Si ia vodhëm fitoren Zvicrës!

Si ia vodhëm fitoren Zvicrës!

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, pas golave të shënuar kundër Serbisë

Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri nuk festojnë gjithnjë me shqiponjë. Nuk e bëjnë shqiponjën kur luajnë me ekipe të tjera Perëndimore apo në ekipet e tyre. Ai gjest është një përdorimësh për ta, si pjesëtarë të Kombëtares së Zvicrës, dhe rasti është vetëm Serbia.

Ata janë në Zvicër, për shkak se atdheu i tyre Kosova, ka qenë i ndëshkuar deri në rrezik të zhdukjes fizike prej nacionalizmit serb, dhe mbijetesa e tyre njerëzore është një histori që nuk mund të fshihet.

Xhaka dhe Shaqiri janë talente të Zvicrës, talente të një vendi që i mori emigrantë dhe i bëri yje. Ata duhet të respektojnë në çdo gjest dhe në dalje publike të tyre, atdheun e dytë, që u dha dinjitet dhe hapësirë për të qenë talente.

Por nga ana tjetër, askush nuk mund t’i kërkojë dy futbollistëve yje të harrojnë identitetin e tyre përballë një ekipi kombëtar që u kujton tmerrin e jetës së tyre. Betejat mes ekipeve kombëtare janë dhe beteja mes historisë së tyre, dhe kjo nuk është hera e parë në futboll.

Askush nuk mund t’u kërkojë atyre djemve të harrojnë historinë e tyre kur janë përballë dikujt që ua kujton atë. Biles dhe motivimi maksimal i tyre për të shënuar, kishte brenda dhe një fuqi të mbinatyrshme, që buronte nga identiteti dhe vetëdija e tyre për të.

Për më tepër, simboli i shqiponjës nuk është një simbol fyes dhe as i ndaluar. Ai nuk lidhet as me ndonjë ndjenjë raciste, as fetare, dhe as nacionaliste. Është thjesht simboli i shqiponjës. Gjestet me tre gishta të futbollistëve serbë janë simbole nacionaliste, pasi janë simbole të një ideologjie nacionaliste, që ka bërë barbari në Ballkan.

Por i vetmi rast kur ne e kemi tepruar, ishte shpërthimi i një feste mbarëkombëtare për fitoren e Zvicrës ndaj Serbisë, sikur të kishim fituar ne. Shqiptarët nga mënyra se si festonin dje dhe vazhdojnë festojnë akoma, duket sikur ishin ata duke luajtur me Serbinë. Ne në fakt luajtëm me Serbinë dhe na mundën 2 me 0 në Elbasan. Vjedhja e fitores që ne u bëmë zvicerianëve dje, ishte i vetmi gjest i tepruar që kemi bërë ndaj dikujt në këtë histori. Dhe këtë se ka bërë Xhaka e Shaqiri që festuan si shqiptarë të Zvicrës, por ne që festonim sikur Zvicra të jetë koloni e Shqipërisë. Më shumë kemi fyer Zvicrën, se sa Serbinë. Serbët thjesht i kanë mundur dy djem shqiptarë që i rriti dhe i bëri të talentuar Zvicra. Kësaj të fundit duhet t’i jemi mirënjohëse, dhe jo të bëjmë sikur fituam ne.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Gjergj Luca i dedikon këngë Giorgia Melonit për Krishtlindje: Kur dolëm nga ferri, Italia na priti duar hapur

Gjergj Luca i dedikon këngë Giorgia Melonit për Krishtlindje: Kur dolëm nga ferri, Italia na priti duar hapur