Më shumë se 100,000 trupa ushtarake ruse janë mbledhur pranë kufirit të Ukrainës në javët e fundit. E gjithë bota është në alarm pasi është rritur frika se një pushtim mund të jetë i afërt. Trupat ruse që janë të mjaftueshme për të nisur një sulm direkt janë të dislokuara në 3 vende të ndryshme duke e rrethuar Ukrainën, përveçse nga pjesa e saj perëndimore. Rusia ka krijuar pika presioni në tre anët e Ukrainës -- në Krime në jug, në anën ruse të kufirit në lindje dhe në Bjellorusi në veri.
Ukraina Lindore
Vëmendja më e madhe i është kushtuar rajoneve separatiste Donetsk dhe Luhansk, ku forcat ukrainase dhe separatistët e mbështetur nga Rusia kanë qenë në konflikt që nga viti 2014. Supozimi kryesor i atyre që vëzhgojnë lëvizjet ruse është se Moska mund të rrisë fuqinë ushtarake që tashmë posedon në rajon, duke e bërë kështu Ukrainën lindore pozicionin më të lehtë për të nisur një pushtim. Ndërkohë ka një rritje të aktivitetit në rajonet e Kursk dhe Belgorod, të cilat kufizohen me Ukrainën verilindore.
Bjellorusia
Shqetësimet janë rritur gjithashtu për një grumbullim të madh të trupave ruse në Bjellorusi, një vend i ngushtë aleat me Moskën që mund të sigurojë një rrugë tjetër për në Ukrainë. Rusia dhe Bjellorusia filluan të enjten 10 ditë stërvitje të përbashkëta ushtarake, madhësia dhe koha e të cilave ka ngjallur frikë në Perëndim. Është gjithashtu stërvitja më e madhe që forcat e armatosura bjelloruse kanë kryer në çdo kohë të vitit, sipas Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).
Krimea
Imazhet satelitore të marra tregojnë një numër shumë të madh të trupave shtesë dhe pajisjeve në Krime, gadishulli strategjik që u aneksua nga Rusia në vitin 2014. Imazhet e reja tregojnë disa qindra dislokime trupash, të paktën 500 tenda dhe automjete ushtarake në veri të kryeqytetit të Krimesë,. Mjete të blinduara kanë mbërritur gjithashtu në veri të Krimesë, pranë qytetit bregdetar Slavne. Këto dislokime ushtarake erdhën pasi disa anije luftarake – duke përfshirë anije sulmi amfibe – mbërritën së fundmi në Detin e Zi.