Në zgjedhjet parlamentare që mbahen sot në Kosovë, qytetarët që për arsye të ndryshme nuk mund të paraqiten në vendvotimin e tyre të rregullt kanë mundësi të votojnë me kusht. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka caktuar 38 qendra të tilla, nga një në secilën komunë të vendit.

Sipas rregullave të KQZ-së, votimi me kusht lejohet vetëm për personat që figurojnë në listën e votuesve, por nuk ndodhen në qendrën ku janë të regjistruar. Për shkak se Kosova është një zonë e vetme zgjedhore, qytetarët mund të votojnë në cilëndo nga këto qendra të posaçme pa humbur të drejtën e votës.

Votat me kusht nuk numërohen menjëherë në vendvotim si votat e zakonshme. Ato dërgohen në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku verifikohen dhe numërohen disa ditë pas zgjedhjeve, për të shmangur çdo mundësi votimi të dyfishtë.

Për zgjedhjet e sotme, KQZ ka hapur 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime, ndërsa 38 prej tyre janë të dedikuara për votimin me kusht.


Lajmi kryesor:

Kosova rikthehet te kutitë e votimit, zgjedhjet e treta parlamentare brenda 16 muajsh! 2 mln qytetarë me të drejtë vote