Si i mbajti Tito jugosllavët së bashku në një shtet federativ?

Si i mbajti Tito jugosllavët së bashku në një shtet federativ?

Josip Broz Tito

Kur presidenti i Jugosllavisë, Marshalli Tito, vdiq më 4 maj 1980, përfaqësuesit e 122 shteteve, duke përfshirë një grup mbresëlënës liderësh botërorë, morën pjesë në funeralin e tij. Ai u nderua si lideri i fundit i madh i Luftës së Dytë Botërore, si komunisti i parë që sfidoi me sukses Stalinin, dhe si themeluesi i “komunimit kombëtar”.

Mbi të gjitha, Tito u vlerësua si krijuesi i Jugosllavisë moderne, liderishipi, mençuria dhe mjeshtëria e të cilit, bashkoi në një federatë të qëndrueshme popujt historikisht antagonistë të Jugosllavisë. Në librin e tij të shkëlqyer “Tito:Ngritja dhe rënia e Jugosllavisë”, Riçard Uest na ofron një biografi, udhëtime dhe histori popullore të Jugosllavisë, dhe një analizë të personaliteteve dhe ngjarjeve që sollën shpërbërjen e vendit dhe luftën civile.

Tito si unifikues i Jugosllavisë, është një nga temat kryesore të autorit. Partia Komuniste erdhi në pushtet në Jugosllavi në fundin e Luftës së Dytë Botërore, pasi ushtria e saj partizane luftoi jo vetëm kundër pushtuesve gjermanë dhe italianë, por edhe ndaj jugosllavëve të tjerë në njësitë ushtarake rivale, shpesh tradhtare.

Partizanët ishin një formacion ushtarak shumëkombësh (edhe pse serbët dominuan në gjysmën e parë të luftës), ashtu siç ishte edhe Partia Komuniste. Në propagandën e tyre, ata flisnin për barazinë midis kombeve në një Jugosllavi federale. Kjo gjë i ndihmoi ta fitonin luftën civile, pasi kundërshtarët e tyre ishin kryesisht nacionalistë me ndjekës vetëm brenda grupeve të tyre kombëtare, dhe ekstremizmi i të cilëve distancoi segmente të mëdha të popullsisë

Pas luftës dhe gjatë gjithë Luftës së Ftohtë, një Parti Komuniste triumfuese me Titon në krye, pretendoi se e kishte zgjidhur një herë e mirë problemin e kombësive. Për shkak se Jugosllavia u shemb pas vdekjes së Titos, shumë njerëz madje edhe në Perëndim, besojnë se ai ishte gjenialiteti i tij që e mbajti atë të bashkuar.

Por asgjë nuk mund të jetë më larg të vërtetës sesa kjo gjë. Josip Broz “Tito” lindi në vitin 1892 në Kroaci, asokohe pjesë e Austro-Hungarisë. Babai i tij ishte kroat, nëna e tij sllovene, dhe ata ishin ndër familja më e pasur në fshatin e tyre. Në moshën 15-vjeçare, Tito u largua nga shtëpia dhe duke ndërruar shpesh punë, endej nëpër qytetet industriale të Evropës Qendrore. Si ndihmës i ri i një bravandreqësi, Tito kishte njëfarë simpatie për lëvizjen socialdemokrate, por nuk ishte politikisht aktiv.

Ai nuk u përfshi as me lëvizjen e kroatëve të rinj revolucionarë dhe serbëve të Austro-Hungarisë, që synonin shpërbërjen e monarkisë së Habsburgëve dhe bashkimin e territoreve të tyre me Serbinë dhe Malin e Zi për të formuar një shtet të ri, Jugosllavinë (që do të thotë “toka e sllavëve të jugut”). Kur Austro-Hungaria sulmoi Serbinë në vitin 1914, Tito u dërgua si rreshter në frontin serb. Nacionalistët e sotëm serbë, e interpretojnë këtë si një shenjë të qëndrimit të tij të hershëm anti-serb. Por shumë kroatë dhe serbë të tjerë luftuan besnikërisht për monarkinë në të gjitha frontet e saj të Luftës së Parë Botërore. I transferuar në frontin rus, Tito u plagos dhe u kap rob. Pas shërimit, u arratis në vitin 1917 në Petrograd (Shën Petersburg), por nuk mori pjesë në Revolucionin e Tetorit. Ai mendoi të emigronte në Shtetet e Bashkuara, por peripecitë e fatit e çuan në Omsk të Siberisë, ku bolshevikët ishin në pushtet.

Ai u bë anëtar i Partisë Bolshevike në vitin 1919. Kur Tito u rikthye në shtëpi në vitin 1920, Austro-Hungaria nuk ekzistonte më, ndërsa Kroacia ishte bërë pjesë e Mbretërisë së sapothemeluar të Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (emri “Jugosllavi” u miratua zyrtarisht në vitin  1929).

Por ideologjia shtetërore e unitetit jugosllav, u sfidua shumë shpejt nga konfliktet kombëtare, veçanërisht midis serbëve, të cilët favorizonin centralizmin dhe dominonin në qeveri dhe ushtri, dhe kroatëve, të cilët favorizonin federalizmin ose krijimin e një shteti të veçantë kroat.

Partia Komuniste e Jugosllavisë, e krijuar në vitin 1919, tërhoqi fillimisht një numër të madh ndjekësish. Por ajo ishte më shumë revolucionare në retorikë sesa në veprim. Gjithsesi u shpall e jashtëligjshme në vitin 1921. Partia nuk i kishte përgatitur kuadrot për një luftë të fshehtë, dhe shumica e aktiviteteve të saj u pezulluan.

As Tito nuk ishte në atë kohë një militant i zjarrtë. Por ai u bë i tillë gradualisht, dhe në vitin 1927 u emërua sekretar i komitetit të rëndësishëm të partisë komuniste në Zagreb. Në atë kohë ra në sy duke treguar iniciativë dhe shkathtësi. Tito iu kundërvu përplasjeve midis fraksioneve brenda partisë, dhe ishte krenar dhe sfidues gjatë marrjes në pyetje në polici, gjyqit dhe më shumë se 5 viteve burgim për veprimtari partiake anti-ligjore.

Por persekutimi i qeverisë ndaj komunistëve favorizoi në mënyrë indirekte radikalët. Partia Komuniste nuk kishte zgjidhje tjetër, veçse të përqendrohej në veprimtarinë ilegale. Të njëjtin efekt pati edhe “diktatura e mbretit Aleksandër”. Në vitin 1929 mbreti pezulloi qeverisjen parlamentare, vendosi regjimin e tij personal dhe e forcoi centralizmin serb.

Pakënaqësia kombëtare, sidomos midis kroatëve u rrit, dhe u bë e qartë se Partia Komuniste nuk mund të qëndronte indiferente. Duke mos pasur parasysh ngjashmëritë e shumta etnike, gjuhësore dhe kulturore midis sllavëve të jugut dhe aspiratave të tyre të fuqishme të shekullit XIX drejt një shteti të përbashkët, udhëheqja komuniste ndërkombëtare e pa Jugosllavinë si një lloj mini-perandorie serbe të bazuar tek pushtimet ushtarake.

Prandaj, Kominterni kërkoi shpërbërjen e menjëhershme të “burgut të popujve”, dhe tregoi më shumë simpati për radikalët jugosllavë, sesa për të moderuarit. Kërkesa për të ndarë Jugosllavinë në shtete më të vogla shkoi më tej sesa donin edhe shumica e radikalëve. Por të bindur ndaj Kominternit, komunistët jugosllavë e përfshinë atë në programin e tyre. Gjithsesi në mesin e viteve 1930, Kominterni filloi ta perceptonte Jugosllavinë ndryshe, pra si një pengesë ndaj fashizmit dhe nazizmit (si Musolini ashtu edhe Hitleri donin të shkatërronin vendin). Ndërkohë, Partia Komuniste e Jugosllavisë e kishte gjithnjë e më problem mbrojtjen e separatizmit, pasi partitë separatiste ishin kryesisht të krahut të djathtë, klerikale, profashiste antikomuniste.

Kominterni e emëroi Titon sekretar të përgjithshëm të Partisë Komuniste të Jugosllavisë  në vitin 1937. Nga vitet 1944-1945, kur komunistët erdhën në pushtet në Jugosllavi, dhe deri në vdekjen e tij, Tito ishte për pjesën më të madhe të kohës kryetar i partisë, Marshall i Jugosllavisë, kryetar i qeverisë, komandant i përgjithshëm dhe president i vendit. Ai ishte një politikan me përvojë që i kishte mbijetuar spastrimeve (dhe sipas disa rrëfimeve mori pjesë në to), dhe ishte shumë më i moshuar sesa shumica e bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, të cilët e quanin “Stari” (Plaku). Edhe pse nuk ishte një nacionalist kroat, siç e portretizojnë sot shumë serbë, ai nuk ndante ndjenjën e fortë të komunistëve të rinj për të qenë jugosllav.

Për Titon, Jugosllavia mbeti kryesisht një ide politike, një taktikë për marrjen revolucionare të pushtetit. Uest e portretizon Titon si një diktator të moderuar dhe të butë. Dhe në krahasim me disa diktatorë të shekullit XX-të, kjo është padyshim e vërtetë.

Po ashtu ai e sheh Titon si një autokrat ngurrues, që kundërshtoi demokracinë dhe përpjekjet për liberalizim, pasi ato do të çlironin pasionet nacionaliste, dhe do rrezikonin unitetin e vendit. Megjithatë, vendi u shpërbë përfundimisht në një luftë të përgjakshme civile.

Dhe kjo shpërbërje nuk ishte aq e papritur sa sugjerohet shpesh. Gjatë viteve 1980, shtetarët dhe diplomatët perëndimorë, shprehën besimin e vazhdueshëm mbi të ardhmen dhe unitetin e Jugosllavisë. Ata nuk ishin naivë, por menduan se ishte më mirë të fshihnin frikën e tyre, pasi një diskutim i hapur i shpërbërjes së ngadaltë të Jugosllavisë mund ta kishte përshpejtuar atë. Në atë kohë, shumë zyrtarë në Perëndim filluan të vërenin tendencat e fuqishme separatiste midis kroatëve dhe pakicës shqiptare, si dhe dobësinë e qeverisë qendrore në Beograd, ku shteti dhe partia drejtoheshin nga presidenca kolektive.

Për më tepër, larg nga të qenit një unifikues i madh, Tito ndoqi shumë politika që e gërryenin unitetin. Në një mënyrë të thjeshtuar marksiste-leniniste, Tito e shihte nacionalizmin si “ideologji borgjeze” dhe konfliktet kombëtare si të shkaktuara nga “kapitalizmi”.

Prandaj pas luftës, me mposhtjen e “borgjezisë”, ai bëri shumë pak për të luftuar nacionalizmin dhe për të kultivuar unitetin. Ndërsa u krijua një program i përbashkët shkollor jugosllav, shkëmbimet kulturore midis 6 republikave të Jugosllavisë nuk ishin intensive dhe me kalimin e kohës u bënë të rralla.

Nuk u krijua asnjë universitet për të gjitha kombësitë, dhe nuk pati ndonjë politikë për nxitjen e studentëve që të studionin jashtë republikave të tyre. Ishte diçka shumë e rrallë që një profesor kroat të jepte mësim në Beograd, apo një serb në Zagreb. Edhe kur media mbrojti idetë pan-jugosllave, ky ishte një përjashtim nga rregulli. Për të zgjidhur konfliktet e saj kombëtare, dhe për të kapërcyer historinë e saj të trishtë, Jugosllavia do të duhej të ishte e jashtëzakonshme. Ajo kishte nevojë për një ekonomi dinamike dhe për institucione politike moderne.

“Gjenialiteti” politik i Titos kishte të bënte pengimin dhe eliminimin e liderëve krijues dhe reformistë, qoftë brenda partisë komuniste, qoftë jashtë saj. Atë që Perëndimi e quajti “Titizëm”, rezultoi të ishte asgjë më shumë se sa aftësia e Titos për të shmangur momentin e së vërtetës.

Talenti i tij ishte për moszgjidhjen e problemeve ishte pjesërisht produktiv, por me kushtin që ai të ishte në qendër të federatës policentrike jugosllave dhe që Perëndimi t’i jepte kredi të shumta. Kësisoj Tito nuk la pas asgjë të qëndrueshme. Në fund nuk mbijetoi as sistemi i tij vetë-menaxhimit të punëtorëve, as politika e jashtme e mosangazhimit, dhe as vetë Jugosllavia./Bota.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari

Shkodër/ Në kërkim për armëmbajtje pa leje, arrestohet 28-vjeçari