Ish-ministri i LSI-së, Dritan Prifti është ndarë nga jeta në moshën 49-vjeçare, pasi prej një kohe të gjatë vuante nga një sëmundje e rëndë gjaku, ndërsa kohët e fundit i ishte nënshtruar kurave mjekësore intensive në një spital në Itali.

Nga Italia, Prifti u transferua në një klinikë më të specializuar në Gjermani, por pavarësisht nga trajtimet e marra mësohet se ish-ministri i Ekonomisë nuk ia ka arritur t'ia dalë.

Ai është kthyer dje pasdite në Shqipëri në gjendje shëndetësore shumë të rëndë. 

Vetë Prifti deklaroi në muajin maj të këtij viti se ishte në betejë me një sëmundje të rëndë gjë e cila e privoi atë edhe nga fushata elektorale për zgjedhjet e 25 qershorit.

Homazhet në nderim të ish-ministrit do të zhvillohen sot në orën 10-12 në Muzeun Kombëtar, ndërsa në ora 13 do të zhvillohet funerali në Shish Tufinë.

Dritan Prifti ka qenë deputet dhe ministër i Ekonomisë
Nga viti 2009 deri në 2013 Dritan Prifti ka qenë deputet i Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe në vitet 2009-2010 ka qenë Ministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. 

Në vitet 2000-2001, Prifti ka qenë Drejtor i Përgjithshëm i i Korporatës Energjitike Shqiptare, KESH.

Dritan Prifti lindi më 27 gusht 1968 në Berat, ku mori dhe arsimimin bazë, më pas studimet e larta ai e kreu në Universitetin e Harvardit, me rezultate të shkëlqyera.

Redaksia Online
Er.K/Shqiptarja.com