VENEZUELËShtetet e Bashkuara nisën sot një sulm të madh në disa vende në Venezuelë, përfshirë bazat ushtarake në vend, ku ushtria amerikane arrestoi Presidentin venezuelian Nicolas Maduro dhe gruan e tij, Cilia Flores, të cilët po dërgohen drejt New York në SHBA.

Presidenti Maduro u akuzua nga Shtetet e Bashkuara se po drejtonte një ‘narko-shtet’ dhe se kishte manipuluar zgjedhjet që e sollën në pushtet. Udhëheqësi venezuelian, i cili mori pushtetin pas Hugo Chavez, u përgjigj duke akuzuar SHBA-në se po përpiqej të sekuestronte rezervat e naftës së Venezuelës. Maduro është paditur penalisht në distriktin Jugor të Nju Jorkut nën akuza që lidhen me trafik droge dhe armësh.

Për të dhënë detaje nga operacioni për arrestimin e tij, presidenti i SHBA Donald Trump, në një konferencë për shtyp në Mar-a-Lago, Florida, ai e cilësoi arrestimin e Maduros si një operacion të shkëlqyer që u zhvillua nga toka, ajri dhe deti. Ai tha se Maduro dhe gruaja e tij të akuzuar për narkoterrorizëm, do përballen me drejtësinë.

Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të qeverisin Venezuelën deri në një tranzicion të sigurt për popullin venezuelian.

'Operacion i shkëlqyer që u zhvillua nga toka, ajri dhe deti. Kemi përgatitur dhe një valë tjetër sulmesh ndaj Venezuelës, por nuk është e nevojshme ende. Maduro dhe gruaja e tij të akuzuar për narkoterrorizëm, do të përballen me drejtësinë. Ne do ta qeverisim vendin deri sa të ketë një tranzicion të sigurt dhe korrekt për popullin venezuelian”, tha ai.

I pyetur nga gazetarët nëse Maria Machado, fituesja e Çmimit Nobel për Paqe dhe liderja më e spikatur e opozitës, mund të jetë udhëheqësja e ardhshme e vendit, Trump u përgjigj prerë duke thënë se ajo nuk ka mbështetje.

Mendoj se do të ishte shumë e vështirë për të që të jetë lidere. Nuk ka mbështetje apo respekt të mjaftueshëm brenda vendit. Është një grua shumë e mirë, por nuk ka respekt', tha ai.

Presidenti amerikan përmendi disa herë industrinë e naftës venezueliane dhe kompanitë amerikane që tashmë siç tha do të ringrenë duke marrë mbrapsht atë që u takon prej vitesh.

'Siç e dinë të gjithë, sektori i naftës në Venezuelë është në krizë prej shumë kohësh. Ne do të përfshijmë kompanitë tona të mëdha amerikane të naftës, të cilat do të shpenzojnë miliarda dollarë, do të riparojnë infrastrukturat e dëmtuara rëndë dhe do të fillojnë të gjenerojnë të ardhura për vendin', tha ai.

Maduro tashmë në duart e amerikanëve së bashku me gruan e tij Cilia Flores, pritet të dalë që këtë të hënë përpara gjykatës federale në Nju Jork, ku do ti komunikohen akuzat për narkotrafik dhe terrorizëm ndaj shtetasve amerikanë.

Më herët, në një postim në X, presidenti Trump ka publikuar edhe një foto të presidentit Nicolas Maduro të arrestuar.

'Nicolas Maduro në bordin e anijes që po e çon në Nju Jork', shkruan ai.

Qeveria venezueliane, përpara njoftimit të arrestimit të Maduros dhe menjëherë pas sulmit, foli për një "sulm shumë serioz" dhe u bëri thirrje të gjitha forcave politike dhe shoqërore të aktivizojnë planet e mobilizimit. "Ne do të mbrohemi", deklaroi qeveria në Karakas. Menjëherë pas kësaj, presidenti i Kolumbisë fqinje, Gustavo Petro, bëri thirrje për takime urgjente të Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës së Shteteve Amerikane (OAS).

Dëshmitë

Dëshmitarët raportuan avionë ushtarakë të SHBA që fluturuan në lartësi të ulët mbi Karakas, ndërsa disa lagje mbetën pa energji elektrike dhe shpërthime u panë në distancë. Tensionet midis Shteteve të Bashkuara dhe Venezuelës kanë qenë të larta për javë të tëra, me SHBA që kanë shënjestruar anije të dyshuara për trafikun e drogës.

Trump kishte miratuar ditë më parë planin për sulmin aktual, që është pjesë e një aksioni më të gjerë kundër rrjetit të narkotrafikut. Venezuela kishte shprehur më parë gatishmëri për negociata me SHBA për luftimin e drogës, por sulmet amerikane vazhduan si pjesë e operacioneve të sigurisë rajonale.

Foto: Nicolas Maduro i arrestuar 

 

 

Foto: Postimi i Donald Trump

Lajm ne perditesim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:57
'Të pres në Miraflores, frikacak', Trump ironizon kërcënimet e Maduros para se të arrestohej (VIDEO)

 

Një video e publikuar nga Donald Trump në platformën Truth Social ka ngjallur reagime, për shkak të ironisë ndaj presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro.

Në video shfaqet Maduro duke i bërë thirrje Trumpit me tone sfiduese: “Më ke këtu, hajde në pallatin Miraflores…”. Më pas, pamjet kalojnë te simbolika e shqiponjës amerikane dhe sekuenca nga sulmi ajror i së shtunës në Venezuelë.

Ironia qëndron pikërisht te fakti se arrestimi i Maduros ndodhi në Pallatin Miraflores, vendi ku ai vetë kishte deklaruar se “po e priste” presidentin e SHBA.

Ora 21:35
Po udhëtonte në një makinë me gazetarët në Venezuelë, pamjet e fundit të Maduros disa orë para arrestimit të tij (VIDEO)

 

Pak para kapjes së tij, Nicolas Maduro po ngiste një makinë në Venezuelë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve. Këto imazhe televizive venezueliane konfirmojnë atë që tha ish-zyrtari i Pentagonit Brent Sadler në Fox.

"Për median perëndimore, demokracia e drejtpërdrejtë nuk ekziston në Venezuelë. Unë i sfidoj këdo që të vijë dhe ta diskutojë këtë me popullin tonë, ne jemi krenarë për atë që po ndërtojmë', tha ai. 

Ora 21:15
Zëvendëspresidentja e Venezuelës: Nicolas Maduro është i vetmi president që ka vendi

1767454340_QFViOC5ZA0JzLyo4tV8AMUylgY1PTho6g4vkëYkr8251.jpg

Zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez, kërkoi kthimin e Maduros, duke e përkufizuar atë si “të vetmin” president të Venezuelës, në një fjalim të transmetuar nga televizioni shtetëror. Rodríguez deklaroi se Uashingtoni “ka nisur një agresion ushtarak të paprecedentë” që “përbën një njollë të tmerrshme në zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe”.

Ajo tha se objektivi i SHBA është ndryshimi e regjimit në Venezuelë.

'Ky ndryshim regjimi do të lejonte gjithashtu sekuestrimin e burimeve tona energjetike, minerare dhe natyrore. Ky është objektivi i vërtetë dhe bota dhe komuniteti ndërkombëtar duhet ta dinë këtë. Nëse ka një gjë për të cilën populli venezuelian dhe ky vend janë të sigurt. Është se ne nuk do të jemi më kurrë skllevër, se nuk do të jemi më kurrë koloni e asnjë perandorie, çfarëdo qoftë natyra e saj”, tha ajo.

Ora 20:58
Çfarë po bënte Maduro para se të kapej? Trump: Tentoi të futej në dhomën e blinduar por djemtë tanë ishin më të shpejtë, edhe mund ta vrisnin

Sytë e të gjithë botës janë drejtuar këtë fillim viti në atë që ndodhi në Venezuelë ku presidenti i vendit bashkë me të shoqen u kapën nga forcat amerikane për tu transferuar drejt qytetit të Neë York ku pritet të përballet me disa akuza të rënda. 

Duke iu përgjigjur interesit të mediave sa i përket momenteve të fundit të lirisë së Maduros, presidenti amerikan Donald Trump ndau detaje mbi arrestimin e presidentit të Venezuelës. 

Sipas Trump, Nicolas Maduro ishte në banesën e tij dhe tentoi të strehohej në një dhomë të blinduar çeliku përpara se të kapej nga forcat amerikane.

"Mund ta kishim vrarë. Maduro tentoi të hynte në një dhomë tërësisht prej çeliku, por nuk arriti ta mbyllte derën, pasi djemtë tanë ishin më të shpejtë. Gjatë operacionit pati shkëmbim zjarri dhe rezistencë" tha Trump.

Presidenti amerikan shtoi se forcat e tij do të kishin qenë në gjendje ta shpërthenin derën e blinduar, por theksoi se objektivi ishte kapja dhe jo vrasja e udhëheqësit venezuelian.

Trump komentoi gjithashtu faktin se Kongresi amerikan nuk ishte informuar mbi operacionin e kapjes së Maduros duke thënë se Kongresi amerikan ka prirje për rrjedhje informacioni dhe se, sipas tij, nëse detajet e operacionit do të ishin bërë publike paraprakisht, rezultati do të kishte qenë ndryshe.

Ora 20:52
Trump paralajmëron: Nëse figurat politike në Venezuelë ndjekin gjurmët e Maduros, do të kenë fatin e tij

 

Nga konferenca për shtyp, Presidenti Donald Trump lëshoi ​​një paralajmërim të drejtpërdrejtë për udhëheqësit e lidhur me Maduron në Venezuelë se nëse ndjekin gjurmët e Maduros, do të keni fatin e tij.

Trump tha se largimi i Maduros shënoi një pikë kthese për vendin.

“Të gjitha figurat politike dhe ushtarake në Venezuelë duhet të kuptojnë se ajo që i ndodhi Maduros mund t’u ndodhë atyre që mundohen të ndjekin gjurmët e tij. Diktatori dhe terroristi, Maduro, më në fund është zhdukur nga Venezuela. Njerëzit janë të lirë. Ata janë përsëri të lirë. Ka kaluar shumë kohë për ta, por janë të lirë më në fund”, tha ai.

Ora 20:28
Shtëpia e Bardhë publikon FOTOT, ja si Trump ndoqi live operacionin ndaj Maduros

Shtëpia e Bardhë ka publikuar imazhe nga rezidenca e presidentit amerikan Donald Trump në Mar-a-Lago, ku ai dhe ekipi i tij monitoruan në kohë reale operacionin “Absolute Resolve”.

Ky operacion i madh ushtarak çoi në kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshortes së tij nga forcat elitare Delta Force në Karakas.

Në fotografitë e shpërndara, Trump shihet pa kravatë, me sako dhe këmishë të bardhë, duke ndjekur me vëmendje çdo zhvillim të aksionit.

Në një prej imazheve, pranë tij qëndron sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ndërsa një tjetër foto bardhë e zi pasqyron atmosferën e rëndësishme të momentit.

Presidenti Trump e përshkroi operacionin si “mahnitës, një punë e jashtëzakonshme, sikur të shikoje një shfaqje televizive”, duke nënvizuar fokusin dhe përfshirjen e tij të drejtpërdrejtë gjatë aksionit.

Fotot e publikuara theksojnë rolin personal të presidentit në drejtimin dhe mbikëqyrjen e këtij operacioni historik.

Foto nga momenti kur Trump po ndiqte operacionin në Venezuelë
Ora 18:46
'Të ruhet'! Trump kërcënon presidentin e Kolumbisë pas operacionit në Venezuelë

Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar deklarata të ashpra ndaj presidentit të Kolumbisë, Gustavo Petro, pas operacionit ushtarak të SHBA-së në Venezuelë dhe kapjes së Nicolas Maduro. Në një konferencë për shtyp, Donald Trump deklaroi se Petro, “duhet të ruajë fundshpinën e tij”, duke ripërsëritur akuzat se droga e prodhuar në Kolumbi dërgohet në Shtetet e Bashkuara.

Petro e ka cilësuar ndërhyrjen e Uashingtonit si një “sulm ndaj sovranitetit” të Amerikës Latine dhe ka paralajmëruar se ajo mund të shkaktojë një krizë humanitare.

Trump u ndal gjithashtu edhe te Kuba, duke lënë të kuptohet se ishulli mund të bëhet pjesë e diskutimeve në kuadër të politikës më të gjerë amerikane në rajon, ndërsa tensionet në Amerikën Latine vijojnë të rriten.

Ora 18:36
'Maduro nuk është president legjitim i Venezuelës', Rubio: U soll si egërsirë, nuk mund të bësh lojëra me Trump

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi sot se Nicolas Maduro kishte të gjitha mundësitë për t'iu shmangur kapjes nga SHBA-të dhe se pavarësisht ofertave 'shumë bujare', Maduro zgjodhi të sillej si 'egërsirë' dhe të bënte lojëra. 

"Maduro nuk është presidenti legjitim i Venezuelës. Ai është një person që i është arratisur drejtësisë amerikane" tha Rubio duke kujtuar padinë e ngritur nga SHBA-të ndaj Maduros në vitin 2020 dhe shpërblimin prej 50 milionë dollarësh për kapjen e tij. 

Në konferencën për shtyp në Mar-a-Lago, Rubio tha se Trump nuk është një president me të cilin mund të bësh lojëra. 

Ora 18:35
Trump: Po emërojmë njerëz për të menaxhuar Venezuelën, zëvendëspresidentja do bëjë atë që ne mendojmë se është më e mira

 

Presidenti i SHBA Donald Trump tha se SHBA po emëron njerëz për të menazhuar Venezuelën pas arrestimit të presidentit të Venezuelës Nicolas Maduro.

 Trump tha se zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, 'është e gatshme të bëjë atë që ne mendojmë se është e nevojshme për ta bërë Venezuelën përsëri të madhe”.

 "Po emërojmë njerëz dhe do t'ju njoftojmë se kush janë ata. Marco Rubio, po punon për të menaxhuar situatën me nënpresidentin e Venezuelës", u përgjigj Donald Trump gazetarëve që e pyetën se si synon të veprojë tani pas arrestimit të Maduros. 

Ora 18:26
Si nisi operacioni 'Absolute Resolve' për kapjen e Maduros, Caine : Mbi 150 avionë në Venezuelë

Autoritetet amerikane kanë zbuluar detaje të reja mbi operacionin ushtarak në Venezuelë, i cili sipas Uashingtonit u planifikua për muaj me radhë dhe u krye me një dislokim të gjerë ajror.

Shefi i Shtabit të Përbashkët të Forcave të Armatosura të SHBA-së, Dan Caine, deklaroi sot se operacioni ushtarak në Venezuelë u ndërmor me kërkesë të Departamentit amerikan të Drejtësisë dhe u kodua me emrin “Absolute Resolve”.

Sipas Caine, operacioni për arrestimin e presidentit venezuelian Nicolas Maduro kërkoi muaj planifikimi dhe stërvitjeje dhe pwrfshirjen e mbi 150 avionë në të gjithë hemisferën perëndimore. Ai e cilësoi misionin si jashtëzakonisht kompleks dhe me një nivel të lartë integrimi operacional.

Në konferencën për shtyp në Mar-a-Lago, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara synojnë të konfirmojnë dominimin e tyre në hemisferën perëndimore, duke theksuar se ky dominim “nuk do të vihet më në dyshim”.

Trump përmendi gjithashtu Doktrinën Monroe si bazë për ndërhyrjen në Venezuelë, duke deklaruar se ajo ishte “harrruar” dhe tashmë është “përditësuar”. Ai akuzoi Maduron se kishte përvetësuar infrastrukturë të sektorit të naftës dhe tha se SHBA do ta rimarrë kontrollin mbi të.

Ora 18:08
Arrestimi i Maduros/ Gjenerali Dan Caine: Shkaktuam ndërprerje të energjisë elektrike në Karakas për ta kapur

 

Gjenerali Dan Caine, gjatë konferencës për shtyp deklaroi se autoritetet amerikane shkaktuan një ndërprerje të plotë të energjisë elektrike në Karakas, kryeqytetin e Venezuelës, për të mundësuar kapjen e Nicolás Maduro.

'Ushtria amerikane shkaktoi një ndërprerje të energjisë elektrike në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, për të kryer një operacion spektakolar për të kapur udhëheqësin Nicolas Maduro. Ishte errësirë. Dritat e Karakasit ishin kryesisht të fikura falë një ekspertize të caktuar që kemi", tha ai.

Ora 18:05
Planet e SHBA-ve për Venezuelën, Trump: Kompanitë amerikane do të marrin në dorë sektorin e naftës

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara do të marrin në dorë sektorin e naftës në Venezuelë, pas arrestimit të presidentit Nicolas Maduro.

Në një konferencë për shtyp në Florida, Donald Trump tha se sektori i naftës në Venezuelë ndodhet prej kohësh në krizë dhe se administrata e tij do të angazhojë kompani të mëdha amerikane për ta rimëkëmbur atë.

Sipas Trump, kompanitë amerikane të naftës do të investojnë miliarda dollarë, do të riparojnë infrastrukturën e dëmtuar rëndë dhe do të nisin, sipas tij, të gjenerojnë të ardhura për vendin.

Deklarata u bë pas arrestimit të presidentit venezuelian Nicolas Maduro dhe vjen në kuadër të planeve të shpallura nga Uashingtoni për administrimin e përkohshëm të Venezuelës.

"Ne do të përfshijmë kompanitë tona kryesore të naftës amerikane, të cilat do të shpenzojnë miliarda dollarë, do të riparojnë infrastrukturën e dëmtuar rëndë dhe do të fillojnë të fitojnë para për vendin. Maduro vodhi infrastrukturën tonë të naftës”, tha Presidenti i SHBA-së Donald Trump, duke siguruar se tani do ta marrin atë mbrapsht.

Ora 18:02
Arrestimi i Maduros dhe bashkëshortes së tij, Trump: Venezuela tani do të jetë e pavarur dhe e sigurt

Presidenti Donald Trump e quan Maduron një "diktator të paligjshëm" i cili ishte përgjegjës për sjelljen e "sasive kolosale të drogave vdekjeprurëse të paligjshme" në SHBA dhe e akuzon atë për mbikëqyrjen e kartelit Cartel de los Soles.

Trump shton se Maduro dhe gruaja e tij janë në një anije që shkon në Nju Jork dhe një vendim "do të merret së shpejti" midis Nju Jorkut dhe Miamit.

Ai tha se Venezuela tani do të jenë e pavarur dhe e sigurt.

“Partneriteti” i SHBA-së me Venezuelën do ta bëjë popullin e Venezuelës të pasur, të pavarur dhe të sigurt. Venezuelianët që jetojnë në SHBA do të jenë jashtëzakonisht të lumtur. Ata nuk do të vuajnë më’, tha ai.

Ora 17:56
Trump: SHBA-të janë gati të organizojnë një sulm të dytë ndaj Venezuelës nëse është e nevojshme

Presidenti Donald Trump tha se SHBA-të janë "gati" për të organizuar një sulm të dytë "dhe shumë më të madh" ndaj vendit nëse është e nevojshme.

Ai tha se fillimisht ishin të përgatitur të bënin një "valë të dytë" dhe kishin supozuar se do të ishte e nevojshme, por duke pasur parasysh suksesin e sulmit të mbrëmshëm, ndoshta tani nuk do të ishte kështu.

 'SHBA-të janë gati të organizojnë një sulm të dytë ndaj Venezuelës nëse është e nevojshme', tha ai.

Ora 17:54
Trump: Do të qeverisim Venezuelën deri në një tranzicion të sigurtë

 

Gjatë konferencës për shtyp ku po jep detaje për kapjen e Nicolas Maduros, presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se Shtetet e Bashkuara do të qeverisin Venezuelën deri në realizimin e një tranzicioni të sigurt dhe korrekt.

“Në do ta qeverisim vendin deri sa të ketë një tranzicion të sigurt dhe korrekt për popullin venezuelian”, deklaroi Trump, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi mënyrën apo afatet e këtij procesi.

Deklarata vjen në vazhdën e zhvillimeve të fundit në Venezuela, pas operacionit të shpallur nga administrata amerikane kundër Nicolas Maduros dhe reagimeve të shumta ndërkombëtare ndaj kapjes së tij.

Ora 17:45
Trump: Maduro dhe bashkëshortja e tij do të gjykohen në SHBA për trafik droge

1767458975_donaldtrump.jpg

Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se presidenti venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, po dërgohen në Nju Jork për t’u përballur me drejtësinë amerikane për akuza që lidhen me trafik droge.

Në një konferencë për shtyp, Donald Trump konfirmoi se Maduro dhe Flores do të përballen me akuza për trafik droge në Shtetet e Bashkuara.

Trump foli gjithashtu operacionin ushtarak të zhvilluar gjatë natës në Venezuelë, duke e cilësuar ndërhyrjen në Karakas si një “sulm spektakolar”, të paprecedentë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Sipas presidentit amerikan, operacioni u krye nga një prej dislokimeve më të fuqishme të ushtrisë amerikane dhe kishte si objektiv arrestimin e udhëheqësit venezuelian, të cilin ai e cilësoi si diktator.

Ora 17:41
Trump: Një nga operacionet më të mëdha të SHBA-së për të arrestuar diktatorin Maduro

 

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, konfirmoi operacionin ushtarak të mbrëmshëm në Venezuelë në një konferencë për shtyp nga Mar-a-Lago.

Ai e cilësoi si pereacionin më të madh të SHBA arrestimin e Maduros të ushtrisë amerikane.

"Një nga operacionet më të fuqishme të ushtrisë amerikane, për të arrestuar diktatorin Maduro. Një nga dislokimet më të fuqishme të ushtrisë amerikane. Një sulm spektakolar në Karakas, i paparë që nga Lufta e Dytë Botërore.  Kemi përgatitur dhe një valë tjetër sulmesh ndaj Venezuelës, por nuk është e nevojshme ende', tha ai. 

Ora 17:32
Sulmi i SHBA-ve ndaj Venezuelës, Trump publikon foton e arrestimit të Maduros

1767457679_maduro.jpg

Presidenti amerikan Donald Trump ka publikuar një foto në rrjetin Truth Social ku shfaqet presidenti venezuelian Nicolas Maduro në bordin e anijes ushtarake që po e transporton drejt SHBA-së. 

Në foto shihet Maduro,i veshur me tuta gri, ndërsa sytë dhe veshët i ka të mbuluara me maskë dhe kufje.

Fotoja u publikua pak kohë pasi Trump kishte deklaruar për Fox News se Maduro po transportohej drejt SHBA-ve. Sipas mediave të huaja, para se të mbërrijë në New York, Nicolas Maduro do të ndalojë si fillim në Guantanamo, ku do të transferohet në kujdestarinë e FBI-së.

 

Ora 16:44
Pas 'nominimit' nga Trump për presidente e Venezuelës, Machado: Jam gati për të marrë pushtetin, do të liroj të burgosurit politikë

1767455349_opportunitasadvisorsMariaCorinaMachadowinstheprimariesinVenezuela.webp

Marina Corina Machado

Fituesja e Çmimit Nobel për Paqen dhe liderja e opozitës në Venezuelë, Marina Corina Machado, njofton: “Do të sjell rend dhe demokraci, do të liroj të burgosurit politikë. Ky – shtoi ajo – është momenti për qytetarët. Ata prej nesh që rrezikuan gjithçka për demokracinë më 28 korrik. Ata prej nesh që e zgjedhën Edmundo Gonzalez Urrutia si president të ligjshëm të Venezuelës, i cili duhet të marrë menjëherë detyrën e tij kushtetuese dhe të njihet nga të gjithë oficerët dhe ushtarët e tij si Komandant Suprem i Forcave të Armatosura Kombëtare.”

 

Presdenti Donald Trump deklaroi se SHBA-të do të shqyrtojnë mundësinë që Maria Corina Machado të marrë drejtimin e Venezuelës.

“Do të vlerësojmë nëse Machado mund ta udhëheqë vendin”, tha ai.

Ora 16:20
Një burim i CIA-s brenda qeverisë venezueliane bëri të mundur lokalizimin e Madurós

1767453721_eeb90b3c4585f7f9a6877a6be00146b5.avif

Me kalimin e orëve, po dalin detaje të reja mbi operacionin e bujshëm që çoi në kapjen e Nicolás Madurós nga forcat e armatosura amerikane.

Sipas asaj që raportojnë New York Times, CNN dhe Reuters, një burim i CIA-s brenda qeverisë venezuelane ka monitoruar Nicolás Maduron në ditët dhe momentet para kapjes së tij, duke bërë të mundur lokalizimin e saktë të presidentit venezuelan.

Sipas burimeve, agjencia e inteligjencës ka prodhuar informacionet vendimtare që çuan në kapjen e Madurós, duke ndjekur lëvizjet dhe pozicionin e tij përmes një flote dronësh “stealth”, të cilët garantonin një monitorim pothuajse të vazhdueshëm në territorin venezuelan, përveç të dhënave të siguruara nga burime lokale.

Trump thuhet se e ka autorizuar CIA-n të ndjekë një qasje më agresive që në vjeshtën e kaluar dhe, në nëntor, ka miratuar planifikimin dhe përgatitjen e një sërë operacionesh në Venezuelë.

Gjithnjë sipas New York Times, në fund të dhjetorit CIA ka përdorur një dron të armatosur për të goditur një mol, i cili sipas zyrtarëve amerikanë përdorej nga trafikantë venezuelianë për ngarkimin e drogës në mjete lundruese. Një nga burimet e informuara mbi kapjen e Madurós e ka përshkruar operacionin si rezultat të një bashkëpunimi të ngushtë mes agjencisë dhe forcave të armatosura, fryt i «muajve planifikimi të përpiktë».

Nuk është e qartë se si CIA ka rekrutuar burimin venezuelan që sinjalizoi pozicionin e Madurós, por ish-zyrtarë të cituar nga gazeta theksojnë se agjencia mund të jetë lehtësuar nga shpërblimi prej 50 milionë dollarësh i ofruar nga qeveria amerikane për informacione të dobishme për kapjen e liderit venezuelan.

Gjatë seancës së konfirmimit vitin e kaluar, drejtori i CIA-s, John Ratcliffe, kishte premtuar një agjenci më agresive, të gatshme të kryejë operacione të fshehta si për mbledhjen e informacionit, ashtu edhe për të avancuar politikën e Shteteve të Bashkuara.

Ora 16:00
Trump: E ndoqa operacionin në Venezuelë në kohë reale! Maduro kërkoi negociata, por nuk pranova

1767452659_AP25262755599124.jpg

Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë deklarata të forta lidhur me operacionin e SHBA-ve në Venezuelë, ku u kap presidenti venezuelian Nicolás Maduro. Në një intervistë për Fox News, Trump zbuloi detaje të reja mbi aksionin, duke theksuar se operacioni ishte planifikuar disa ditë më herët.

“Ne donim ta kapnim Maduron katër ditë më parë, por moti ishte i keq”, u shpreh Trump, duke shtuar se rezidenca ku ndodhej presidenti venezuelian ishte një “fortesë”.

Trump deklaroi se e ka ndjekur operacionin minutë pas minute nga rezidenca e tij në Mar-a-Lago, në Florida.

“Isha në gjendje ta ndiqja operacionin në kohë reale, pashë çdo aspekt dhe dëgjova komunikimet mes Floridës dhe forcave në terren në Venezuelë”, tha ai.

Presidenti amerikan vlerësoi lart profesionalizmin e ushtrisë: “Ishte e pabesueshme të shihje cilësinë e lidershipit, ekspertizën dhe nivelin e pajisjeve. Gjithçka funksionoi në mënyrë të përkryer”.

Sipas Trump, gjatë operacionit janë shënuar disa të plagosur, por nuk ka pasur viktima mes forcave ushtarake amerikane.

“Forcat tona raportuan të plagosur, por asnjë ushtar amerikan nuk ka humbur jetën”, theksoi ai.

Presidenti amerikan deklaroi se Nicolás Maduro kishte kërkuar negociata.

“Maduro donte të negocionte, por unë nuk e pranova”, tha Trump, duke shtuar se kapja e tij është një mesazh i qartë: “Kjo tregon se nuk do të lejojmë të na frikësojnë”.

Trump bëri të ditur se presidenti venezuelian aktualisht mbahet i ndaluar në bordin e anijes “Hiroshima”. “Ai do të transferohet së bashku me gruan e tij në Nju Jork, ku do të përballet me drejtësinë amerikane”, deklaroi presidenti i SHBA-ve.

Në deklaratat e tij, Trump akuzoi drejtpërdrejt Maduron si përgjegjës për krizën e drogës në SHBA.

“Maduro është përgjegjës për vdekjen e 300 mijë amerikanëve në vit për shkak të drogës”, u shpreh ai.

Trump deklaroi se SHBA-të do të shqyrtojnë mundësinë që Maria Corina Machado të marrë drejtimin e Venezuelës.

“Do të vlerësojmë nëse Machado mund ta udhëheqë vendin”, tha ai.

Një tjetër deklaratë që pritet të shkaktojë reagime ishte ajo mbi naftën: “Shtetet e Bashkuara do të jenë fort të përfshira në industrinë e naftës së Venezuelës”, u shpreh Trump, duke kujtuar se vendi ka rezervat më të mëdha të naftës në botë.

Ora 15:34
Maduro mund të dalë të hënën para gjykatës në Nju Jork, Bondi: Do të përballet me furinë e drejtësisë amerikane!

1767451866_dc13540660a246d7b53412d1db097e6a.jpg

Presidenti venezuelian Nicolas Maduro mund të paraqitet që të hënën në një gjykatë federale në Manhattan, pas kapjes së tij nga autoritetet amerikane.

Lajmi është bërë i ditur nga Fox News. Më herët, Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, tha se se Maduro dhe bashkëshortja e tij janë tashmë të paditur në Distriktin Jugor të Nju Jorkut.

Ajo u zotua të shtunën se Maduro dhe e shoqja do të përballeshin me të gjithë 'furinë e drejtësisë amerikane, në tokën amerikane dhe në gjykatat amerikane.'

"Në emër të Departamentit të Drejtësisë, dua të falenderoj Presidentin Trump për kurajon që tregoi duke kërkuar llogaridhënie në emër të popullit amerikan, dhe një falenderim të fortë për të gjithë ushtarakët që përfunduan këtë mision të jashtëzakonshëm e të suksesshëm për kapjen e këtyre narko trafikantëve të dyshuar ndërkombëtarë" tha ajo në X. 

 

Ora 14:56
Shtëpia e Bardhë informon Kongresin: Kapja e Maduros në përputhje me Kushtetutën!

1767450694_ShtepiaeBardhe.jpg

 

Administrata e presidentit amerikan Donald Trump i ka komunikuar Kongresit detajet e operacionit për kapjen e presidentit venezuelian Nicolás Maduro duke nënvizuar se gjithçka është kryer në përputhje me Kushtetutën e Shteteve të Bashkuara.

Sipas CNN, Shtëpia e Bardhë ka informuar Kongresin se operacioni ushtarak për kapjen e Nicolás Maduro është bazuar në autoritetin e presidentit Donald Trump sipas Nenit II të Kushtetutës amerikane, i cili e përcakton presidentin si komandant të përgjithshëm të forcave të armatosura.

Edhe senatori republikan i Utah, Mike Lee, tha më herët se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e ka informuar se veprimi kishte për qëllim mbrojtjen e personelit amerikan të angazhuar në arrestimin e Maduros dhe se konsiderohet i ligjshëm sipas Nenit II.

CNN thekson se në raste të mëparshme të operacioneve ushtarake, administratat amerikane kanë njoftuar drejtuesit e Kongresit përpara ndërhyrjeve, por administrata Trump, sipas rrjetit amerikan, shpesh ka vepruar ndryshe.

Ora 14:36
Pas kapjes së Maduros, Ministri i Brendshëm i Venezuelës vesh jelekun anti-plumb: Sulm frikacakësh, jemi gati për çdo situatë (VIDEO)

Ministri i Brendshëm i Venezuelës, Diosdado Cabello,është shfaqur në rrugët e Karakasit i pajisur me jelek antiplumb dhe helmetë,si të ishte gati për luftë

Në pamjet e transmetuara nga televizioni shtetëror, Diosdado Cabello, një nga figurat kryesore të qeverisë së Nicolas Maduro, shfaqet nën shoqërinë e oficerëve të sigurisë duke kritikuar kapjen e Maduros nga SHBA-të. 

Cabello e cilësoi operacionin amerikan për kapjen e Nicolas Maduros si “frikacak” dhe shprehu shpresën që, sipas tij, komuniteti ndërkombëtar ta dënojë ndërhyrjen. “Ne jemi gati për çdo situatë! Në fund të këtyre sulmeve, ne do të fitojmë”, deklaroi ai, duke shtuar se venezuelasit arrijnë të mbijetojnë gjithmonë. 

1767448251_venezuelasministerinteriordiosdadocabellospeaksduring440nw15134246c.jpg

Ora 14:03
Zbardhen akuzat ndaj Maduros, Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-ve: Në Nju Jork akuzohet për terrorizëm, trafik droge dhe armësh

1767445719_Screenshot20260103140802.jpg

Prokurorja e përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, ka bërë të ditur se presidenti i Venezuelës, Nicolas Maduro, është paditur penalisht në Distriktin Jugor të Nju Jorkut nën akuza të rënda që lidhen me trafik droge dhe armësh.

Sipas Bondit, Maduro akuzohet për “komplot për narko-terrorizëm, komplot për importimin e kokainës në Shtetet e Bashkuara, si dhe posedim të mitralozëve dhe mjeteve shpërthyese”. Ajo shtoi se këto veprime janë konsideruar si të drejtuara kundër SHBA-së.

Prokurorja amerikane bëri gjithashtu referencë edhe ndaj bashkëshortes së presidentit venezuelian, Cilia Flores, duke deklaruar se të dy, sipas saj, do të përballen me drejtësinë amerikane në territorin e SHBA-ve.

Bondi falënderoi forcat e armatosura amerikane për operacionin që, sipas saj, çoi në kapjen e dy personave të dyshuar për trafik ndërkombëtar droge, duke e cilësuar misionin si të suksesshëm.

Ora 13:53
Kush drejton tani në Venezuelë?

1767444907_delcyrodriguezchevron1280x853f950b4.jpg

Në Venezuelë, në mungesë të presidentit, pushteti kalon tek zëvendëspresidenti i tij, sipas asaj që përcakton Kushtetuta.

«Nëse mungesa e Presidentit të Republikës ndodh gjatë katër viteve të para të legjislaturës kushtetuese, zgjedhje të reja të përgjithshme duhet të shpallen brenda tridhjetë ditëve të ardhshme. Deri në zgjedhjen dhe betimin e një presidenti të ri, zëvendëspresidenti ekzekutiv do të ushtrojë detyrën e tij», shkruhet në dokumentin e cituar nga agjencia e lajmeve ruse Ria Novosti.

Pra, pushteti tani ndodhet në duart e zëvendëspresidentes së Venezuelës, Delcy Rodriguez.

Ora 11:34
Sky News: Nxjerrja e Maduros nga Venezuela duket se është negociuar

1767436584_ap25329815730143.jpg

Nicolas Maduro

Kapja e presidentit venezuelian Nicolás Maduro nga Delta Force amerikane duket si një “nxjerrje e negociuar”. Ky është vlerësimi i shprehur për Sky News nga burime të opozitës venezueliane.

Ora 11:33
'Një agim i ri për Venezuelën', Zëvendëssekretari i Shtetit të SHBA : Tirani do të përballet me drejtësinë

1767436749_ChristopherLandau.jpg

Zëvendëssekretari i Shtetit të SHBA-së, Christopher Landau, ka deklaruar se për Venezuelën sot ka nisur një “agim i ri”, pas aksionit amerikan të ndërmarrë në këtë vend të Amerikës Latine.

“Është një agim i ri për Venezuelën. Tirani është larguar. Më në fund do të përballet me drejtësinë për krimet e tij”, deklaroi Landau në rrjetin social X, duke i bashkëlidhur postimit të tij njoftimit të Presidentit Donald Trump.

Deklarata vjen si reagim pas operacionit të shpallur nga autoritetet amerikane, në të cilin u njoftua kapja e presidentit venezuelian Nicolás Maduro dhe transferimi i tij jashtë vendit.

Ora 10:55
Sulmet e SHBA në Venezuelë, avionët ushtarakë patrullojnë mes shpërthimeve dhe reve të tymit

Shtetet e Bashkuara nisën një sulm ndaj disa vendeve në Venezuelë, duke përfshirë bazat ushtarake në vend.

Shpërthime të fuqishme u dëgjuan në orën 2 të mëngjesit sipas orës lokale në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas, dhe vende të tjera në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira.

Nga pamjet e publikuara shihet momenti kur avionët ushtarakë patrullojnë në një lartësi mestare mes shpërthimeve dhe reve të tymit të krijuara nga këto sulme.

       

Ora 10:53
CBS News: Maduro u kap nga njësia speciale elitare amerikane Delta Force

1767434041_Deltaforce.webp

Sipas CBS News, diktatori i Venezuelës, Nicolas Maduro, është kapur nga Delta Force, njësia speciale elitare e ushtrisë amerikane.

Delta Force, një njësi elitare që i përket ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, ka qenë gjithashtu përgjegjëse për misionin e vitit 2019, gjatë të cilit u vra ish-udhëheqësi i Shtetit Islamik (ISIS), Abu Bakr al-Baghdadi.

Ora 10:23
Sulmet ushtarake mbi Venezuelë, reagon Trump: Kemi kapur dhe nxjerrë jashtë vendit Maduron dhe bashkëshorten e tij

1766730373_donaldtrump.ëebp

Presidenti Donald Trump ka reaguar për herë të parë në rrjetin social Truth për sulmet ushtarake në Venezuelë.

Fillimisht ai konfirmon pretendimet e mediave të huaja se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë autore të sulmit, si dhe bën me dije se diktatori Nicolas Maduro dhe bashkëshortja e tij janë kapur nga forcat amerikane, dhe janë nxjerrë jashtë vendit.

Postimi i plotë i Donald Trump:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolás Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, është kapur dhe është nxjerrë jashtë vendit. Ky operacion u krye në bashkëpunim me forcat e rendit të SHBA-së. Detaje të tjera do të pasojnë. Sot, në orën 11:00, do të mbahet një konferencë për shtyp në Mar-a-Lago. Faleminderit për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje!

Presidenti DONALD J. TRUMP

Ora 09:32
VIDEOLAJM/ Venezuelë, publikohen pamjet e shpërthimit në portin e La Guaira

Këto janë pamjet të cilat vijnë si pasojë e një nga shpërthimet të ndodhura në orët e para të mëngjesit të sotëm në Venezuelë.

Video e publikuar nga CNN tregon shpërthimin në portin venezuelian të La Guaira, i cili ndodhet më pak se 10 milje në veri të Karakasit qendror.