balluku po zvarritet me qëllim që të pengohet puna e drejtësisë. Komentet Alibeaj i bëri në një lidhje live për ‘Report TV’, ku tha se nuk ka lidhje fare vendimi i Gjykatës Kushtetuese për çështjen e pezullimit të saj nga detyra me kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit të saj, ashtu siç pretendoi sot PS.
Alibeaj vijoi më tej duke thënë se Këshilli i Mandateve nuk duhet duhet të vendosë për heqjen e imunitetit të Ballukut, në mënyrë që t’i hapet rruga drejtësisë që të bëjë punën e saj.
“Nuk ka lidhje fare Gjykata Kushtetuese me çështjen që duhet të shqyrtojë Kuvendi, Këshilli i Mandateve dhe Rregullores për heqjen e imunitetit. Është vetëm një lidhje që ka bërë Edi Rama një muaj më parë, i cili dukej se ishte në situatën për ta zvarritur çështjen e heqjes së imunitetit. Dhe gjeti në atë moment një alibi të tipit ‘ok po presim Gjykatën Kushtetuese sa ta shqyrtojë ajo, pastaj do vendosim ne’.
Gjykata Kushtetuese shqyrton çështjen nëse pezullimi nga detyra i një ministri është apo jo kushtetuese. Sepse kjo ishte kërkesa e parë që i ishte drejtuar Ballukut. SPAK hoqi dorë nga kërkesa për pezullimin nga detyra të Ballukut, në momentin kur vlerësoi se i duhej një tjetër masë sigurimi, ose ‘arrest me burg’ ose ‘arrest shtëpie’. Pra për SPAK është pa ndonjë interes të madh se çfarë vendos Kushtetuesja, nëse e pezullon nga detyra apo jo. Pra lidhja e vetme është ajo që ka bërë Rama, i cili mund të tregohej pak më fantazist e të thoshte ‘do ta shqyrtojmë çështjen e heqjes së imunitetit të Ballukut, nëse Shqipëria arrin të kualifikohet në Botërorin e Futbollit”, tha mes të tjerash Alibeaj.
Alibeaj vijoi më tej duke thënë se vendimi për të mos i hequr imunitetin Ballukut është si t’i ‘presësh njërën dorë’ SPAK-ut.
Për Alibeajn kjo do të ishte një drejtësi gjysmake. Ish-ministri tha se Uashingtoni dhe Brukseli duhet të reagojnë, pasi sipas tij, kryeministri Edi Rama në bashkëpunim me kryedemokratin Sali Berisha po përgatisin një grusht shteti kundër Drejtësisë.
“Kaq lidhje ka çështja e Gjykatës Kushtetuese me heqjen e imunitetit nga Kuvendi. Rama u bë pengesë e SPAK duke mos i hequr imunitetin Ballukut. Është një njeri i frikësuar. Rama kështu hodhi në erë Reformën në Drejtësi. Zhbëri atë që ishte ngritur gjatë këtyre viteve. Ndaj s’është kaq e thjeshtë të thuash ‘SPAK ka të drejtën të hetojë, të mbledhë prova, ta çojë çështjen për gjykim’, por imuniteti nuk hiqet. Është si të thuash i jep mundësi SPAK, por ja pret një dorë. Ne nuk kemi nevojë për drejtësi gjysmake. Drejtësinë gjysmake e kishim në 2016. Sot jemi të qartë, pushteti, Ekzekutivi dhe Parlamenti bashkë po bëjnë një grusht shteti ndaj drejtësisë”, tha mes të tjerash Alibeaj.
Komente










