Shuhet në ditën e lindjes ish-kreu i Akademisë së Shkencave, peshëngritësi Gudar Beqiraj

TIRANE-Ndahet nga jeta ish-kreu i Akademisë së Shkencave, peshëngritësi i njohur në vitet '67-'74 Gudar Beqiraj. Zemra e tij pushoi së rrahuri ditën e sotme, që përkon edhe me ditën e lindjes së tij, 72 vite më parë. Gudar Beqiraj përpos asaj që la pas me sportin, është një emër i njohur pasi ka mbajtur disa poste të rëndësishme, si dekan, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave dhe më pas kryetar në 2017, zëvendëspresident i Komitetit Olimpik Kombëtar, shef i delegacioneve shqiptare në Lojërat Olimpike, etj. Ai është nderuar edhe me shumë çmime, mes tyre në 2016 me medaljen e Artë për kontributin 50 vjeçar në sportin botëror të peshëngritjes, nga Federata Botërore e Peshëngritjes. Gudar Beqiraj do të përcillet për në banesën e fundit nesër në orën 11:00 në Tufinë. Homazhet, tha Vasil Tole për Report Tv nuk do të jenë të formës klasike si më parë për shkak të pandemisë.

Kush ishte Gudar Beqiraj?
Akademik Prof. Dr. Gudar Beqiraj, mbaroi studimet në Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Departamenti i Matematikës. Ishte specializuar në Gjeostatistikë pranë Qendrës së Gjeostatistikës në Fontainbleau, Francë si dhe në metodat e informatikës së aplikuar në Gjeofizikë në Universitetin Paris VI, Francë. Në 1992 ka kryer punë shkencore pranë Universitetit “La Sapienza”, Romë, Itali. Në vitin 1994 merr titullin “Profesor”, dhënë nga Këshilli i Lartë i Atestimit të Komitetit të Shkencës dhe Teknologjisë. Në vitin 2003 i akoedohet titulli “Akademik”, dhënë nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Në 2012 është bërë anëtar i Akademisë Europiane të Shkencave dhe Arteve.

Kontributi i tij shkencor përfshin: Pjesëmarrjen në Kongresin e III Botëror të Gjeostatistikës, Avignon, Francë (1987). Anëtar i Komisionit të Vlerësimit për mbrojtje doktorature në Fontainebleau, Francë (1988). Pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në Gjeologji-Miniera, Pribram, Çekosllovaki (1989). Pjesëmarrës në Simpoziumin CODATA, Leeds, UK (1990). Pjesëmarrës në Simpoziumin Ndërkombëtar për zbatimin e metodave matematikore në Gjeologji-Miniera. Prezantimi i vlerësuar me medalje argjendi. Pribram, Çekoslovaki (1991). Anëtar i Këshillit të Fakultetit të Ekonomisë – Universiteti i Tiranës. (2002-2007). Anëtar i Komisionit të Kualifikimit Shkencor pranë Ministrisë së Arsimit (2007).

Është realizues i algoritmeve dhe programeve të ndryshme në gjuhët e programimit: Algol, Paskal, Fortran, të aplikuara në fusha të ndryshme si gjeofizika, gjeologjia, bujqësia, nafta, mjekësia, etj. Përvoja e tij profesionale është shumë e gjatë dhe e pasur. Në vitet 1971-2003 ka qënë matematikan në INIMA dhe në 1993 Drejtor i INIMA. Në vitet 2007-2009 Dekan i Fakultetit të Teknoligjisë së Informacionit në UPT dhe në 2009-2013 Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. 2017-2018 Drejtor i Shkollës së Doktoratës, Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë dhe në 2018 e në vazhdim Rektor i Universitetit Mesdhetar të Shqipërisë.

Kishte një përvojë 45 vjeçare si pedagog i matematikës dhe i informatikës në Universitetet e Shqipërisë si dhe pedagog për sportin e peshëngritjes në Akademinë e Sporteve në vitet 80-të. Përveç kontributeve në fushën shkencore, ka kontribute edhe në aktivitete e fusha shoqërore. Në 1982 Arbitër i kategorisë së parë ndërkombëtare në peshëngritje. 1992-2000 President i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. 1996-2000 Zëvendës President i Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar. 1993-vazhdim Presidenti i Fondacionit Humanitar “Sue Ryder Care” Albania. 2004-vazhdim Anëtar i Bordit të Fondacionit Ndërkombëtar “Sue Ryder Care”. 2003-vazhdim President i Hospisit të parë në Shqipëri për të sëmurët terminal të diagnostikuar me kancer. 2008 Çmimi Personalitet i Vitit, akorduar nga Bashkia e Tiranës, 2016 Medalje e Artë për kontributin 50 vjeçar në sportin botëror të peshëngritjes, nga Federata Botërore e Peshëngritjes.

Aktiviteti Sportiv
1967-1974. Peshëngritës në ekipin "Studenti"
1975-1982. Arbitër kombëtar në peshëngritje
1982 Arbitër i kategorisë së parë ndërkombëtare në peshëngritje
1992-2000 President i Federatës Kombëtare të Peshëngritjes
1996-2000 Zëvendëspresident i Komitetit Olimpik Kombëtar
1982-2003. Shefi i delegacioneve shqiptare në Lojërat Olimpike, Kampionatet Botërore, Lojërat Mesdhetare dhe Kampionatet Europiane e Ballkanike në Peshëngritje
2001. Diplomë nga Presidenti i Komitetit Ndërkombetar Olimpik, Juan Antonio Samaranch, për kontributin e vyer si vullnetar për zhvillimin e sportit dhe Olimpizmit, si edhe për promovimin e miqësisë dhe solidaritetit ndërmjet popujve
2007 Urdhëri Olimpik, dhënë nga Komiteti Olimpik Kombëtar

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:50
Basha mesazh ngushëllimi për akademikun Gudar Beqiraj: Do mbahet mend si pasionant i palodhur në arsim, shkencë e sport

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të akademikut Gudar Beqiraj. Basha shkruan se profesor Gudari do të mbahet mend për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për sportin e peshëngritjes dhe një pasionant të palodhur në përpjekjet mbarëkombëtare në arsim, shkencë dhe sport.

"Mësova me hidhërim për ndarjen e papritur nga jeta të akademikut Gudar Beqirajt, profesorit, sportistit dhe njërit nga ekspertët më të njohur në fushën e informatikës dhe të statistikës. Mendimet dhe lutjet e mija janë me familjen, të afërmit dhe miqtë e dashamirët e tij të shumtë. Emri i profesor Beqirajt lidhet pazgjidhshmërisht me njeriun që pasionet e tij të mëdha, matematikën dhe sportin gjithë jetën synoi t’i kthente në vlerë për shoqërinë shqiptare. Profesor Gudari do të mbahet mend për kontributin e tij të jashtëzakonshëm për sportin e peshëngritjes, promovimit dhe mbështetjes së kampionëve dhe të talentuarve të këtij sporti. Me largimin e tij,shoqëria jonë humbi përgjithmonë një pasionant të palodhur në përpjekjet mbarëkombëtare në arsim, shkencë dhe sport. U prehtë në paqe", shkruan Basha.

Ora 14:51
Ndarja nga jeta e akademikut/ Ruçi: Humbëm një përfaqësues të shquar dhe reformator të padiskutueshëm

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi, shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Akademikut Gudar Beqiraj.

“Akademiku Gudar Beqiraj ishte një personalitet i shquar i shkencës, kulturës dhe sportit shqiptar. Ai ka kontribuar për një kohë të gjatë jo vetëm si shkencëtar, por edhe si Kryetar dhe Zëvëndëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe ka një meritë të padiskutueshme në hartimin e politikave të zhvillimit të shkencës shqiptare, të reformimit të Akademisë së Shkencave, të promovimit të kërkimit shkencor si edhe dhe institucioneve akademike e universitare të Shqipërisë.  Familja humbi njeriun e saj më të dashur, kultura shkenca dhe sporti shqiptar humbën një përfaqësues të shquar, dhe Shqipëria një qytetar të denjë e të respektuar" tha Ruçi, në mesazhin e tij të ngushëllimit.

Ora 11:19
Tole: Kishte shumë projekte, 10 ditë më parë fola për herë të fundit me Gudar Beqirajn

Akademiku Vasil Tole në një prononcim për Report TV njoftoi se Gudar Beqiraj do të përcillet për në banesën e fundit nesër në orën 11:00 në Tufinë. Homazhet, tha ai nuk do të jenë të formës klasike si më parë për shkak të pandemisë. Tole tha se Beqiraj kishte shumë projekte në duar dhe se kontaktin e fundit e kishte pasur 10 ditë më parë. Akademiku tha se Gudar Beqiraj u nda nga jeta si pasojë e problemeve me zemrën.

"Ishte e papritur dhe të gjitha lajmet e papritura të zënë në befasi, pasi miku ynë nuk kishte as moshën dhe as kohën për t'u larguar. Na ka zënë në një situatë të vështirë dhe të trishtuar, ishte një akademik, i angazhuar në shumë drejtime, në mbështetjen e sportit dhe shkencës. Ishim vazhdimisht në kontakt se ishte shumë aktiv, ka pasur plane dhe projekte në duar, që i zhvillonte me kolegët e tjerë shkencëtar. Ishte një nga kuadrot e matematikës e specializuar. Ka qenë ndër pionerët në fushën e informatikës. Akademia pavarësisht ndërprerjes nga COVID-i kemi qenë në kontakt si për organizimin e brendshëm të akademisë dhe masat për të përballuar COVID-in.

Kontakti i fundit ka qenë jo më larg se para 10 ditësh. Nga informacionet që patëm ishte një situatë akute që lidhet me zemrën, këtë na konfirmojnë familjarët dhe kolegët që janë afër me familjen. Akademia e Shkencave ka aprovuar edhe një rregullore ceremonialit, që nderojmë akademikët dhe personalitetet e larta. Në këto kushte nuk mund ta zbatojmë tërësisht, këtu kam parasysh pjesën e nderimeve, por nga ana tjetër të gjitha ato, nekrologjia, prononcimet për mediat, apo edhe dicka tjetër që po përgatitet, pjesëmarrja e një përfaqësie të akademisë në homazhe, për ngushëllim pranë familjes, jo homazhe klasike, ne do i bëjmë dhe prezenca e akademisë në momentin e përcjelljes nesër në orën 11:00 në varrezat e Tufinës" tha Tole.

Ora 10:52
Ndarja nga jeta e akademikut/ Miku i tij: Iku në ditën e lindjes për ta kujtuar 1 herë në gëzim!

Vasil Tole, miku  Akademikut Gudar Beqiraj ka bërë një mesazh të ndjerë për ndarjen nga jeta të tij, në ditën e lindjes.

"Sot u nda nga ne miku dhe akademiku Gudar Beqiraj! Zgjodhi të ikte në ditën që lindi, si për ta kujtuar vetëm 1 herë në gëzim, e jo ndryshe!

I paharruar do të jesh miku ynë, që e filloje ditën me fjalët: "Ç'farë të mire do të bëjmë sot"? Familja humbi njeriun e saj të shtrenjtë, Akademia e Shkencave kolegun dhe akademikun e përkushtuar, bota e sportit shqiptar një sportist dhe dashamirës të madh të saj, dhe ne mikun tonë zemërgjerë, si AI", shkruan Tole.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • lulimiri: 11/05/2020 11:56

    Kishte shume projekte thote servili qe nderronin karrigen me njeri tjetrin. Ky projektin e vetem kishte shtangen dhe vjedhjen ne Akademi. 1 parazit me pak.

    Përgjigju
  • Erik: 11/05/2020 11:16

    Ngushellime familjes dhe mirenjohje per z.Beqiraj per kontributin qe i ka dhene vendit. U pehte ne paqe!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja