Si dëshiron ta shpëtojë Robert Habeck industrinë gjermane

Si dëshiron ta shpëtojë Robert Habeck industrinë gjermane

Ekonomia gjermane po ecën drejt një recesioni. Një nga arsyet është kostoja e lartë e energjisë. Ministri i Gjelbër i Ekonomisë Gjermane kërkon ta ndryshojë këtë, por përballet me kundërshtime politike.

Atmosfera është e zymtë. Në një kohë që ekonomitë e kombeve të mëdha industriale në mbarë botën po rriten, Gjermania po ecën drejt një recesioni. Ekonomia mund të tkurret me 0.4 për qind këtë vit. Në një anketë që Federata e Shoqatave të Punëdhënësve Gjermanë (BDA) porositi në tetor 2023, 82 për qind e sipërmarrësve të anketuar janë shumë të shqetësuar për Gjermaninë si zonë ekonomike. 88 për qind besojnë se qeveria nuk ka një strategji të menduar për t'u përballur me krizat.

Ministri i Ekonomisë Robert Habeck (Të Gjelbrit) i kupton në mënyrë të përsosur këto kritika, madje ai i mbështet ato. Situata gjeopolitike, transformimi i shtrenjtë, por i domosdoshëm drejt një industrie neutrale ndaj CO2 dhe, mbi të, një infrastrukturë e lënë pas dore, digjitalizimi i pamjaftueshëm, për të mos përmendur mungesën e personelit dhe fuqisë punëtore të kualifikuar dhe shumë burokraci: e gjithë kjo e vendos industrinë gjermane nën presion të madh, thotë ai. Dhe me pjesën e saj prej gati 23 për qind të vlerës së shtuar bruto, industria mbetet zemra e ekonomisë gjermane.

Një strategji për industrinë

Në mes të tetorit, Habeck bëri një surprizë duke paraqitur një strategji industriale. Në mbi 60 faqe, Ministri i Ekonomisë shpjegon pse e konsideron të rëndësishme që shteti të mbështesë masivisht ekonominë gjermane në vitet në vijim. Një analogji me qasjen e Shteteve të Bashkuara, të cilat, me Aktin e reduktimit të Inflacionit, vendosën një program investimi prej afro 740 miliardë dollarësh. Përveç masave për të luftuar ndryshimet klimatike dhe një riorientim të ekonomisë amerikane drejt energjisë së ripërtëritshme, qasja e SHBA ofron gjithashtu lehtësi të konsiderueshme tatimore.

Problemi: Strategjia industriale e Habeck nuk ishte objekt konsultimi brenda koalicionit qeveritar të përbërë nga SPD, të Gjelbrit dhe FDP. Disa u habitën që ministri i Gjelbër mori drejtimin në këtë mënyrë. Të tjerë e interpretojnë atë si një përpjekje për të rikthyer të Gjelbërit në titujt e gazetave në një mënyrë më pozitive pas debatit të ligjit për ngrohjen. Në të vërtetë, me kërkesat që formulon në strategjinë e tij industriale, Habeck mirëpritet në ekonomi, por edhe te sindikatat. Ata duan që shteti t'i ndihmojë në kohë të vështira.

Gjashtë cent për kilovat orë energji elektrike

Elementi qendror i strategjisë industriale të Habeck është një çmim i subvencionuar shumë i energjisë elektrike. Për dekada, ky ishte modeli ekonomik gjerman: produktet prodhoheshin me energji të lirë, kryesisht me gaz nga Rusia, dhe shiteshin me çmime të larta në mbarë botën. Gjermania ishte kampion botëror i eksporteve, Made in Germany ishte etiketa e cilësisë. Por që kur Rusia pushtoi Ukrainën, gazi nuk del më nga tubacioni, por shpërndahet me anije në formën e gazit të shtrenjtë të lëngshëm natyror (LNG).

Që atëherë, çmimet e energjisë kanë shpërthyer dhe për pasojë edhe çmimet e energjisë elektrike, të cilat tani janë ndër më të lartat në botë. Për qytetarët, çmimi i energjisë elektrike ishte ndërkohë 40 euro cent për kilovat orë, ndërsa industria paguan 24 euro cent. Për muaj të tërë, Habecku ka këmbëngulur në futjen e një çmimi të subvencionuar nga shteti të energjisë elektrike industriale prej gjashtë cent për kilovat orë.

Shumë veshë të shurdhër brenda koalicionit

Brenda partisë së tij, me këtë hap Habeck-u nuk bën domosdoshmërisht miq. Bërja e konsumit të energjisë më të lirë nuk është një kërkesë qendrore e të Gjelbërve. Por të Gjelbrit e kuptuan se ne nuk duhet ta mbingarkojmë shoqërinë. As me çmime shumë të larta të energjisë, sepse kjo i shtyn gjithnjë e më shumë qytetarët në krahët e partive ekstreme. Ky mendim ndahet brenda grupit parlamentar socialdemokrat SPD në Bundestag. Kancelari nga radhët e SPD, megjithatë, është skeptik.

Olaf Scholz druhet se energjia elektrike e lirë do të rrisë kërkesën dhe do të krijojë pengesa. Ekspertët besojnë se energjia elektrike do të mbetet e shtrenjtë në Gjermani edhe për një kohë të gjatë. Scholz-i druhet se kompanitë që mund të blejnë në mënyrë të qëndrueshme energji të subvencionuar nuk do të kenë më presion për të transformuar bizneset e tyre në neutralitetin e CO2.

Kundërshtari më i madh i Habeck-ut është FDP. Për këtë partner koalicioni konsolidimi buxhetor as që diskutohet. Para për subvencione shtesë me vlerë miliardash nuk janë përfshirë në planifikimin buxhetor të Ministrit të Financave Lindner (FDP).

Energjia e shtrenjtë godet industrinë deri në themel

Por Habecku nuk është i vetmi që paralajmëron. Edhe industria dhe sindikatat thonë se pa një çmim të subvencionuar të energjisë elektrike, e gjitha nuk mund të funksionojë. Rrezikojmë "të humbasim prodhimin me çmimin e lartë të energjisë dhe rrjedhimisht zemrën e asaj që përbën zinxhirin e vlerës së industrisë gjermane”, deklaroi ministri i Ekonomisë gjatë një konference për industrinë në Berlin.

Gjermania ka zinxhirë furnizimi "shumë të paprekur", nga produktet bazë deri te prodhimi përfundimtar. "Sigurisht që mund të kemi edhe manifakturë, por me këtë e dobësojmë Gjermaninë ekonomikisht, prandaj unë konkludova politikisht që kjo është pikërisht pasoja e gabuar në këtë kohë.”

Bizneset dhe sindikatat luftojnë

Federata e Industrisë Gjermane (BDI) ka paralajmëruar prej kohësh për rrezikun e zhvendosjes së sipërmarrjeve me energji intensive jashtë vendit. Kjo do të kishte pasoja të rënda, siç theksoi Presidenti i BDI Siegfried Russwurm në konferencën e industrisë. "Po të mos ketë më industri kimike në Gjermani, është joreale të mendohet se automatizimi për uzinat kimike do të vazhdojë të bëhet në Gjermani."

Kjo nuk ka të bëjë vetëm me shpëtimin e kompanive të mëdha, tha presidenti i dytë i sindikatës industriale (IG) Metall, Jürgen Kerner. "Shumë biznese të mesme familjare aktualisht nuk kanë më perspektivë.” Në të gjithë vendin ka një pasiguri të madhe. Prodhimi zhvendoset jashtë vendit ose ndalet. "Kemi fabrika të aluminit që ndalojnë prodhimin, kemi fonderi dhe fabrika që humbasin porositë. Këshillat e punës dhe administratorët gjyqësorë po raportojnë pushime nga puna, falimentime dhe mbyllje kompanish."

Nga do të vijnë paratë?

Në konferencën e industrisë nuk kishte asnjë dakordim për mënyrën e financimit të çmimit të subvencionuar të energjisë elektrike. Të Gjelbrit, si dhe ministri i tyre Habeck, janë të hapur për borxhe shtesë. Jo gjatë kësaj legjislature, frena e borxhit është me të vërtetë e përfshirë në marrëveshjen e koalicionit, por pas zgjedhjeve të ardhshme federale, thorë Habeck.

Presidenti i BDI Russwurm, nga ana tjetër, është kundër borxheve të reja. Sipas tij, shteti ka problem me shpenzimet. "Mendoj se do të duhet të caktojmë prioritete dhe ta durojmë këtë konflikt, prioritete për atë që mund të përballojmë dhe për atë që do të ishte e dëshirueshme, por ne nuk mund ta përballojmë këtë".

Një debat që po zhvillohet aktualisht edhe në Bundestag gjatë negociatave për buxhetin për vitin 2024. Habecku iu referua atij në përgjigje të pyetjes se kur SPD, të Gjelbrit dhe FDP mund të bien dakord për një çmim buxhetor për energjinë industriale. "Ndoshta diskutimet e buxhetit do të japin njëfarë qartësie,” tha ai. Aktualisht shanset janë "50-50”./DW

S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sot në 13:30 Man. City - Everton, Armando Broja e nis nga stoli

Sot në 13:30 Man. City - Everton, Armando Broja e nis nga stoli