Autoritetet amerikane kanë zbuluar detaje të reja mbi operacionin ushtarak në Venezuelë, i cili sipas Uashingtonit u planifikua për muaj me radhë dhe u krye me një dislokim të gjerë ajror.
Shefi i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të SHBA-së, Dan Caine, deklaroi sot se operacioni ushtarak në Venezuelë u ndërmor me kërkesë të Departamentit amerikan të Drejtësisë dhe u kodua me emrin “Absolute Resolve”.
Sipas Caine, operacioni për arrestimin e presidentit venezuelian Nicolas Maduro kërkoi muaj planifikimi dhe stërvitjeje dhe pwrfshirjen e mbi 150 avionë në të gjithë hemisferën perëndimore. Ai e cilësoi misionin si jashtëzakonisht kompleks dhe me një nivel të lartë integrimi operacional.
Në konferencën për shtyp në Mar-a-Lago, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara synojnë të konfirmojnë dominimin e tyre në hemisferën perëndimore, duke theksuar se ky dominim “nuk do të vihet më në dyshim”.
Trump përmendi gjithashtu Doktrinën Monroe si bazë për ndërhyrjen në Venezuelë, duke deklaruar se ajo ishte “harrruar” dhe tashmë është “përditësuar”. Ai akuzoi Maduron se kishte përvetësuar infrastrukturë të sektorit të naftës dhe tha se SHBA do ta rimarrë kontrollin mbi të.
Lajmi kryesor:
SHBA godet bazat ushtarake në Venezuelë, kapen Maduro dhe gruaja e tij! Trump: Ne do të qeverisim deri në tranzicion, Machado nuk ka mbështetje









