Miti se të rinjtë e përballojnë koronavirusin bie poshtë nga ajo që thotë ministria e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu. Në një video të publikuar së fundmi ajo thotë se shumë të rinj me simptoma të rënda po trajtohen në spitalin infektiv.

Më tej ministria apelon që të rinjtë të zbatojnë rregullat e higjienës personale, distancimin social dhe vendosjen e maskave në mënyrë që të frenohet përhapja e COVID19, duke ndarë edhe  një videomesazh drejtuar qytetarëve nga këngëtarja e njohur Julka Gramo.

“Sot në spitalin infektiv mes qytetarëve të shtruar, ka të rinj që po trajtohen për simptoma të rënda të shkaktuara si pasojë e COVID19, sepse virusi nuk bën dallim moshe.

Sot, ka shumë të rinj që me kontaktet e shpeshta me njëri-tjetrin, pa i respektuar rregullat, rrisin mundësinë e përhapjes së infeksionit dhe e përcjellin atë tek prindërit, gjyshërit, duke i vënë ata në rrezik serioz. Vetëm me kontributin e të rinjve, për të marrë përgjegjësi individuale në këtë kohë të pazakontë, përhapja e koronavirusit të rrezikshëm mund të frenohet. Vendose maskën, ruaj distancën, laj shpesh duart, ruaj veten, ruaj të tjerët,”-apeloi Manastirliu.

Në vijim të fushatës së Ministrisë së Shëndetësisë për përdorimin e maskës mbrojtëse, këngëtarja Julka Gramo tha se përdorimi i maskës mbron veten dhe familjarët tanë.

“Unë mbaj maskë të mbroj ty, kështu që të lutem më mbro edhe ti mua. Le të mbrojmë njëri-tjetrin, të mbrojmë familjet tona, të mbrojmë edhe të tjerët. Nëse unë dhe ti mbajmë maskë rreziku i transmetimit të virusit sipas disa statistikave që unë pashë sot ishte vetëm 1.5%,”- thotë Gramo.