Sherkani, Princi dhe Pantera, tre tigrat siberianë në kopshtin zoologjik të Tiranës, mundohen të përballojnë të nxehtin e këtyre ditëve, mes hijeve të pemëve. Ata ecin përtueshëm nën hije, rrëzë pemëve pranë ujit dhe herë pas here zhyten në pishinat e dedikuara për ta.

“Të dy hapësirat e tigrave kanë pishina me të paktën 6 mijë litra ujë. Mund të shihen aktivitetet e tyre, si Sherkani, Princi apo Pantera, duke notuar gjatë gjithë vitit. Këto kafshë kanë ardhur me garancinë e shoqatave të huaja të cilët kanë ardhur, kanë parë hapësirat tona, të cilat plotësojnë të gjitha kushtet.”, thotë veterineri Ariel Vasili.

Temperaturat e larta, kërkojnë një kujdes të shtuar, jo vetëm për ta, por dhe për kafshët e tjera.

“Sfida më e madhe për ne është që të kemi mundësi, që në këto periudha të ngrohta me temperatura tepër të larta të kemi mundësi të japim kujdesin adekuat për të gjithë individët që janë pjesë e koleksionit tonë.”

Sprucatorët e ujit në këtë periudhë nuk shërbejnë vetëm për mjediset e gjelbërta, por dhe për të freskuar mjedisin brenda kopshtit. Uji që shpërndahet në ajër dhe mbi bar u vjen në ndihmë në këto temperatura të larta. 

Pjesë e kafshëve të Kopshtit Zoologjik dhe tre arinj, mbi 20 vjeç. Mes tyre edhe Xhina, që ka qenë dikur ariu i cirkut të Tiranës dhe që në dhjetor bën 30 vjeç.

Edhe këta arinj kanë mundësinë të zgjedhin vetë nëse duan të qëndrojnë jashtë apo në ambientet e brendshme. Kur temperaturat kalojnë 25 gradë, dhomat e tyre të brendshme qëndrojnë të hapura.

“Një pjesë e ankesave që ne marrim nga vizitorët është fakti që ku janë arinjtë gjatë orarit të drekës dhe ata janë gjithmonë brenda, kuptohet. Ne kemi zgjedhur midis kërkesave të vizitorëve dhe mirëqenies së arinjtë, t’ia lmë arinjve që të qëndrojnë atje ku kanë dëshirë. Pra, në qoftë se një ari është në diell është sepse ka zgjedhur vetë, jo se s’e ka opsionin e hijes.”, thotë veterineri Bland Mustafai.

Në kërkim të çdo mundësie për pak më shumë freski, pjesa dërrmuese e kafshëve shihet e grumbulluar poshtë hijeve. Ato çlodhen, flenë ose hanë ushqimin e përgatitur.

Dietat ushqimore po ashtu janë të ndryshme në këtë periudhë të vitit

“Shumë shpesh bëjmë torta të ftohta me fruta të ftohta të ngrira.”, tregon veterineri Vasili.

Rreth 280 kafshë janë pjesë e koleksionit të Kopshtit Zoologjik të Tiranës. Përtej asaj që shohin vizitorët, sfida e përditshme mbetet e njëjtë: të krijohen kushte sa më të përshtatshme dhe t’u garantohet kafshëve kujdesi që u nevojitet.

“Nuk jemi perfekt. Asnjë kopsht nuk është perfekt. Për këtë arsye dhe puna nuk është e lehtë. Të punosh me shtatë felinë të mëdhenj, me tre arinj, me gjashtë lemurë, do një përgatitje të përditshme të etapave të punës.”, përfundon Vasili.