Si i mbijetuan njerëzit Epokës Akullnajore?

Si i mbijetuan njerëzit Epokës Akullnajore?

Që nga origjina e specieve tona rreth 300.000 vjet më parë, njerëzit modernë janë përhapur në të gjithë botën, të pajisur me aftësinë për t’u përshtatur me mjedisin përreth. Por përtej talentit të lindur për t’i bërë ballë një larmie të gjerë klimash, Homo sapiens janë gjithashtu në gjendje të durojnë episode të ndryshimeve ekstreme klimatike.

Gjatë Epokës Akullnajore, duke filluar nga afro 115.000 vjet më parë, njerëzit arritën t’i mbijetojnë luhatjeve të forta të kushteve të motit, të cilat të afërmit e tyre hominin (një primat i një fisi Hominini),nuk ishin në gjendje që t’i përballonin. Po si ia doli specia jonë?

Antropologët dhe arkeologët nuk kanë ende një përgjigje të qartë. Megjithatë, teoritë e mjegullta dhe shpjegimet e mundshme, e vënë shpesh theksin në aftësitë e jashtëzakonshme sociale të specieve tona për ta ndryshuar mjedisin në avantazhin tonë.

Për të kuptuar se si mbijetuan dhe u përshtatën njerëzit me Epokën Akullnajore, është e rëndësishme të vlerësojmë se me çfarë po përballeshin ata. Në periudhat afatgjata të quajtura Epoka Akullnajore, temperaturat në të gjithë atmosferën dhe sipërfaqen e planetit bien ndjeshëm, duke bërë që akulli kontinental dhe akullnajat të mbulojnë pjesë të konsiderueshme të Tokës.

Edhe pse këto periudha perceptohen zakonisht si kohë kur gjithçka është vazhdimisht në ngrirje, Epokat Akullnajore shoqërohen në fakt me luhatje të shpeshta, pasi temperaturat luhaten midis të ftohtit dhe të ftohtit ekstrem. Në fakt, periudha midis 115.000 deri në 11.700 vjet më parë, e njohur edhe si “Epoka Akulljanore”, kishte paqëndrueshmëri të jashtëzakonshme të klimës.

“100.000 vitet e fundit kanë qenë një periudhë e luhatjeve të mëdha midis të ftohtit dhe të ngrohtit. Ky dinamizëm i planetit, ngriti për të gjithë organizmat një pyetje themelore se si t’i mbijetonin ndryshimit”- thotë Rik Pots, paleoantropolog që drejton Programin e Origjinës Njerëzore në Institutin Smithsonian.

Në fakt, kushtet klimatike shkaktuan pasoja të rënda për shumë specie bimore dhe shtazore, të cilat e patën shumë të vështirë t’i përshtateshin ndryshimeve të papritura në rrethinat e tyre. Sigurisht edhe homininët u përballën me të njëjtën sfidë. Në fillim të Epokës Akullnajore, ne nuk ishim të vetmit homininë në Tokë.

Gjurmët e fundit të Homo Erectus dhe Homo floresiensis gjenden në Sishujt e Indonezisë.

Denisovanët populluan Azinë. Ndërkohë, Neandertalët arritën të përballonin klimën e ftohtë të Evropës. Edhe pse këto specie, të afërmit tanë më të afërt evolucionarë, kishin lulëzuar në të kaluarën, nga të dhënat arkeologjike rezulton se u zhdukën në mesin e Epokës Akullnajore.

Pse? “Nuk ka asnjë shpjegim universal,por shumë ide për atë se çfarë mund të ketë ndodhur”- thotë Pots. Një teori e vazhdueshme sugjeron që këto specie u zhdukën kur një specie më e zgjuar hominine – e jona – u shfaq në territoret e tyre dhe i mposhti ata përmes dhunës apo marrjes së ushqimit.

“Përhapja e Homo sapiens afër kohës së zhdukjes së të gjitha këtyre specieve të ndryshme, ngre dyshime, dhe ato përforcohen kur njerëzit mendojnë mbi dhunën që njerëzit i kanë shkaktuar njëri-tjetrit, madje edhe mbi speciet tona përgjatë historisë. Pra, njerëzit do të dyshojnë gjithmonë se speciet tona vranë të tjerët, por ka shumë pak prova për ta treguar këtë”- theksoi antropologu.

Njëra nga teoritë kryesore sot, pretendon se ndryshimet e papritura klimatike të asaj periudhe, kontribuan në zhdukjen e këtyre popullsive. Studimet më të fundit tregojnë se disa periudha të papritura të të ftohtit ekstrem dhe gjithashtu të thata rreth 44.000-40.000 vjet më parë i shfarosën Neandertalët, pavarësisht përshtatjeve të tyre të bollshme biologjike dhe të sjelljes ndaj të ftohtit.

“Është shumë e qartë lidhja e klimës me zhdukjen e tyre. Në fund u bë shumë ftohtë për të gjetur ushqim dhe ata ngrinë deri në vdekje”-thotë Xhon Shi, paleoantropolog në Universitetin Stoni Bruk. Disa studiues, përfshirë Shi, spekulojnë se luhatjet e klimës dhe furnizimi me ushqime u përkeqësuan nga demografia.

Studime të tjera hipotetizojnë se Neandertalët ishin të grupuar në popullata kaq të vogla dhe të dobëta, saqë çdo kërcënim ndaj aftësisë së tyre për t’u riprodhuar – qoftë i lidhur me klimën apo një shkak tjetër – u bë pothuajse i pamundur të kapërcehej.

“Zhdukjet mund të ndodhin për shumë arsye, dhe speciet nuk zhduken gjithmonë vetëm kur popullsia e tyre mbetet e vogël. Llojet tona mbetën relativisht të shpërndara gjatë gjithë periudhës dhe vazhduan të mbijetojnë, duke sugjeruar se kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë”-thotë Shi

Gjatë Epokës Akullnajore, u zhdukën thuajse të gjithë homininët. Mbijetoi vetëm një specie e vetme. Por H.sapiens ishte shfaqur shumë mijëvjeçarë përpara Epokës së Akullnajave, pra afro 200.000 vjet më parë në kontinentin e Afrikës. Në shumë mënyra, ai ishte një vend i favorshëm për specien tonë.

Pots thotë se gjatë Epokës Akullnajore ky terren mbeti i izoluar nga forca e plotë e aktivitetit akullnajor, që homininët e tjerë e përjetuan gjetkë. Prandaj afro 70.000 deri në 60.000 vjet më parë, pra në mesin e Epokës Akullnajore, speciet tona filluan të përhapen në të gjithë planetin për një sërë arsyesh të mundshme.

“Ne u zhvendosëm në pyje të lulëzuara por edhe në shkretëtira të thata. Ata nuk kishin një hartë, ndaj kalonin nëpër lugina dhe kodra të tjera për të parë se çfarë kishte matanë, në këtë mënyrë disa prej tyre shkuan shumë larg”- thekson Pots. Kështu këta udhëtarë hynë në mjediset akullnajore më të akullta në Evropë, zona që Neandertalët e përshtatur ndaj të ftohtit u përpoqën t’i shmangnin.

Në fund, paraardhësit tanë pushtuan një shumëllojshmëri mjedisesh dhe duruan ciklet e paqëndrueshme të ndryshimeve klimatike që ndodhën në secilin prej tyre. “Homininët ndajnë një sërë aftësish mbijetese stërgjyshore. Ata e kalonin kohën e tyre në komunitete sociale komplekse, komunikonin midis tyre, imagjinonin zgjidhje novatore për problemet e tyre, shpikën dhe zbatuan mjete të specializuara. Nuk është se ne kishim diçka që u mungonte këtyre homininëve të zhdukur. Por vetëm se i përdorëm ndryshe ato aftësi”- thotë Shi.

Ai shton se shembulli më i qartë i aftësisë së njerëzve të hershëm për të mbijetuar, është se ata po bënin diçka ndryshe, sa i përket sinjalizimit dhe transmetimit të informacionit tek njëri-tjetri. Madje disa ekspertë spekulojnë se homininët zotëronin aftësi protogjuhësore. Përtej kësaj, studimet sugjerojnë se Neandertalët zotëronin “aftësi dëgjimore dhe të të folurit” të krahasueshme me tonat.

H.sapiens i hershëm mund të ketë pasur fleksibilitet të përforcuar vokal falë anatomisë së tyre, duke bërë që gjuha e tyre të përhapet dhe të përcjellë informacion kompleks rreth mjedisit lokal, përfshirë florën dhe faunën dhe ndryshimin e kushteve klimatike.

Për më tepër, ekspertët thonë se H.sapiens ndante më shumë se çdo kafshë tjetër një ndjenjë identiteti social, të cilën e komunikonin nëpërmjet aktiviteteve simbolike, duke përfshirë ritualet, zbukurimet personale dhe artin.

Pots thotë se kjo shoqëri kulturore dhe simbolikë, i ndihmoi të afërmit tanë të bashkoheshin dhe të ndërtonin lidhje të gjera shoqërore përtej komuniteteve të tyre. Dhe këto lidhje funksiononin si një plan emergjence në kohërat e telasheve.

Një aftësi tjetër që i ndihmoi njerëzit të mbijetojnë gjatë Epokës Akullnajore mund të jetë aftësia jonë për të ndryshuar mjedisin, veçanërisht në konceptimin dhe krijimin e veglave të sofistikuara prej guri. Ndonëse nuk ka një konsensus akademik, prodhimi i veglave prej guri luajti një rol të rëndësishëm në përshtatshmërinë e specieve tona.

Dhe kur dolëm nga ajo epokë, speciet tona i përmirësuan më tej ato talente. Kur bota “shkriu” rreth 11.700 vjet më parë, njerëzit filluan të bashkohen për të kultivuar bimë dhe për të krijuar vendbanime për herë të parë, duke hedhur kështu themelet e qytetërimeve të para. / “Discover Magazine” – Bota.al

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

'Ça do më bësh', përplasje e fortë mes Lart Vasilit dhe G-Banit: I pafe, njeri i errësirës

'Ça do më bësh', përplasje e fortë mes Lart Vasilit dhe G-Banit: I pafe, njeri i errësirës