Si mbijetojnë regjimet autoritare në Afrikë? Me mbështetjen e grupit rus 'Wagner'

Si mbijetojnë regjimet autoritare në Afrikë? Me mbështetjen e grupit rus 'Wagner'

Oficerët rusë duke ofruar shërbime sigurie në Republikën e Afrikës Qendrore

Rusia ka ndryshuar strukturën e grupit të saj paraushtarak “Wagner” dhe e ka vendosur atë tashmë nën kontrollin e degës së shërbimit të zbulimit të ushtrisë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, sjell hollësi mbi një raport të Institutit Mbretëror Britanik që thotë se kjo forcë paraushtarake është vendosur tashmë në shërbim të regjimeve autokrate në Afrikë për të garantuar mbijetesën e tyre.

Grupi paraushtarak “Wagner” i Rusisë ishte aktiv në disa vende të Afrikës, ndër të tjera edhe në Libi ku luftëtarët e këtij grupi ndihmuan gjeneralin Khalifa Hiftar, për të përfituar në këmbim qasje tek nafta dhe gazi libian. Ata u akuzuan shpesh për abuzime me të drejtat e njeriut.

Në qershorin e vitit të kaluar, shefi i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, udhëhoqi një rebelim ndaj Moskës. Rebelimi dështoi dhe grupi u shpërbë. Zoti Prigozhin vdiq kur avioni i tij u rrëzua dy muaj më vonë. Kjo shkaktoi një dilemë për Kremlinin: Çfarë të bënte me operacionet e grupit “Wagner” në Afrikë?

“Pas të ashtuquajturit rebelim, u mor vendimi që të ruhej më mirë ky shërbim ekzistues dhe të mos kërkohej nga palë të tjera”, thotë Oleksandr Danylyuk, nga Instituti Mbretëror Britanik i Shërbimeve të Bashkuara.

Sipas një analize të këtij instituti, Moska i ka dhënë një përkufizim të ri funksionit të grupit Wagner, duke vepruar tashmë si një lloj njësie operacionale e agjencisë ruse të zbulimit ushtarak, GRU. U vendos gjithashtu objektivi për të rekrutuar edhe 40 mijë anëtarë të rinj për këtë forcë paraushtarake.

Kjo forcë synon të sigurojë interesat ruse jashtë vendit, përfshirë qasjen tek burimet minerare, duke zbutur ndërkohë efektin e sanksioneve ndërkombëtare ndaj Moskës.

“Thjesht po e shtrijnë kolonializimin tek vendet e pjesës jugore të globit. Për momentin janë shumë të përqendruar tek vendet afrikane, por kanë plane edhe për Amerikën Latine dhe disa vende të Azisë. Pjesë e tyre do të jenë edhe specialistë të politikës, ekspertë për mediat, oficerë zbulimi të specializuar në luftën politike dhe operacionet ekonomike. Pra pothuajse gjithçka që nevojitet jo vetëm për t’i infiltruar këto vende në jug të globit, por edhe për të vendosur atje regjime pro-ruse”, thotë zoti Danylyuk.

Moska po ia paraqet në mënyrë aktive këtë ofertë qeverive afrikane.

“E shesin si një lloj pakete për mbijetesën e regjimit”, thotë zoti Danylyuk.

Raporti i Institutit Mbretëror Britanik thotë se Rusia nxiti puçet ushtarake në disa pjesë të Afrikës dhe po përpiqet tashmë të largojë influencën e atjeshme perëndimore.

Franca dhe vendet e tjera evropiane dërguan forca ushtarake në Mali në vitin 2013 për të ndihmuar në luftën ndaj rebelëve islamistë. Por ato u tërhoqën në vitin 2022 pas puçit ushtarak. Vitin e kaluar u tërhoqën edhe forcat paqeruajtëse të OKB-së.

Disa qindra luftëtarë të mbështetur nga Rusia gjenden tashmë në Mali për të mbështetur juntën ushtarake. Moska ka mbështetur edhe qeveritë ushtarake në Niger dhe në Burkina Faso.

Duke folur të mërkurën, presidenti rus Vladimir Putin mohoi planet për të larguar influencën perëndimore nga rajoni.

“Për të thënë të vërtetën, në tërësi nuk kemi atje objektiva kombëtare në nivelin e shtetit rus. Ruajmë thjesht miqësinë me ta dhe kaq”, tha presidenti rus Vladimir Putin.

Raporti britanik e refuzon këtë deklaratë dhe thotë se njësitë e reja operacionale të Rusisë tregojnë se Moska “ka vendosur më në fund ta sfidojë qartazi sistemin ndërkombëtar”./ VOA

K.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?