EKSKLUZIVE/ Soreca në Report TV: Për të mposhtur krimin në Shqipëri duhet t'i goditet pasuria, Kushtetuesja, e Larta e SPAK gati në dhjetor

TIRANE - Ecuria e Shqipërisë dhe e Maqedonisë së Veriut duhet të mbetet një përparësi për të gjithë, pavarësisht shtyrjes së hapjes së negociatave, dhe rëndësia që kanë të dy vendet për Brukselin është dëshmuar edhe nga koha, e cila iu është kushtuar atyre gjatë mbledhjes së Këshillit Evropian, kur ishin në axhendë edhe tema të tjera shumë të rëndësishme, duke filluar nga Brexit-i, por është e domosdoshme që Shqipëria të vazhdoje detyrat e saj të shtëpisë. Kështu tha ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Luigi Soreca, gjatë një interviste ekskluzive dhënë gazetarit Carlo Bollino për Report TV. Soreca flet për herë të parë pas vendimit të së premtes, kur, për shkak të vetos franceze, u shty ndoshta për në muajin maj 2020 hapja e negociatave.   

Soreca foli për hapat e ardhshme që duhet të ndërmarrë Shqipëria, duke filluar nga reforma elektorale, e kërkuar edhe nga Bundestag-u gjerman. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se brenda dhjetorit do të miratohet faza e parë e reformës elektorale sipas sugjerimeve të OSBE-ODIHR. Në këtë fazë të pare, Rama nuk e konsideron të domosdoshme praninë e opozitës ekstraparlamentare, sepse thotë që kërkesat janë të shkruara.

Soreca shtoi më pas se Bashkimi Evropian nuk do të drejtojë një tryezë negociatash mes mazhorancës dhe opozitës për të realizuar reformën elektorale siç kërkon Partia Demokratike e Lulzim Bashës dhe kërkon që të mos ketë asnjë parakusht për dialogun. 

Gjatë intervistës, ambasadori Luigi Soreca shpjegoi se lufta kundër korrupsionit, si dhe kundër krimit të organizuar, natyrisht kërkon impenjimin e magjistraturës dhe të SPAK-ut, por duhet të ketë edhe pjesëmarrjen e qytetarëve. Ndërsa, lidhur me problemin se nuk fuksionojnë Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë pasi gjyqtarët përjashtohen nga vetting-u, ambasadori u shpreh i bindur se pikërisht kjo konfirmon se vetting-u ishte i domosdoshëm.  

Soreca foli gjithashtu edhe për problemin e mediave dhe të paketës anti-shpifje të paraqitur nga qeveria. Ambasadori tha se qeveria ka treguar se ka pranuar vetëm disa nga objeksionet e paraqitura nga komuniteti ndërkombëtar, ndërkohë që pika të tjera të projektligjit ende duhet të korrigjohen. Sipas Bashkimit Evropian, zgjidhja për fake news-et duhet të realizohet me vetërregullimin e shtypit dhe jo me imponime qeveritare.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:23
Soreca: Të luftohet pasuria e krimit të organizuar! Strukturë në Shqipëri për hetime financiare

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca thotë se për të luftuar krimin e organizuar duhen luftuar edhe pasuria e vënë në mënyrë të kundraligjshme. Në intervistën ekskluzive për gazetarin Carlo Bollino, kryediplomati i BE-së, flet për projektin e BE-së me disa vende anëtarë për të trajnuar forca policore për hetime financiare ndaj grupeve kriminale.

"Do të kishim iluzione në rast se do të mendonim që SPAK-u në vetvete dhe i vetëm, do të sillte të gjitha rezultatet e duhura që do të duheshin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por do të duhen rezultate nga i gjithë Gjyqësori për të ndryshuar mendësinë dhe për të filluar goditjen e krimit të organizuar në rajone, në vende të caktuara, në nivel kombëtar dhe në bashkëpunimet ndërkombëtare, si edhe për luftën kundër korrupsionit. Arsyeja se përse krimi i organizuar ekziston është që të arrijë të ketë fitime dhe në rast se nuk goditen fitimet që ka krijuar, pra asetet që ka krijuar krimi i organizuar, me anën e disa instrumenteve ligjore por edhe masave parandaluese, të cilat mund të përfshijnë edhe masa të reja, mendoj se pa këto nuk do të ketë zhvillime afatgjata, të qëndrueshme dhe ecuri apo progres në luftën kundër këtyre dy fenomeneve", tha Soreca.

Carlo Bollino: Në mos gaboj, keni një projekt të Bashkimit Evropian bashkë me disa vende anëtare, për të trajnuar forca policore për hetimet financiare.

Soreca: Po, sigurisht që po. Në mënyrë absolute kjo është pjesë e mbështetjes sonë, pra jo vetëm në aspektin financiar, por edhe me anën e asistencës teknike, jo vetëm për Ministrinë e Drejtësisë por edhe për Ministrinë e Brendshme. Por është e rëndësishme edhe që të ketë bashkëpunim dypalësh, me anën e oficerëve të kontaktit dhe me ata oficerë kontakti dhe me ata ekspertë që janë në ministri.

Ora 21:58
Soreca flet si shqiptar: Kam takuar njerëz me zemër të madhe! E ardhmja europiane, objektivi im

Si një qytetar që jeton prej më se një viti në Tiranë, i zhveshur nga "pektu" i ambasadorit, Soreca ka treguar eksperiencën e tij në Shqipëri dhe me shqiptarët. Në intervistën ekskluzive për Report Tv përballë gazetarit Carlo Bollino, Soreca u shpreh se ka vizituar shumë vende të mrekullueshme, ka takuar njerëz me zemër shumë të madhe e ndërsa në fund ka një mesazh për to: Të mos heqin dorë nga ëndrra Europiane, sepse shumë shpejt do të bëhet realitet.

"Është e vërtetë ajo që thatë, që kam pak më shumë se një vit që jetoj në Tiranë, por unë kam vizituar vende të ndryshme të Shqipërisë, pavarësisht se jetoj në Tiranë. Ky ka qenë një objektiv i imi shumë i rëndësishëm për të njohur shqiptarët dhe prandaj takohem me qytetarët shqiptarë kudo që shkoj. Pra, kam takuar njerëz që kanë një zemër shumë të madhe, njerëz të ngrohtë që kanë një inteligjencë shumë të madhe. Kam takuar studentë shqiptarë, të rinj shqiptarë që më kanë befasuar, më kanë gëzuar me potencialin e tyre. Dhe kjo është edhe gjëja më e rëndësishme për mua. Pra ne duhet të bëjmë të pamundurën që brezi i ri dhe më të rinjtë në Shqipëri, në një vend ku 30% e popullsisë është nën moshën 30 vjeç, dhe 25% është nën moshën 20 vjeç, që këta të rinj të mos humbin këndvështrimin e tyre për të ardhmen, por të kenë besim te vendi i tyre, të kenë besim te Shqipëria, por të kenë besim edhe te BE-ja. Dhe kjo është arsye sepse sot, pas një momenti të vështirë që patëm javën e shkuar, mesazhi im për qytetarët shqiptarë është që ata të vazhdojnë të kenë besim te perspektiva, tek e ardhmja evropiane. Mos hiqni dorë. Puna do të vazhdojë dhe unë jam besimplotë që në rast se kjo lloj ecurie dhe progresi vazhdon, përparimi të ecë në Shqipëri, një ditë, më shpejt se sa vonë, ky këndvështrim dhe kjo perspektivë, kjo e ardhme do të bëhet realitet. Dhe ky është edhe objektivi i të gjithë punës sime në Shqipëri. Shumë faleminderit!", përfundoi Soreca në Report Tv.

Ora 21:32
Soreca në Report TV: Në fund të vitit do të jenë gati Kushtetuesja, e Larta dhe SPAK-u

Gjatë intervistës për Report Tv, ambasadori Luigi Soreca shpjegoi se lufta kundër korrupsionit, si dhe kundër krimit të organizuar, natyrisht kërkon impenjimin e magjistraturës dhe të SPAK-ut, por duhet të ketë edhe pjesëmarrjen e qytetarëve.

"Lufta kundër korrupsionit nuk mund të kryhet vetëm nga Gjyqësori. Gjyqësori i vetëm nuk mund ta kryejë këtë gjë, pasi është detyrë e çdo qytetari, e çdo institucioni, e çdo gazetari madje, e çdo përfaqësuesi të shoqërisë civile të kuptojë që vetëm duke i vënë në pah këto gjëra, do të kthehet besimi i qytetarëve tek institucionet. Vetëm duke luftuar pra korrupsionin do të ndodhë kjo gjë", tha Soreca

Ndërsa, lidhur me problemin se nuk fuksionojnë Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë pasi gjyqtarët përjashtohen nga vetting-u, ambasadori u shpreh i bindur se pikërisht kjo konfirmon se vetting-u ishte i domosdoshëm.  

"Ne natyrisht e ndjekim punën e këshillave, të Këshillit të lartë të Gjyqësorit dhe të atij të Prokurorisë, dhe e kuptojmë që po arrijmë shumë afër mundësisë që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të ketë kandidatë që të kenë kaluar plotësisht Vetting-un për të lançuar SPAK-un, që kemi 8, dhe që në momentin që do të kenë 10 anëtarë ata, kjo është e mundur. Me sa kemi kuptuar kjo do të ndodhë deri përpara fundit të vitit. Gjykata Kushtetuese pas emërimit të dytë, kemi pra edhe vakanca të tjera të cilat mund të mbushen deri në mes të muajit nëntor, në saje të dispozitave të Kushtetutës që lejojnë një periudhë kohore prej 30 ditësh në rast se nuk do të ketë vendim dhe kjo bën që Gjykata Kushtetuese të funksionojë pothuajse në të gjitha funksionet e saj deri në fund të vitit. Me ç’kemi kuptuar për Gjykatën e Lartë, Këshilli i Lartë Gjyqësor do të ketë mundësi që të vlerësojë grupin e parë të gjyqtarëve, që do të bëjë pastaj që të funksionojë edhe Gjykata. Dhe sërish kjo deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit që vjen. Pra, po arrijmë atë nivel i cili do të bëjë të mundur funksionimin e gjykatave dhe këtë po kërkon Bashkimi Evropian, këtë po kërkon edhe Bundestagu dhe është e rëndësishme që kjo të ndodhë në mënyrë paralele me vazhdimësinë e punës në Bashkimin Evropian për Samitin e Zagrebit në maj", tha Soreca.

Ora 21:31
Soreca: Koha të dënohen politikanët që shkelin ligjin dhe gjyqtarë që s'kalojnë Vettingun!

Ka ardhur koha që të dënohen politikanët që shelin ligjin dhe gjyqtarë e prokurorë që s'kalojnë Vettingun! Kështu u shpreh ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca në një intervistë ekskluzive për Report Tv.

"Mënyra se si e shoh unë deklaratën e Bundestagut, e shoh si një stimul për Gjyqësorin jo për anën politike, pra një mbështetje politike për ta motivuar Gjyqësorin ose për t’i motivuar ata magjistratë, të cilët kanë tashmë fuqinë, pushtetin, mandatin që të fillojnë hetime. Pra nuk duhet të jetë në nivel politik kjo gjë, që t’u jepet urdhër magjistratëve që të fillojnë një veprim të caktuar. Ata e kanë këtë mandat dhe duhet ta ndiejnë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar, që tashmë ka ardhur koha që të fillohen hetime, ndjekje penale dhe më pas të arrihet në dënime në gjykata kundër atyre zyrtarëve të nivelit të lartë, përfshirë edhe kundër politikanëve që kanë shkelur ligjin dhe, më lejoni të them, edhe kundër vetë atyre magjistratëve, anëtarëve të Gjyqësorit, që janë hequr nga Vetting-u për mungesë integriteti. Pra duhet të ketë hetime edhe aty dhe për këtë arsye, unë e shoh deklaratën e Bundestagut si kundrejt Gjyqësorit dhe jo politikanëve, jo për politikanët që do të ndërhyjnë në Gjyqësor, por që Gjyqësori të kuptojë që, me mbështetjen jo vetëm të Bundestagut por edhe të të gjithë komunitetit ndërkombëtar, ta marrë në dorë këtë sfidë e të fillojë hetime kundër politikanëve më të lartë ose zyrtarëve më të lartë", u shpreh Soreca.

Ora 21:31
Fake News/ Soreca: Mediat të vetërregullohen, të mos 'presin' nga qeveria

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca foli gjithashtu edhe për problemin e mediave dhe të paketës anti-shpifje të paraqitur nga qeveria. Ambasadori tha se qeveria ka treguar se ka pranuar vetëm disa nga objeksionet e paraqitura nga komuniteti ndërkombëtar, ndërkohë që pika të tjera të projektligjit ende duhet të korrigjohen. Sipas Bashkimit Evropian, zgjidhja për fake neës-et duhet të realizohet me vetë-rregullimin e shtypit dhe jo me imponime qeveritare.

"Ndërsa për sa i përket ligjit, pra kësaj pakete të ligjit për median, ne kemi ndërhyrë tashmë dy herë te qeveria për këtë çështje. Një herë, vitin e shkuar, kur ne bëmë një kontroll të përputhshmërisë së projektligjit me direktivën e BE-së dhe në veçantë me atë direktivë që ka të bëjë me aspektin online dhe, së dyti, përputhshmëria me konventat e BE-së për lirinë e shprehjes së fjalës. Dhe ajo që kemi kuptuar është që teksti është në përputhje me pjesën e parë, por ama kemi shqetësime për pjesën e dytë, për lirinë e fjalës. Dhe ia kemi thënë këtë qeverisë, e kemi shprehur edhe në komunitetin e medias, pasi është e rëndësishme që ky komunitet të jetë i përfshirë, të konsultohet për këtë ligj dhe cilat janë shqetësimet tona. Dhe në fakt, shqetësimi është që rregullimi i lirisë së fjalës dhe i shprehjes të mund të bëhet, mund të tejkalohet pra kjo gjë. Ne në Bashkimin Evropian kemi qasjen e vetërregullimit, p.sh. fake neës dhe keqinformimi. Fake neës është gjë e keqe, keqinformimi është gjë e keqe jo vetëm për gazetarët, por edhe për shoqërinë në përgjithësi. Por në Bashkimin Evropian kjo rregullohet me anën e vetërregullimit online nga vetë media. Prandaj është e rëndësishme që media të jetë e përfshirë dhe të shpjegohet ndikimi që ka fake neës te vetë pavarësia e tyre.

Në raportin e Komisionit Evropian ne e kemi identifikuar gjithnjë këtë çështje si çështje kyçe. Pronësia e medieve, financimi i medieve dhe reklamat publike. Pra, financimi i medieve është i rëndësishëm dhe në veçanti në këtë moment, për të siguruar pavarësinë e medieve dhe, ashtu siç e thatë edhe ju, në këtë moment në veçanti, kur shikojmë këtë shumëfishim të fake neës-it dhe influencën potenciale të shteteve të treta. Do të vazhdojmë të themi atë që kemi thënë edhe në të shkuarën. Së pari, për pronësinë e medieve, për atë kufizim për operatorët kombëtarë, kjo duhet të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare. Për sa u përket reklamave publike edhe kjo duhet të jetë në përputhje me praktikat ndërkombëtare për të siguruar transparencën, e po ashtu edhe për vetërregullimin për mediet online. Ne për këtë gjë, besojmë që duhet t’u besojmë medieve që do të vetërregullohen duke shmangur një vetërregullim tejet të rreptë", tha Soreca.

Ora 21:20
Zgjedhorja kusht i Bundestagut/ Soreca: Miratoni urgjent rekomandimet e OSBE, sistemin nuk jua zgjedh Gjermania

Ambasadori i BE-së Luigi Soreca, në intervistën për Report TV, foli për hapat e ardhshme që duhet të ndërmarrë Shqipëria, duke filluar nga reforma elektorale, e kërkuar edhe nga Bundestag-u gjerman. Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se brenda dhjetorit do të miratohet faza e parë e reformës elektorale sipas sugjerimeve të OSBE-ODIHR. Në këtë fazë të pare, Rama nuk e konsideron të domosdoshme praninë e opozitës ekstraparlamentare, sepse thotë që kërkesat janë të shkruara. Kryediplomati i BE-së thotë se urgjente dhe e domosdoshme është vënia në zbatim e rekomandimeve të OSBE.

"Edhe Gjermania, nuk mund të zgjedhë për Shqipërinë se cilin, p.sh., sistem zgjedhor dëshiron Shqipëria që të përdorë në të ardhmen. Kështu që, sido që të jetë rasti, ne nuk mund të vëmë si zgjedhje p.sh., se çfarë sistemi zgjedhor do të zgjedhë Shqipëria ose aktorët politikë në Shqipëri. Kështu që për ne, ajo që është urgjente dhe e domosdoshme, është vënia në zbatim i rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it, siç është thënë në përfundimet e Këshillit të BE-së, në vitin 2018. Në rast se në Shqipëri vendoset që të hyhet në diskutime për një sistem të ardhshëm, këtë e kanë në dorë natyrisht partitë politike shqiptare. Ne e kuptojmë që ka disa limite të caktuara, disa kufij, p.sh. kohorë, sepse OSBE-ODIHR-i flet për një vit përpara zgjedhjeve të ardhshme për ndryshimin e sistemeve zgjedhore, në përgjithësi në parlamentet e veta, por ne e kuptojmë edhe vullnetin politik të atyre anëtarëve që do të donin të shikonin një sistem tjetër zgjedhor", tha Soreca.

Soreca shtoi më pas se Bashkimi Evropian nuk do të drejtojë një tryezë negociatash mes mazhorancës dhe opozitës për të realizuar reformën elektorale siç kërkon Partia Demokratike e Lulzim Bashës dhe kërkon që të mos ketë asnjë parakusht për dialogun. 

"Ne jemi të mendimit që kjo nuk është në dorën e komunitetit ndërkombëtar dhe natyrisht aspak në atë të BE-së, që të jemi në krye të një tryeze të rrumbullakët, p.sh., për sistem zgjedhor. Por ne mund të mbështesim financiarisht dhe teknikisht të dyja palët, duke dhënë asistencë teknike, por edhe mbështetje politike dhe jemi më se të gatshëm ta bëjmë këtë gjë, por që të jemi në një tryezë për të moderuar ose për të ndërmjetësuar siç është thënë në fakt edhe nga kolegë të tjerë të komunitetit ndërkombëtar, kjo duhet të jetë prerogativë e autoriteteve shqiptare", tha Soreca. Ai thotë se është e vështirë të diskutosh në ndërmjetësim kur ka parakushte.

"Thirrja që bëjmë ne edhe një herë, është për të gjitha palët politike që të ngrihen mbi këtë qasje të parakushteve, të ulen së bashku. Ka detyra shtëpie të cilat duhen kryer, duhen përmbushur. Ne do të vazhdojmë që t’i inkurajojmë të gjithë që të ngrihen mbi ndasitë dhe të angazhohen në një dialog konstruktiv, duke pasur parasysh pikën tjetër të takimit në maj 2020", u shpreh ambasadori i BE-së.

Ora 21:17
Soreca: Ka rrezik për 'rindezje' të tensionit politik, por duhet bashkim kombëtar për negociatat

Ekziston një rrezik që klima politike në Shqipëri të rindizet pas JO-së së negociatave, thotë ambasadori i BE-së, Luigi Soreca. Por ai shton se tashmë është nevoja për bashkim kombëtar nga të gjitha palët, duke pasur prioritet vetëm integrimin.

"Ekziston një rrezik, por unë mendoj që mesazhi ynë duhet të jetë që puna të vazhdojë. Siç e thashë edhe më parë, ka pasur detyra shtëpie për të bërë përpara të premtes dhe ka ende detyra shtëpie për të bërë, gjëra që janë identifikuar fare qartë në përfundimet e Këshillit të BE-së që në vitin 2018 dhe që mbeten detyrat e shtëpisë që duhet të bëjë Shqipëria. Unë i kam mirëpritur deklaratat që janë bërë, jo vetëm nga kryeministri, por edhe nga udhëheqësi i opozitës, zoti Lulzim Basha, menjëherë pas mosvendimit të së premtes, pikërisht që fjalët u përqendruan te detyrat e shtëpisë. Pra, ka shumë për të bërë. Ekziston nevoja për bashkim kombëtar nga të gjitha palët. Të gjitha palët duhet që të kenë parasysh objektivin primar, parësor të Shqipërisë, i cili është pra, anëtarësimi në BE duke iu përgjigjur kështu kërkesës së vetë qytetarëve shqiptarë. Dhe besoj që të gjithë biem dakord dhe jam i kënaqur që shoh që të dyja palët, të dy kahet politike kanë rikonfirmuar përkushtimin e tyre ndaj integrimit në BE dhe besoj që këto fjalë tashmë do të përkthehen në vepra, në një plan veprimi për të gjitha ato gjëra që duhen arritur, që duhen kryer për të kaluar te rendez-vous-ja e radhës në maj", tha Soreca.

Ora 21:16
Soreca: Ridiskutimet për negociatat në 'dorë' të Kroacisë, shteti më i ri i rajonit në BE

Ambasadori i Bashkimit Europian, Luigi Soreca i sheh si shpresë dhënëse ridikutimet për Samitin e Ballkanit Perëndimor në Zagreb për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në maj të vitit 2020. Për Soreca-n, pritet të ketë një "frymë" të re në këtë samit, i cili do të diskutohet në Kroaci, një vend nga rajoni dhe në fakt është shteti anëtar më i ri i Bashkimit Evropian.

Bollino: Kryeministri italian Konte deklaroi se Italia do ta ripropozojë çështjen për hapjen e negociatave në Këshillin e ardhshëm për çështje të përgjithshme, i parashikuar në nëntor. Cili do të jetë rasti tjetër, sipas jush, për ta ridiskutuar konkretisht hapjen e negociatave?

Soreca: Mendoj që është shumë e rëndësishme kjo gjë, pra ajo që bëri kryeministri Konte sepse kjo ka të bëjë edhe me vazhdimësinë e punës. Nuk pati vendim pra të enjten në darkë ose të premten në mëngjes. Pra ishte një e premte e vështirë, të paktën për ne dhe për qytetarët shqiptarë, për të gjithë në fakt. Por kjo është vazhdimësia e punës dhe ky mesazh është shumë i rëndësishëm. Dhe për këtë arsye, nga të dyja palët puna duhet të vazhdojë. E thashë më parë këtë për autoritetet shqiptare, por e njëjta gjë vlen edhe për Bashkimin Evropian. Pra, përfundimet e Këshillit përmendën majin e vitit 2020, për Samitin e Ballkanit Perëndimor në Zagreb, me presidencën kroate të Këshillit, e cila meqë ra fjala, është një element shumë i rëndësishëm që kemi një vend nga rajoni dhe në fakt është shteti anëtar më i ri i Bashkimit Evropian, i cili do të jetë në krye të Këshillit Evropian dhe do të organizojë këtë samit. Pra ne shpresojmë që kjo çështje do të dalë edhe më herët, pasi përgatitja e diskutimeve, siç e kemi parë, pra këto diskutime që janë të vështira, është e rëndësishme që sa më shpejt që të fillojë Këshilli t’i fillojë diskutimet, aq më mirë do të jetë.

Komisioni Evropian në fakt ka filluar tashmë punën dhe po punon për këtë çështje dhe i gjithë Bashkimi Evropian, për t’u siguruar që kjo agjendë dhe kjo pikë të qëndrojë në rendin e ditës së punës së BE-së dhe të jetë pjesë e punës së BE-së përpara majit 2020 dhe kjo dosje të rikthehet në tryezë.

Ora 21:10
JO-ja e negociatave rrezik afrimi me Rusinë dhe Kinën?! Soreca: Bashkimin Evropian, Shqipëria e ka në krah!

Ambasadori i Bashkimi Evropian, Luigi Soreca, thotë se në intervistën për gazetarin Carlo Bollino se vetë ai personalisht do të bëjë çmos që pas mungesës së vendimit për negociatat, shqiptarët të mos ndjejnë që janë larg Evropës. I pyetur nëse ka rrezik për një afrim me vende si Rusia, e Kina, Soreca përgjigjet:

"Qytetarët shqiptarë dëshiroj t’i risiguroj që integrimi i Shqipërisë në BE dhe ndoshta ribashkimi i Shqipërisë me familjen evropiane është pjesë e agjendës së BE-së. Dhe ne do të bëjmë gjithçka që është e nevojshme, dhe unë personalisht këtu në Tiranë, që çdo qytetar shqiptar jo vetëm ta dijë këtë gjë, por edhe ta ndiejë që Bashkimin Evropian Shqipëria e ka afër, e ka në krah dhe që kjo gjë do të vazhdojë derisa Shqipëria të bëhet shtet anëtar", u shpreh kryediplomati i BE-së.

Carlo Bollino: Kjo historia e negociatave po, negociatave jo, duket pragu i një martese kur një nga bashkëshortët është gati që të martohet me çdo kusht dhe tjetri e shtyn vazhdimisht. A nuk është e vërtetë që në realitet adoptimi i standardeve evropiane nga ana e vendeve kandidate, i shërben edhe vendeve të Bashkimit Evropian?

Soreca: Sigurisht, sigurisht. Pra, ribashkimi i Shqipërisë me familjen evropiane është në interesin e përbashkët, si të Shqipërisë ashtu edhe të Bashkimit Evropian. dhe kjo është përsëritur ngaherë nga udhëheqësit evropianë, që anëtarësimi i Shqipërisë në BE është në interes, në fakt, edhe të Bashkimit Evropian, jo vetëm për arsye ekonomike, por edhe për arsye të stabilitetit, të sigurisë, por edhe për arsye gjeopolitike. Shqipëria i përket Bashkimit Evropian, i përket familjes evropiane dhe duhet të hyjë në shtëpinë e BE-së sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi kjo gjë do të sjellë më shumë stabilitet, më shumë siguri, më shumë begati ekonomike, jo vetëm për Shqipërinë por edhe për BE-në. Shqipëria është pjesë jo vetëm gjeografikisht, por edhe historikisht e Evropës dhe duhet të bëhet shtet anëtar i BE-së, tani.

Ora 21:06
Soreca në Report Tv: Azilkërkuesit të mbahen nën kontroll, por jo kriter për çeljen e negociatave

Fenomeni i azilkërkuesve duhet të mbahet në kontroll, dhe për këtë duhet të ketë një bashkëpunim mes Shqipërisë dhe Francës, tha ambasadori i BE-së, Luigi Soreca në intervistën për Report Tv. Ai zbuloi se është hartuar një plan veprimi ndërmjet të dy vendeve, i cili parashikon shkëmbimin e informacionit dhe shkëmbimin e oficerëve të kontaktit. Kryediplomati thotë se azilkërkuesit nuk janë një kriter mbi të cilin do të vlerësohen shqiptarët për çeljen e negociatave.

"Në vitin 2018, pra ka pasur një rënie prej 27% të kërkesave për azil në Francë në krahasim me vitin e mëparshëm 2017. Por në fillim të këtij viti, në gjysmën e parë të këtij viti, në krahasim me gjysmën e parë të vitit 2018, ka pasur një rritje të vogël të shifrave. Kjo do të thotë që fenomeni duhet të mbahet në kontroll, të shikohet dhe duhet të ketë një bashkëpunim të plotë ndërmjet autoriteteve shqiptare dhe atyre franceze. Dhe në fakt, është hartuar një plan veprimi ndërmjet të dy vendeve, i cili parashikon shkëmbimin e informacionit dhe shkëmbimin e oficerëve të kontaktit, si edhe një marrëveshje ripranimi që është shumë efikase, që do të thotë që të gjithë qytetarët shqiptarë, të cilëve nuk u jepet azil në Francë, të kthehen në Shqipëri menjëherë. Ndërsa për pyetjen që bëtë në lidhje me paragjykimet, nuk jam dakord. Nuk ka paragjykim të asnjë lloji për sa i përket Shqipërisë apo për sa u përket shqiptarëve. Pra ky nuk është kriter, sipas të cilit do të vlerësohen shqiptarët për çeljen e negociatave. As p.sh. feja, besimi apo etnia", tha Soreca.

Ora 21:04
Raporte të 'manipuluara' të KE-së për Shqipërinë?! Soreca rrëzon opozitën

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, tha përballë gazetarit Carlo Bollino se raportet teknike të Komisionit Evropian për gjendjen në Shqipëri, janë objektive, dhe jo siç opozita shqiptare akuzon.

Carlo Bollino: Opozita thotë se raportet teknike të Komisionit Evropian zbukurojnë realitetin, ndërkohë që niveli politik i perfaqesura nga Këshilli Evropian pastaj rrëzon propozimin e Komisionit. Pra, vërtet raportin tuaj teknik e keni përdorur për të zbukuruar realitetin mbi gjendjen reale në Shqipëri?

Soreca: Procesi që çon në miratimin e raporteve vjetore të Komisionit Evropian është shumë i gjatë. Zakonisht miratohet p.sh., në muajin maj të një viti të caktuar, por puna fillon që në nëntorin e vitit pararendës. Dhe fillon këtu në Tiranë me punën e përbashkët apo kolektive që bëhet si nga qeveria, e cila i jep delegacionit të Bashkimit Evropian kontributet e veta, nga shoqëria civile që bën të njëjtën gjë dhe nga shtetet anëtare në Tiranë. Dhe më pas ky raport dërgohet në Bruksel, ku organizohet edhe një raund i dytë i konsultimeve me të gjitha këto palë të interesuara apo aktorë. Pra, është një proces i gjatë, në të cilin janë të përfshirë shumë aktorë dhe më pas Komisioni Evropian merr vendimin e vet për raportin.

Unë e kuptoj që udhëheqësit politikë, në mënyrë të pavitueshme, kanë leximin e tyre politik të një raporti që është shumë i gjatë, që është shumë teknik në disa pjesë të vetat dhe udhëheqësit duhet të shikojnë pra, këndin politik të këtij raporti. Ashtu siç e pamë edhe të enjten, udhëheqësit nuk i panë hollësitë, detajet e raportit, por patën diskutime shumë politike për vlerën politike të çeljes së negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut, si edhe për rolin më të madh e më të gjerë që ka politika e zgjerimit brenda për brenda Bashkimit Evropian. Pra, ka dy nivele. Ndaj është e rëndësishme që niveli politik të marrë përgjegjësitë politike të vendimit.

Carlo Bollino: Pra ju e gjykkoni raportin tuaj teknik objektiv dhe jo subjektiv, siç mendon politika.

Soreca: Sigurisht.

Ora 20:59
Soreca: Udhëheqësit evropianë 5 orë diskutime për Shqipërinë...I zhgënjyer që nuk u hapën negociatat

Në intervistën ekskluzive për Report Tv me gazetarin Carlo Bollino, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Luigi Soreca, thotë se në disktuimet e Këshillit Evropian që zgjatën deri në 3 të mëngjesit, shumica dërrmuese e shteteve anëtarë, ishin pro që të çeleshin negociatat me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por për shkak të vetos franceze, ky vendim u shty ndoshta për në muajin maj 2020.  Ai shprehet i zhgënjyer për këtë vendim.

"Më lejoni të them që në nivel personal edhe unë jam i zhgënjyer. Jam i zhgënjyer për arsye sepse kam punuar shumë, kam punuar fort për Shqipërinë, jo vetëm në të shkuarën, si p.sh. për liberalizimin e vizave dhe jam krenar që kam pasur mundësinë që ky hap i rëndësishëm të arrihej dhe të përfundoja edhe unë punën time në këtë aspekt. Por tani jemi në një moment të rëndësishëm, në një fazë të rëndësishme dhe më lejoni që me pak fjalë të shpjegoj pra, që kemi pasur liderët, udhëheqësit evropianë që kanë diskutuar për rreth 5 orë, në një ditë kur agjenda e tyre ishte plot me çështje të rëndësishme, si p.sh. Brexit-i, apo ndryshimet klimatike. Pra, për 5 orë ata kanë diskutuar çështjen e zgjerimit dhe çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut. Dhe kjo tregon qartë se sa e rëndësishme është kjo çështje për BE-në dhe natyrisht, edhe për këto dy shtete, të cilat janë shtete shumë të rëndësishme për BE-në dhe do të vazhdojnë të jenë të tilla", tha Soreca, duke shtuar se Shqipëria duhet të vijojë me detyrat e shtëpia.

/xy/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gjyshi: 23/10/2019 15:10

    Po kur se u plakem

    Përgjigju
  • Arbëri: 23/10/2019 12:24

    BASHKIMI KOMBËTAR DO NDODHË KUR SPAK DHE BKH DO JENË NË FUNKCION TË PLOT, ATËHER KUR TË KORRUPTUARIT DHE TRADHËTERËT E SHITUR DO JEN PRAPA HEKURAVE ...!!!

    Përgjigju
  • YYY: 23/10/2019 08:44

    Sa mire komunikojne dy te huaj per hallet tona! Objektiv, te qarte, te drejtperdrejte, te vertete. Miq te mire qe fati apo detyra e solli te merren me xhunglen tone. Mirenjohje per ju!

    Përgjigju
  • mira: 22/10/2019 23:32

    Zoti Soreca mos u dorezoni sepse shqiptaret e meritojne vertete.Ju jeni mik i Shqiperise dhe shqiptareve dhe kjo kuptohet ne cdo deklarate tuajen.

    Përgjigju
  • Faik: 22/10/2019 22:48

    SUPER BOLLINO dhe SUPER SORECA !!! Të DY BRILANTË dhe të SHKËLQYER !!! RESPEKTE RESPEKTE RESPEKTE për të DY këta BURRA të NDERUAR dhe të RESPEKTUAR

    Përgjigju
  • klodi: 22/10/2019 17:12

    Do ta ndjek me vemendje. Dy njerezit qe e duan me zemer progresin e Shqiperise

    Përgjigju
    • Studenti 91: 23/10/2019 10:23

      Një Bravo të madhe të dyve, e kam dëgjuar shpesh herë ambassador in Soreca, një person brillant, vjen nga shkolla e magjistratëve Falcone e Borsellino, heronj të vërtetë që lufuan mafien, një njeri që edhe në aspektin njerëzor duket që e ka për zemër Shqipërinë dhe shqiptarët, dy miq të vërtetë në xhunglën e politikës shqiptare.

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Avokati që kallëzoi Këlliçin në SPAK: Dënohet deri në 6 vite burg, ka prova që falsifikoi diplomën e s'deklaroi pasurinë! Mohoi edhe gruan

Avokati që kallëzoi Këlliçin në SPAK: Dënohet deri në 6 vite burg, ka prova që falsifikoi diplomën e s'deklaroi pasurinë! Mohoi edhe gruan