Shënohet rasti i parë me COVID-19 në Kukës, është nga bluzat e bardha! 8 të infektuar, 16 të shëruar gjatë 24 orëve të fundit

TIRANË- 8 raste të reja pozitiv me COVID-19 janë shënuar gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, mes të cilëve 2 janë pjesë e personelit mjekësor në Shkodër dhe Kukës dhe 6 raste të tjera janë në Tiranë. Kjo e çon numrin e rasteve të infektuar me koronavirus në 475 të prekur, ndërsa Kukësi shtohet për herë të parë në hartën e të prekurve me COVID-19 dhe zgjerohet në Tiranë e Shkodër.  

Vetëm gjatë 24 orëve janë kryer 236 teste për persona të dyshuar nga të cilët 45 janë personel shëndetësor, kryesisht në spitalin e Shkodrës.

Gjithashtu me numrin e ulët të të prekurve gjatë 24 orëve të fundit, vjen dhe lajmi i mirë, ku 16 pacientë janë shëruar duke e çuar numrin e personave që kanë fituar betejën e tyre në 248 pacientë.

Deri në këto momente janë testuar 4306 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 475 raste. Ndërsa grafiku i të gjithë ecurisë së kurbës së koronavirusit tregon një  qëndrueshmëri të rasteve të konfirmuara, kryesisht gjatë dy javëve të fundit. 

Betejën me COVID-19 e kanë humbur 24 qytetarë, ku viktima e fundit ishte ditën e djeshme të 68-vjeçares nga Tirana në spitalin Infektiv. Gjendja e saj ishte e rëndë dhe ndodhej e intubuar prej 10 ditësh.

Aktualisht në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 46 pacientë. Në shërbimin infektiv aktualisht janë 37 të shtruar, 5 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 1 prej tyre janë të intubuar.

Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar, 7 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 4 prej tyre janë të intubuar.

Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

- Tiranë           227 raste

- Durrës           42 raste

- Lushnje         6 raste

- Elbasan         15 raste

- Fier                32 raste

- Kavajë           8 raste

- Rrogozhinë    4 raste

- Korçë             17 raste

- Vlorë              5 raste

- Shkodër          71 raste

- Lezhë             14 raste

- Berat              2 rast

- Has                13 raste

- Krujë             6 raste

-Tropojë          4 raste

- Pukë              5 raste

- Mirditë           3 raste

- Kukës        1 rast

"Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u kërkon qytetarëve të vijojnë të respektojnë masat e distancimit social. Në këto momente kërkohet përgjegjshmëri nga ana e qytetarëve për të respektuar distancën e nevojshme mes njëri tjetrit dhe ruajtjen e higjienës personale. Është e rëndësishme që masat e kontrollit të infeksionit duhet të respektohen maksimalisht edhe brenda rretheve familjare duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye, për të parandaluar transmetimin e COVID-19. Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40", tha Eugena Tomini  nga ISHP.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:22
Humb jetën te Infektivi 62-vjeçarja, Ministria e Shëndetësisë: Jo nga COVID-19, por nga pankreasi

Një 62-vjeçare me COVID -19 ka humbur jetën ditën e sotme në Spitalin Infektiv ku dhe po trajtohej. Ministria e Shëndetësisë ka sqarua se 62-vjeçarja nga Shkodra nuk ka humbur jetën si pasojë e koronavirusit, por pasi vuante nga një sëmundje të rëndë dhe kronike e pankreasit.

Kjo sëmundje kronike e pankreasit e njohur dhe si pankreatiti nekrotizant ka një vdekshmëri të lartë, cilëson ministria e Shëndetësisë, ndërsa shton se 62-vjeçarja vuante edhe nga kanceri dhe astma bronkiale.

Viktima është sjellë ditën e djeshme në gjendje të rëndë nga spitali i Shkodrës, ku rezultoi bartëse e COVID19, por pa shenja klinike të sëmundjes.

“Referuar shërbimit infektiv, 62-vjeçarja nuk ka ndërruar jetë si pasojë e COVID19, pasi ishte asimptomatike për këtë sëmundje, por si pasojë e sëmundjes së rëndë të pankreasit”, tha ministria

Ora 11:16
Kontakt me 90-vjeçaren e shëruar, i prekuri parë me COVID-19 në Kukësi është infermieri urgjencës

Një infermier i urgjencës është i infektuari i parë në bashkinë e Kukësit. Burimet bëjnë me dije se infermieri ka patur kontakt me nënë Nifen, 90-vjeçaren e shëruar pak ditë më parë nga Hasi, e cila u shpërnda si simboli i qëndresës nga kjo sëmundje.

Ndërkohë mësohet se do t’u bëhet tamponi 25 infermierëve dhe mjekëve të cilët kanë patur kontakt me infermierin e prekur nga COVID-19. Gjatë mëngjesit të sotëm i është bërë dezinfektimi pallatit ku banon infermieri në qytetin e Kukësit. Janë izoluar familja e tij dhe po bëhet hetimi epidemiologjik për kontaktet që infermieri ka patur gjatë këtyre ditëve me paciente të spitalit.

Ora 11:14
45 teste për personelin e spitalit të Shkodrës, pozitiv vetëm infermieria e reaminacionit

Ministria e Shëndetësisë në komunikim e përditshëm konfirmoi sot një rast të ri në qytetin e Shkodrës e cila mësohet se është një infermiere që punon në reaminacion. Për shkak të kontakteve me të kontaminuarit në spitalin e Shkodrës janë testuar 45 persona të personelit shëndetësor, por vetëm një ka dalë pozitiv.

 

G.M./b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen