Dhe nuk është një deklarim suprizues dhe as i kohëve të fundit, por daton nga 21 gusht 2013. Eshtë koha kur shoqëria e tij, e organizuar sipas ligjeve të Kalifornisë (USA), e përfaqësuar nga Jonathan Fleming, banor i Commonwealth Virginia, ka marrë në dorë një marrëveshje 15 vjeçare, të firmosur nga Ridvan Bode, atëhere Ministër i Financave i Qeverisë “Berisha”.
Marrëveshja nuk është se kishte bërë shumë “zhurmë”. Një vendim i Këshillit të Ministrave të Berishës me nr 755, i datës 2.11.2011 i kishte dhënë edhe një “bonus” prej tetë pikësh ‘Rapiscan”-it dhe i kishte ngarkuar të shërbente në Shqipëri për skanimin e konteinerëve dhe të automjeteve të tjera në këtë vend. Procedura e përgjedhjes ka qënë ajo “klasike”: propozim i pakërkuar, sipas nenit 5, pika 3 dhe nenit 23, pika tre, shkronja b) e Ligjit “Për Koncensionet”!
I përmenda këto nene dhe pika të neneve për t’iu kujtuar lexuesve të këtij shkrimi të mund të bëjnë një krahasim për të parë se çfarë mekanizmi “mrekullues” është përdorur për të përfituar kontrata shumëmilionë dollarëve në kurriz të shqiptarëve e të ekonomisë së Shqipërisë…
Por le të mos nxitojmë…
Pas VKM të miratuar në nëntor 2011, qeveria “Berisha” nuk nxitohet të miratojë ligjin nr 123/2013 “Për miratimin e kontratës së koncensionit ndërmjet Ministrisë së Financave si autoritet kontraktues dhe shoqërisë “Rapiscan Security INC”, si koncensionar, për financimin, ngritjen dhe operimin e shërbimit të skanimit të konteinerëve e automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe tarifës së shërbimit të skanimit”. Ligji është miratuar në 24 Prill 2013 dhe është miratuar nga Bujar Nishani, në 2 Maj 2013. Shpejtësi e paparë në miratime ligjore! Vini re dhe bëni krahasime me miratime të tjera, të ligjeve në Kuvend dhe me dekretet e Presidentit…Numërohen me gishtat e njërëz dorë shpejtësi të tilla në miratimin e kontratave koncensionare.
Komisioni i Ekonomisë dhe i Financave e ka diskutuar projektligjin në datën 23.04.2013, nga ora 10:20 deri 11:40, pra rreth një orë, kur në këtë seancë nuk është diskutuar vetëm koncensioni i “Rapiscan”, por edhe është miratuar projekti për marrëveshjen e kredisë mes Shqipërisë dhe një kompanie austriake për projektin “e-Taksation”, projekligji ‘Për sigurimin e detyrueshëm në kujdesin shëndetësor” etj. Pra tre projekligje nga më të rëndësishmit janë kaluar për vetëm 80 minuta(!). Janë miratuar nga Edmond Spaho, Sherefedin Shehu, Selami Xhepa, Adriana Gjonaj, Albana Vokshi, Albert Çaçi, Arben Malaj, Erion Braçe, Ervin Koçi, Ledina Aliolli, Vath Tabaku, Ilir Bejtja, Edison Konomi dhe Gjokë Uldedaj. Ndërkohë që nuk kanë marrë pjesë në mbledhje Igli Cara, Sybi Hida, Lefter Koka, Mesila Doda, Arben Ahmetaj Gjovalin Kadeli dhe Mimi Kodheli.
Për të qënë më konkretë, projektligji për skanimin ka filluar në orën 11:10 dhe ka mbaruar në orën 11:40?! Vetëm 30 minuta!!!
Kanë mbrojtur projektligjet në grup këta përfaqësues: Arjana Dyrmishi – drejtoreshë e Përgjithshme në Ministrinë e Financave; Gentian Opre – drejtor i Borxhit në Ministrinë e Financave, Milbana Treska – përfaqësuese e drejtorisë së Borxhit në Ministrinë e Financave, Renald Rista – përfaqësues i Ministrisë së Financave, Arminda Murrizi – përfaqësuese e Ministrisë së Financave, Qazim Mërlika, zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Nuk po bëj asnjë koment për statusin aktual të këtyre personave, duke ia lënë këtë ta bëjnë vetë lexuesit….
Çfarë është thënë në komisionet e përhershme të Kuvendit?
Në ligjëratë të drejtë: “Arjana Dyrmishi – Projektligji që propozohet sot për shqyrtim dhe miratim në këtë komision ka të bëjë me dhënien me koncesionim të shërbimit të skanimit të kontenierëve dhe mjeteve të tjera që hyjnë dhe dalin në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kompania fituese është kompania Rapiscan, kompani e njohur amerikane. Procedura konkurruese është kryer duke zbatuar të gjitha procedurat dhe etapat e përcaktuara në ligjin “Për koncesionet”.
Ku konsiston ky koncensionim? Në bazë të Kodit Doganor, një ndër funksionet kryesore të administratës doganore është edhe kontrolli. Pjesa e këtij kontrolli doganor, që ka të bëjë me skanimin, koncesionohet. Skanimi do t’u bëhet 100 për qind të gjithë kontenierëve dhe mjeteve që hyjnë minimalisht në pesë pika doganore. Pesë pikat doganore do të përcaktohen nga administrata doganore, bazuar në fluksin vjetor më të lartë ndër 20 pikat doganore të mjeteve që hyjnë dhe dalin në territorin e Republikës së Shqipërisë. Kompania do të paguajë njësi vjetore 2 për qind të totalit të të ardhurave. Çmimi i tarifës së shërbimit për skanimin është i përcaktuar në 39 euro. Koncensionimi do të jetë për një periudhë 15 - vjeçare.
Ky është një projekt koncesionar nëpërmjet të cilit synohen dy elemente kryesore: Njëri element është shmangia e nënraportimeve të deklaratave doganore për efekt të keqklasifikimeve të kodeve, të mallrave, për marrjen e detyrimeve doganore ekzaktësisht për produkte që zhdoganohen. Dhe kjo do të sigurohet nëpërmjet skanimit 100 për qind të këtyre mjeteve. Elementi tjetër kryesor ka të bëjë me parandalimin e kontrabandës, kryesisht të produkteve të akcizës, të lëndëve narkotike, të produkteve të dëmshme, të armëve, të municioneve, etj.
Ndër avantazhet kryesore dhe elementet kryesore të këtij projekti është që kompania ofron nivel të lartë të skanerëve, që do të ofrojë, sepse është vet prodhuese dhe ofruese e këtij lloj shërbimi. Skanerët do të jenë të lëvizshëm dhe të palëvizshëm. Në projekt, bashkë me administratën doganore, është negociuar që në tri pika doganore, ndër pesë që do të vendosen skanerët, ata do të jenë të palëvizshëm, ndërsa në dy pikat e tjera doganore skanerët do të jenë të lëvizshëm, kjo për arsyen se gjatë periudhës 15-vjeçare të zbatimit të këtij koncesioni, në rast se do të vërehet se do të ketë një rritje të fluksit të mjeteve, që do të kalojnë në pikat e tjera doganore. Në bazë të afateve kohore dhe kritereve të përcaktuara në kontratë, administrata doganore i kërkon kompanisë koncesionare që t’i lëvizë këta skanera për një periudhë të caktuar kohe në pikat doganore ku ka një rritje të dukshme të fluksit të mjeteve”.
Ca mendime për “pisllëkun” e koncensionit të rradhës
Koha shumë shpejt do të vërtetojë se ky është një tjetër pisllëk që mban emrin koncension shërbimi. Midis të tjerash edhe sepse rezulton që asnjë nga vendet e Europës nuk e ka të koncesionuar si shërbim. Skanimi nuk është i koncensionuar te një subjekt privat. Shërbimin e skanimit e disponojnë vetë administratat doganore, për shembull, Italia e ka vetë shërbimin e skanimit.
Autoritetet sot deklarojnë se në Shqipëri ka vetëm një skaner, ai është kinez dhe është dhuratë nga një bashkëpunim me këtë qeveri. Por ky skaner nuk punon dhe administrata publike thotë se “kostot e tij janë shumë të larta dhe të papërballueshme”. (?!) Pse u pranua kjo dhuratë? A nuk duheshin marrë që në fillim në konsideratë kostot e shfrytëzimit? Apo kjo lidhet me “skemën” e njohur shqiptare si ajo e skanerave në spitalet publike?
Tjetër. Thonë edhe se mungon stafi i specializuar, i cili nuk dinte të lexonte imazhet që jepte skaneri kinez dhe as të krijonte database-n e tij për të dokumentuar kontrollin!
Po iu tregoj tani se si “u përzgjodh” kompania fituese “Rapiscan Security”
Ministri Bode, sapo “mori” ofertën e kompanisë amerikane, paraqiti një kërkesë për propozime (RFP) në vitin 2012, (“për një zgjidhje përfundimtare me çelësa në dorë”-thuhet në marrëveshjen koncensionare), ngriti një grup pune, i cili i raportoi ministrit se projekti amerikan “ka interes publik.”. Bode kërkoi që për këtë rast të zbatohet ligji i koncensioneve dhe Ministria e Financave do të ishte autoriteti i dhënies së këtij lloj shërbimi.
Bode shpalli procedurat e garës, të cilat i kishte bërë gati më parë kompania “amerikane” Rapiscan Security” (!) Madje kompania “amerikane”, (e cila ka vetëm një projekti të tillë, në Puorto Riko, Meksikë), ka bërë edhe propozimin “për të siguruar shërbimet e përmendura në RFP” dhe Bode pajtoi si ofrues shërbimesh “Rapiscan Security”. Këta të fundit i thanë ministrit të Financave, (që ishte autoriteti i caktuar nga VKM e sipërpërmendur) se “përmes këtij koncensioni do të kemi një rritje prej 15 % të të ardhurave doganore”! Lexoni në Ministrinë e Financave gjithë sa thashë më lart! Çfarë talljeje? Me Boden, me Qeverinë, me Biznesin, me Shqiptarët! 15 % rritje të të ardhurave doganore! Këta anglezët e Crown Agent vetëm 1 % do t’i rrisin të ardhurat dhe do të marrin vetëm 4,25 milionë euro!
Dritëhijet e një marrëveshjeje të pisët!
Sipas praktikës së deritanishme, Shërbimi Doganor Shqiptar nuk ka një tarifë skanimi. Ky proces kryhet mbi bazën e analizës së risku.
Ja si e komenton këtë gjë Qazim Merlika: “Aktualisht ne operojmë me kontrollin fizik, i cili është në nivelin 10%. Domethënë se 10% e të gjithë deklaratave doganore kalojnë në kanal të kuq për një kontroll. Duhet thënë se ka pasur një evoluim nga viti 2006, kur ishte 100% kanali i kuq, pra kontrolli fizik, ndërsa sot nëpërmjet zhvillimit të sistemit të IT-së kemi arritur që me anë të analizës së riskut të kalojmë në 10% kontroll fizik…Ne nuk e dimë sesa mund të jetë numri i deklaratave në vazhdim, por për vitin 2012 bëhet fjalë për rreth 300 mijë deklarata”.
Pyetje tjetër për z. Merlika, (zëvendësdrejtor i përgjithshëm i kohës i DPD): Pse nuk janë vendosur skanerat në të gjitha pikat doganore?
Përgjigje: Normalisht, ky është shërbimi me koston më të lartë që mund të ofrohet për kontrollin nëpër pikat e kalimit kufitar. Është një shërbim shumë i shtrenjtë dhe do të kishte një rritje shumë të madhe të kostos për të gjitha pikat doganore, në qoftë se do të aplikohej. Autoriteti doganor ka rezervuar të drejtën që, në bazë të ndryshimeve të mundshme të fluksit, për shkak të vendosjes së skanerëve në disa pika, të ketë mundësinë që të rialokojë skanerin dhe ta vendosë në një pikë tjetër, ku vihet re rritja e fluksit.
Në lidhje me automjetet e tjera, bëhet fjalë vetëm për skanim të automjeteve që transportojnë mallra. Automjetet e tjera si veturat ose furgonat, që përdoren për transport pasagjerësh, do të skanohen me kërkesë të autoriteteve që kontrollojnë kufijtë pa pagesë. Janë bërë edhe kufizime në bazë të deklaratave dhe do të paguajnë vetëm deklaratat që kanë vlerë mbi 1 mijë euro. Për tranzitet, është parashikuar në dokumente dhe në kontratë që, për një deklaratë, do të paguhet vetëm një herë”. (http://www.parlament.al/web/pub/ekonomia_23_4_2013_13566_1.pdf)
300 mijë deklaratat dhe heshtja e pafalshme e biznesit
Ky projektligj është miratuar në Komisionin e Ekonomisë dhe të Financave, pa asnjë votë KUNDER, por vetëm me dy abstenime. Nuk po i shënoj emrat e votuesve deputetë. Po shënoj vetëm faktin se në Kuvend as që ka pasur ndonjë diskutim për këtë ligj, kur koha në dispozicion të deputetëve të Kuvendit ishte vetëm 24 orë?! Është miratuar një nga koncensionet më të papranueshëm për sipërmarrjen, por edhe për qeverinë dhe Kuvendin, sepse ai nuk sjell asnjë vlerë të shtuar, përveç 2 % e zakonshëm të arkëtuar në thesar nga “Rapiscan Security” ( çudi koncensioni i markimit dhe monitorimit të karburanteve paguante më shumë në shtet!) Sipërmarrësit dhe sidomos përfaqësuesit e tyre të paaftë as që u ndjenë të reagonin ndaj këtij koncensioni.
Si “kofini pas të vjelit” atyre iu erdhi zëri sot, kur është tepër vonë. Për 15 vite, amerikanët e Kalifornisë do të marrin të paktën, sipas deklarimit të tyre, rreth 250 milionë dollarë nga xhepi i importuesve, eksportuesve dhe tranzituesve shqiptarë e të tjerë (sidomos nga Kosova). Numri i deklaratave doganore doemos që do të jetë shumë më i madh se në vitin 2012, kur ka bërë studimin e bëshmërisë vetë “Rapiscan…”! Çdo vit numri i deklaratave doganore rritet dhe në 2029, kur të përfundojë kjo kontratë koncensionare kushedi se sa do të ketë shkuar…
Amerikanët thonë se “të ardhurat aktuale mund të ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme” si dhe se “gjenerimi i të ardhurave është i bazuar mbi volumin e mallrave dhe faktorëve të tjerë”. Ndërsa shumë më i drejpërdrejtë është President ii “Rapiscan Sistems”, Ajay Mehra, që deklaron se " iniciativa e qeverisë shqiptare për të siguruar portet e saj dhe kalimet kufitare tokësore përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në fushën e inspektimit të sigurisë . Ne jemi krenarë që jemi zgjedhur për të ekzekutuar këtë program kritik...”
Këta vërtet janë krenarë, por, duke filluar nga prilli i këtij viti, ne jemi më shumë: edhe krenarë, edhe të …
Shkrimi u publikua sot (01.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)