Si ndahet buxheti 2022 mes institucioneve? Shëndetësia merr pjesën e luanit! Tkurren fondet për Infrastrukturën dhe Financat

TIRANË- Projektbuxheti i vitit të ardhshëm ashtu si edhe buxheti aktual do të jetë i orientuar drejt menaxhimit të pandemisë COVID-19. Fakt ky që konfirmohet edhe në buxhetin e përcaktuar për Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, që është rritur me 6.623 miliardë lekë krahasuar me shpenzimet e parashikuara për këtë vit.  

Konkretisht nëse këtë vit shpenzimet buxhetore për këtë ministri janë 70.452 miliardë lekë, për vitin e ardhshëm parashikohet shuma prej më shume se 77 miliardë lekësh, duke marrë edhe pjesën e ‘luanit’. Objektivat e këtij institucioni, do të jenë kryesisht përmirësimi i shërbimit spitalor, vaksinimi i popullatës, rimbursimi i ilaçeve apo financimi i kontrollit bazë mjekësor.  Institucioni që ka pasur rritjen më të madh të buxhetit është Ministria e Mbrojtjes me një rritje buxheti prej 7.9 miliardë lekësh. 

Konkretisht nga 24,728 miliardë lekë që janë shpenzimet buxhetore të parashikuara në aktin e fundit normativ për këtë vit, në vitin që vjen shpenzimet shkojnë 32.632 miliardë leke. Objektivat kryesore të Ministrisë së Mbrojtjes kanë të bëjnë me fuqizimin e Forcave të Armatosura, me pajisjen e Forcave Tokësore me armatim të ri të ndërveprimit me aleatët në NATO. Ndërsa Buxheti i ministrisë së Brendshme rritet me 230 milionë lekë me fokus rritjen e hetimeve kundër krimit të organizuar, korrupsionit e terrorizmit apo dhe ulja e numrit të aksidenteve me 1% çdo vit. Reduktimi i krimeve në familje, ulja e kohës së reagimit si dhe lufta ndaj pastrimit të parave janë pjesë e agjendës së këtij institucioni për periudhën 2022-2024.

Ministria e Arsimit është institucioni me rritjen e tretë më të madhe të buxhetit me 4.944 miliardë lekë. Nga  40.714 miliardë lekë që është buxheti i këtij viti, në vitin e ardhshëm për arsimin do të shpenzohen 45.658 miliardë lekë. Prioritete të kësaj ministrie janë rritja e numrit të fëmijëve që ndjekin arsimin parashkollor, reduktimi i klasave kolektive, sigurimi i transportit për 35 mijë fëmijë, krijimi i klasave IT nëpër shkolla dhe fuqizimi i teknologjisë, si dhe përmirësimi i infrastrukturës dhe konvikteve. 

Ministria e Drejtësisë gjithashtu do të ketë një fokus të shtuar, pasi buxheti i saj është rritur me 2.598 miliardë lekë, nga 9,179 miliardë lekë që e ka buxhetin këtë vit në 11,778 miliardë në vitin e ardhshëm. Synimet kryesore të kësaj ministrie janë të përqendruara tek reforma në drejtësi.

“Funksionalizimi i organeve të reja të drejtësisë, lufta ndaj krimit dhe korrupsionit, zbatimi i reformimit të sistemit të drejtësisë për të miturit në konflikt me ligjin, përmirësimi i sistemit të ndihmës juridike falas që çdo qytetar në pamundësi financiare dhe grupet në nevojë”, këto janë disa nga prioritetet kryesore të drejtësisë.

Në kuadër të reformës në drejtësi është rritur edhe buxheti i SPAK nga 485 milionë lekë këtë vit, do të jetë mbi 1 miliardë lekë në vitin që vjen. 
Nga ana tjetër janë rritur fondet për Ministrinë e Kulturës me 1.246 miliardë lekë, me synim restaurimin dhe mirëmbajtjen e trashëgimisë arkitektonike dhe peizazhit, duke përfshirë restaurimin e disa linjave muzeale, si edhe përshtatjen me standarde bashkëkohore, po ashtu synohet edhe rritja e numrit të vizitorëve nëpër muze dhe zonat e trashëgimisë kulturore. 

Edhe për Ministrinë e Turizmit janë rritur të ardhurat me 683.43 milionë lekë, me synim kryesor sigurimi dhe përmirësimi i cilësisë së mjedisit. 

“Prioritetet për periudhën 2022-2024: Diversifikimi i produktit turistik për të arritur një turizëm gjithëvjetor. Arritja e përmirësimeve të matshme të cilësisë së ajrit në vitin 2024 sipas përcaktimeve në strategjinë kombëtare të ajrit. Përmirësimi i performancës së menaxhimit të integruar të mbetjeve. Rritja e sipërfaqes se zonave të mbrojtura”, këto janë disa nga objektivat e Ministrisë së Turizmit.

Nga ana tjetër e medaljes është ulja e të ardhurave për disa institucione. Me e ‘penalizuara’ është Ministria e Infrastrukturës, të cilës i janë ulur shpenzimet me 9.404 miliardë lekë. Konkretisht buxheti i kësaj ministrie është 56,852 miliardë lekë këtë vit, ndërsa në vitin që vjen do të jetë 47,448 miliardë lekë. 

Prioritet për këtë ministri do të jetë zgjerimi i rrjetit të rrugëve kombëtare, zgjerimi i aksesit dhe cilësisë së shërbimit të ujit të pijshëm dhe kanalizimeve, rritja e efiçensës së energjisë si edhe trajtimi i mbetjeve në mënyrë të kontrolluar sanitare, nëpërmjet vazhdimit të ndërtimit të impianteve të reja të trajtimit të mbetjeve të ngurta dhe rehabilitimit të vend-depozitimeve ekzistuese.

Ulje buxheti ka pasur edhe për Ministrinë e Financave me 2.846 miliardë lekë, për Ministrinë e Bujqësisë janë reduktuar shpenzimet me 419.96 milionë lekë, apo për Kryeministrinë ulje me 290 milionë dhe Kuvendin me -64.594 milionë lekë.

Në total shpenzimet buxhetore për vitin 2022 janë 367,955 miliardë lekë, nga 354,673 miliardë lekë që janë këtë vit, pra me një rritje prej 13,281 miliardë lekësh. 
 
Mbështetja buxhetore për disa institucione në 2022 krahasuar me 2021.
Kuvendi -64,594 milionë lekë
Kryeministria -290 milionë lekë
Ministria e Bujqësisë -419.96 mln lekë
Ministria e Infrastrukturës -9.404 mld lekë
Ministria e Financave -2.846 mld lekë
Ministria e Arsimit +4.944 miliardë lekë
Ministria e Kulturës + 1.246 mld leke
Ministria e Shëndetësisë +6.623 mld lekë
Ministria e Drejtësisë +2.598 mld lekë 
Ministria e Jashtme +266.487 mln lekë
Ministria e Brendshme + 230.53 mln lekë
Ministria e Mbrojtjes +7.904 mld lekë
Ministria e Turizmit +683.43 mln lekë
FSHZH +622.92 mln lekë

B.K./KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare