Dy ditë pasi u arrestuan duke drekuar në një restorant lukzos në Gjirin e Lalzit, kanë dalë para gjykatës së Durrësit Xhevdet Plaku dhe 6 të tjerët. Gjykata ka vendosur 'arrest në burg' për Xhevdet Plakun, Voltan dhe Jugert Xhani, Fatjon Qesja, Oltion Hasani, Flobenc Meçja (Gega) ndërsa për Alfred Hasanajn është vendosur masa "detyrim paraqitjeje" dhe ndalim daljeje jashtë vendit.
Ata u paraqitën sot në gjykatë nën masa të rrepta sigurie me praninë edhe të FNSH. Seanca nisi rreth 1 orë e gjysmë me vonesë për shkak të mbërritjes së Voltan Xhanit dhe Meçjas, të cilët nuk ndodheshin në ambientet e paraburgimit të Durrësit. Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura.
Policia i zuri ‘mat’ 7 personat teksa po konsumonin një drekë luksoze me peshk dhe krudo, ndërsa 4 prej tyre rezultuan edhe të armatosur.
Xhevdet Plaku, i njohur me nofkën “Kiss” nga Durrësi ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi është arratisur nga burgu i Ankonës në janar të këtij viti. 45-vjeçari ishte dënuar në shtetin fqinj për trafik droge. Ndërsa Flobens Meçja, alias Gega alias Drini nga Shkodra ishte shpallur në kërkim nga SPAK-u prej një viti, si pjesë e dosjes “Plumbi i Artë”. 43 -vjecari akuzohet për veprat penale “Organizata kriminale” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”.
Voltan Xhani është i dyshuari kryesor për organizimin e vrasjes së Elis Rroshkodolit në lagjen “Ahmet Haxhiu” në Shkodër mesditën e 30 gushtit 2024. Sipas policisë, 39 vjeçari, resident në Holandë, ka siguruar armët dhe makinat që u përdorën në vrasje, ndërsa i vëllai, Jugerti e ka përkrahur në krim. Dy vëllezërit janë pronarë të disa bizneseve.
Komente










