Si i zemëroi ukrainasit Oscari për dokumentarin Navalny

Si i zemëroi ukrainasit Oscari për dokumentarin Navalny

Muajin e kaluar, ai ka lëshuar një deklaratë prej 15 pikash, duke dënuar “luftën e padrejtë të agresionit”, të cilën “Putin e ka nisur nën pretekste qesharake”. Ai i ka bërë thirrje Rusisë që “ta ndalojë agresionin, t’i japë fund luftës dhe t’i tërheqë të gjitha trupat e saj nga Ukraina”.

Megjithatë, shumë ukrainas mbeten skeptikë dhe kujtojnë pjesëmarrjen e tij në marshimet ultra-nacionaliste në Rusi në vitet 2000, si dhe mbështetjen e tij për agresionin e Rusisë kundër Gjeorgjisë në vitin 2008. Për këtë të fundit, Navalny ka kërkuar falje. Ai nuk ka kërkuar falje për deklaratat e kaluara, të cilat, sipas kritikëve, kanë qenë raciste dhe kanë kontribuar në dyshimet në Ukrainë dhe gjetkë në ish-Bashkimin Sovjetik, se ai është një shovinist rus, politikat e të cilit - nëse do të vinte ndonjëherë në pushtet - do të ndryshonin pak nga ato të Putinit.

“Navalny e ka fituar Oscarin e tij, sepse ka luajtur në mënyrë të përsosur një figurë të opozitës ruse”, ka thënë komediani ukrainas, Anton Tymoshenko.

Për disa, kjo përshtypje thellohet edhe më shumë nga shenjat e lidhjeve midis opozitës dhe manjatëve rusë. Këta të fundit shihen gjerësisht si pjesë e sistemit të Putinit, edhe nëse nuk e kanë mbështetur me zë Kremlinin ose pushtimin e Ukrainës. Edhe para pushtimit të Ukrainës, në këtë vend ka pasur dyshime për potencialin e Rusisë për të ndryshuar qëndrimet e saj ndaj ish-republikave të tjera sovjetike, pavarësisht se kush është në pushtet në Kremlin.

“Trauma post-imperiale ndikon në të gjitha ndjenjat tona për rusët dhe politikanët rusë", ka thënë më herët për Radion Evropa e Lirë Taras Berezovets, një analist politik ukrainas, i cili tani është oficer ushtarak.

Jo vetëm lufta e Putinit

Oscari për dokumentarin e Navalnyt ka ndezur edhe ata ukrainas, që thonë se shumë në Perëndim përpiqen t’ia hedhin të gjithë fajin Putinit për agresionin në Ukrainë, por, sipas tyre, përgjegjësia është e përhapur përtej presidentit.

Myroslava Barchuk, gazetare e mirënjohur ukrainase dhe nënkryetare e Qendrës PEN Ukrainë, ka shkruar në blogun e saj se vendimi për ndarjen e Oscarit për “Navalnyn” dëshmon se “për industrinë globale të filmit, kjo është lufta e Putinit, jo lufta e Rusisë” - një qasje që, sipas saj, liron nga përgjegjësia dhe faji shumicën e rusëve.

Derisa rezultati i luftës nuk dihet, ruajtja e mbështetjes së SHBA-së dhe Perëndimit është prioritet për Ukrainën. Por, kjo nuk është hera e parë që Akademia e Arteve në SHBA ka zemëruar ukrainasit. Raportohet se ajo ka refuzuar dy herë një kërkesë të Zelenskyt për të folur gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve Oscar.

“Nëse Oscari është jashtë politikës, si duhet ta kuptojmë manifestin dokumentar për Navalnyn, të tejmbushur me politikë të brendshme ruse?”, ka pyetur këshilltari i Zelenskyt, Mykhaylo Podolyak.

“Nëse Oscari është jashtë kontekstit të luftës në Ukrainë dhe gjenocidit masiv të ukrainasve, pse flisni vazhdimisht për humanizëm dhe drejtësi?”, ka shtuar ai.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, i ka thënë revistës gjermane “Bild” se shpërblimi me Oscar i filmit kundër luftës “All Quiet On The Western Front” dhe moslejimi i Zelenskyt të mbajë fjalim në ceremoni, kanë qenë gjëra “qesharake” dhe “hipokrite”.

Oleksandr Rodnyanskiy, producent ukrainas i filmit dhe anëtar i Akademisë, i ka thënë Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë se zemërimi tek ukrainasit është kryesisht rezultat i keqkuptimit. Rodnyanskiy ka thënë se, në 95 vjet të ekzistencës së ceremonisë së çmimeve Oscar, “asnjë politikan që nuk ka qenë i lidhur me filmin që ka fituar një Oscar ose së paku ka qenë i nominuar”, nuk ka mbajtur fjalim, dhe Akademia “nuk ka dashur të krijojë precedent”.

Për shumicën e anëtarëve të Akademisë, vota për “Navalnyn” ka pasqyruar dënimin e “regjimit totalitar brenda [Rusisë]” dhe të “krimeve [të saj] të luftës në Ukrainë”, ka thënë Rodnyanskiy, duke shtuar se: “Hollywoodi është një nga promovuesit më të mëdhenj të idesë së mbështetjes për Ukrainën”./REL

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do jenë ndryshimet në Kodin Zgjedhor që do bëjnë PS-Rithemelimi?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/Mbledhja e këshillit bashkiak në Himarë, banori pështyn në fytyrë Vangjel Tavon

VIDEO/Mbledhja e këshillit bashkiak në Himarë, banori pështyn në fytyrë Vangjel Tavon