Njerëzit nuk janë të gjithë njësoj dhe respektoj përulësisht vendimin e Sovranit amerikan në këtë zgjedhje. Siç e kam shkruar edhe më parë: Unë jam veç një grimcë e gëzuar në Univers e nuk më mbetet gjë tjetër veç të vëzhgoj në distancë rrjedhjen e ngjarjeve, duke uruar më të mirën për këdo.
Duke uruar e dëshiruar pafundësisht, në radhë të parë, që Demokracia e Shtetet e Bashkuara të jenë vërtetë ato të mrekullueshmet e të forta, që të mund të amortizojnë në mënyrën më të mirë të mundshme efektin drejtues të Trump.
Për mua që lexoj e çmoj mençurinë e Oshos, për mua që një President si Jose’ Pepe Mujica, është modeli i Presidentit, politikanit të së ardhmes, më duhet të pranoj se nga ky rezultat shokues kam çfarë të mësoj e si ta lexoj.
Kuptoj se edhe amerikanët janë të lodhur, të rraskapitur nga politika tradicionale. Amerikanët, që në këto vite e panë veten në vështirësi të mëdha; të humbnin shtëpitë e të zhytur në kredi nga më të çmendurat, janë të lodhur e të zhgënjyer. Dhe kur njerëzit janë të lodhur e të zhgënjyer kërkojnë një Baba, jo atë që i tregon rrugën e punës, të sakrificave e të ringritjes, por atë “furbon” që premton e ofron, “rrugë të shkurtëra”, për t’ia dalë mbanë.
Ja, mendoj se amerikanët kanë parë te Trump pikërisht njeriun që me një “shkop magjik” do t’u ofrojë, apo risjellë bumin e zhvillimit të mëparshëm. Do të luftojë emigrantët që “u vjedhin punën” amerikanëve, do të mbajë në SHBA ndërmarrjet që shkojnë e prodhojnë në Kinë, do të gjejë zgjidhjen “alla Trump” për terrorizmin e të tjera probleme të mëdha. Kështu nuk do të jetë. Të gjithë e dimë se globalizimi është revolucioni më i madh që ndodhi në Botë e për të ruajtur ekuilibra kërkohen njerëz etikë, njerëz të ekuilibruar e pa babëzi për pasuri personale, njerëz vizionarë, por amerikanët votuan Trump, sepse në vështirësi njerëzit votojnë atë që thotë çfarë dëshiron të dëgjosh. Gjë që nuk e bëri “antipatikja” Hillary.
Në botën e lodhur është koha e vëmendjes ndaj populistëve dhe këto nuk janë vitet më të mira për ne të gjithë. Në kohë të tilla, edhe civilizime më të hershme, kanë nxjerrë në krye njerëz që njerëzimit nuk i sollën asnjë të mirë. Në studime bërë në rrjetet sociale, më të ndjekurat e më populloret janë pikërisht deklarata apo personazhë që përkëdhelin ndërgjegjen e masës, nga ata që thonë të vërtetën apo ofrojnë zgjidhje sa më të drejta të problemeve.
Donald Trump është sot President i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe unë uroj me gjithë zemër që SHBA-të të rezistojnë pa dëme të mëdha, të jenë vërtetë aq të forta e të drejta, siç nëpër filmat më të bukur të Hollivudit, janë.