Burime konfidenciale për A1 Report bëjnë me dije se në qendër të këtij takimi me dyer të mbyllura mes kryetarit Xhafa dhe ambasadorit Raunig ka qenë procesi i reformës në gjyqësor, konkretisht faza e tretë e saj që pritet të zhvillohet në nisje të sesionit të ri parlamentar.
Po ashtu mes bashkëbiseduesve është prekur edhe qëndrimi i opozitës ndaj kësaj reforme dhe largimi i saj nga mbledhja e ditës së enjte.
Ndonëse ishte hera e parë që merrte pjesë në mbledhjen e komisionit të posaçëm, opozita e braktisi për shkak të mos dakordësisë për të miratuar në këtë seancë dokumentet e hartuara nga grupi i ekspertëve të reformës në drejtësi.
Megjithatë mazhoranca vendosi t’i votojë ato vetëm në parim për t’i dhënë mundësi të djathtëve të sjellin amendamentet e tyre.
Që në nisje të diskutimit për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafa ka shtuar takimet me përfaqësitë ndërkombëtare, thuajse çdo javë.
Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)