TIRANE- I akuzuar për armëmbajtje pa lejë dhe më pas i shpallur i pafajshëm nga gjykata në vitin 2012, Emiljano Shullazi pas gati dy vite nga marrja e pafajësisë i është drejtuar gjykatës së Tiranës, duke kërkuar dëmshpërblim për ditët e qëndrimit në burg. Shullazi në kërkesë padinë civile të tij dorëzuar dje në gjykatën e kryeqytetit, ka pretenduar se është mbajtur 7 muaj në qeli në mënyrë të padrejtë. Ai argumenton në kërkesë padinë se armën që i ka kapur policia në makinë nuk e ka pasur ai por shoku i tij Gilmando Dani, për të cilën ky i fundit është dënuar.
 
Shullazi më tej shton se në muajin maj 2012 është shpallur i pafajshëm dhe se ky vendim është lënë në fuqi nga gjykata e Apelit. Nisur nga kjo situatë Shullazi i është drejtuar gjykatës, duke paditur drejtorinë e thesarit dhe  Ministrinë e Financave, për dëmshpërblimin e ditëve që ka qëndruar në burg në mënyrë të padrejtë.

Shullazi u arrestua në datë 08.11.2011, në rrugën “Stavri Themeli”. Patrulla e policisë ka konstatuar 3 persona të dyshimtë të njohur si persona me precedentë penal. Menjëherë janë afruar punonjësit e policisë pasi kanë zbritur të tre nga makina, kanë urdhëruar Gilmando Dani,Emiljano Shullazi si dhe Denis Selamaj që të ngrinin duart lart.

Shkrimi u publikua në Shqiptarja.com, (Print) më 26.07.2014
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)