Si dështoi atentati ndaj Xhevdet Plakut! Ish-polici prishi planin nga frika se mos zbulohej! Ishte në komisariat, por gënjeu atentatorët se ishte larguar

Ish-polici i Durrësit Dejvi Gjermeni, ishte personi që afroi vrasësit për të ekzekutuar Xhevdet Plakun kur të dilte nga Komisariati i Shijakut, por frika nga zbulimi, bëri që po ai, të bënte planin të dështonte. Sipas dosjes hetimore të SPAK, Dejvi Gjermeni, kishte marrë informacione të detajuara pasditen e 17 shtatorit 2019 nga ish-shefi i Krimeve të Komisariatit nr. 6, Dedan Gjoni, i cili atë ditë kishte shoqëruar objektivin që ishte planifikuar të vritej nga Rexhep dhe Algert Rapi.

Komunikimi mes Dedan Gjonit dhe Dejvi Gjermenit është bërë në aplikacionin “Whatsapp”, biseda që janë zbardhur nga hetuesit pas sekuestrimit të celularit të ish-policit të arrestuar me grupin e Erzen Breçanit nën akuzën e sigurimit të kushteve për të kryer vrasje. Aty Gjoni e ka informuar Gjermenin se Xhevdet Plaku ishte shoqëruar në komisariat pasi ishte parë duke lëvizur në makinë të blinduar dhe se do e lironte rreth orës 20:00 të mbrëmjes nga dera e pasme.

Të gjitha informacionet Gjermani i ka kaluar tek Rexhep e Algert Rapi, të cilët planifikuan atentatin, u dislokuan në pritje të daljes së Plakut nga komisariati për të qëlluar drejt tij. Por, në pritje të daljes, Dejvi Gjermeni u ka shkruar sërish duke u thënë se gjërat nuk kishin shkuar siç duhet dhe Xhevdet Plaku ishte larguar më herët. Kjo ka bërë që të dy të largohen nga aty dhe plani të dështojë. Por, sipas dosjes hetimore të SPAK, e vërteta ishte ndryshe. Xhevdet Plaku vijonte të ishte në komisariat dhe lirimi i tij është bërë më vonë, pasi 2 atentatorët ishin larguar nga aty.

Dyshohet se Dejvi Gjermeni e ka kuptuar se skema nuk ishte e kopsitur mirë dhe se në rast të vrasjes do të zbuloheshin të gjithë një e nga një dhe për këtë arsye ka shmangur tragjedinë në dyert e komisariatit. Për të zbardhur ngjarjen kanë shërbyer edhe përgjimet ambientale që janë bërë në bashkëpunim me autoritetet holandeze, të cilat kanë mundur të arrestojnë në orët e para të mëngjesit të së premtes Dejvi Gjermenin. Rexhep e Algert Rapi u arrestuan nga Policia e Durrësit, ndërsa Dedan Gjoni ishte arrestuar më herët. Për të tre Gjykata e Posaçme caktoi masën “arrest në burg” pa afat.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Beni: 23/12/2023 20:12

    Deti esht kampion, ku ka shans ti afrohet kush

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim