Zjarri në landfillin e Fierit, situata ende problematike, qyteti i 'pushtuar' nga tymi i zi! Banori: Ndotja shumë e madhe, ditën mundohemi mos të rrimë në shtëpi

Prej 3 ditësh tashmë, Fieri vijon të jetë i mbuluar nga tymi i krijuar nga djegia e mbetjeve në landfill, duke krijuar një emergjencë mjedisore.

Ndonëse flakët janë shuar që prej mëngjesit të sotëm, sërish situata mbetet shumë problematike, për shkak të gazrave të rrezikshëm që po përhapen pas djegies së mbetjeve, ndihmuar edhe nga era. Në terren ndodhen mjete të tonazhit të rëndë, që po punojnë për mbulimin me dhé të mbetjeve që vijojnë të çlirojnë tym.

Një qytetar, banesa e të cilit është afër landfillit, shprehet se ata shmangin qëndrimin në shtëpi gjatë ditës, por detyrohen të rikthehen natën për të fjetur.

Sipas tij, e vetmja zgjidhje është largimi i fushës së grumbullimit të mbetjeve nga aty.

"Puna e plehrave është bërë çdo vit e më keq. Fusha e mbetjeve duhet të largohet sa më parë nga këtu, ndotja është shumë e madhe, ne po mundohemi që ditën të mos rrimë në shtëpi dhe natën flemë nga e keqja në mes të tymit. Duhet të largohet fusha e mbetjeve, nuk ka zgjidhje tjetër", shprehet një banor.

Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit në landfill, nëse ka qenë e qëllimshme ajo jo, ndërsa prokuroria ka nisur hetimet.

Situata me mbetjet në Fier duket se do të vijojë të jetë një problem, për shkak të shpallje së landfillit emergjencë mjedisore, duke bërë që mbetjet të mos depozitohen aty.

Ndërkohë në fund të muajit gusht pritet të jetë gati inceneratori ku do të grumbullohen mbetjet e Fierit.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:37
Djegia e mbeturinave në Fier, Subashi: Nesër situata do të vihet nën kontroll! Baçi ishte këtu për shou, ka menduar se duket mirë natën

Kryetari i bashkisë së Fierit, Armando Subashi thotë se situata në fushën e mbetjeve, po shkon drejt normalizimit dhe se nesër zjarri do të merret plotësisht nën kontroll. Subashi tha se e vetmja mundësi që kemi është mbulimi i vatrave me dhe. Po ashtu kryebashkiaku socialist i është përgjigjur edhe kryetarin PD-së në Fier, Luan Baçit, për të cilin tha se ka shkuar atje vetëm për shou.

'E mbani mend që në 2015 kemi marrë atë vendim për faktin se kjo situatë që shohim sot ka qenë e vazhdueshme ndër vite. Vazhdimisht plehrat digjeshin, kjo ishte arsyeja që një ndër vendimet e para ishte shpallja e emergjencës mjedisore. Mbi bazën e atij vendimi kishim mbështetjen e qeverisë. Sot që flasim ky problem është i zgjidhur. Sot kemi një vlerë të madhe publike që është gati të presë depozitimin e mbetjeve dhe trajtimin e tyre. Ajo çfarë ka ngelur dhe ka mbetur në ditët e fundit është rehabilitimi i rrugëve që na çojnë tek inceneratori. Nuk kanë qenë rrugët e bëra. Po bëjmë një stacion për transferimin e mbetjeve, distance nga Fieri te inceneratori është e konsiderueshme, nuk shkojnë dot mjetet gjithë natën dhe të bëjnë shumë rrugë, do ishte humbje kohe dhe shpenzime pa fund. Pra ndërtimi i stacionit dhe blerja e mjeteve të reja që do të transferonin në bllok. 30 gushti do të jetë afati maksimal që mund të mbyllim këtë fushë 74-vjeçare të mbetjeve, vend depozitimin e mbetjeve të Fierit dhe fillojmë me inceneratorin.

Nëse punohet apo jo e shihni vetë, më vjen mirë se keni qenë këtu. Po punojmë non-stop. Po punojmë 24 orë. E vetmja zgjidhje është mbyllja me dhera e gjithë fushës. Zjarrfikëset nuk japin rezultat, edhe pas mendimit të ekspertëve. Uji e rindez më keq, e shuan për pak minuta, por mbulimi me dhe dhe kapsulimi i vatrave që të fiken. Padyshim që ngjarja e ditëve të fundit ishte një ngjarje e rëndë, e konsiderueshme, nuk mund ta themi nëse fusha është vetëndezur, e rëndësishme është që situata është marrë nën kontroll. Nesër ose maksimumi pasnesër merret situata nën kontroll dhe s’do të kemi më ato sasi tymi. Ku shfaqet ndonjë vatër e vogël zjarri neutralizohet. Tani të shuajmë plotësisht dhe eliminojmë tymrat.  Ishte një shfaqje një shou i radhës i Luan Baçit ose ka menduar që të duket mirë natën këtu ose i kanë thënë shko bëj një deklaratë atje. Nëse do ta kishtë shqetësim, sot është dita e tre le të vinin këtu. Pasi ta kalojmë këtë situatë do të bënte përpjekjen minimale për të dhënë një kontribut sado modest për këtë aksion të madh.'- tha Subashi.

Ora 21:33
Luan Baçi në landfillin e mbetjeve në Fier: Situatë alarmante, po rrezikon shëndetin e qytetarëve

 

Kryetari i degës së Partisë Demokratike në Fier, Luan Baçi ka qenë në landfillin e Fierit ku po digjen mbeturinat prej 3 ditësh. Përmes një deklarate për mediat, Baçi u shpreh se kjo është një situatë alarmante dhe po  ndikon drejtpërdrejtë në shëndetin e qytetarëve.

“Situata është e dukshme tashmë, një situatë vërtet alarmante, e rrezikshme dhe shumë dëmtuese për qytetarët e Fierit. Janë ditë të tëra që qyteti i Fierit është në gjendje katastrofike, tym dhe blozë në çdo shtëpi. Qytetarët janë mbyllur brenda. Nuk është situatë për të bërë politikë dhe unë jam plotësisht dakord me këtë madje më vjen keq që çdokush mundet të  thotë që po bëjmë politikë me këtë fatkeqësi. Kemi ditë që e ndjekim situatën nga afër, e kemi denoncuar duke ofruar edhe ndihmesën tonë se si mund të zgjidhet", tha Baçi.

Ora 13:40
Ende problematike situata në landfillin e Fierit, era përhap tymin në një hapësirë mjaft të gjerë

 

Pavarësisht se nuk ka më flakë, sërish situata në landfillin e Fierit mbete shumë problematike, për shkak të tymit që vijojnë të gjenerojnë mbetjet që u dogjën. Mjete të tonazhit të rëndë po punojnë për mbulimin me dhé të mbetjeve që çlirojnë tym, por sërish ka ende shumë punë për t'u bërë. Ndërkohë era ndikon në përhapjen e tymit në një rreze shumë të gjerë, duke mbërritur edhe në qytet.
 

/M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar

Izraeli bombardon me raketa aeroportin ndërkombëtar të Sanas në Jemen, disa të lënduar