Një komitet parlamentar në Rusi miratoi më 3 mars një projektligj, që do të vendosë dënime deri në 15 vjet burgim për shpërndarjen e informacioneve “të rreme”, në lidhje me operacionet ushtarake ruse.
Në të njëjtën ditë, bordi i drejtorëve të radio-stacionit legjendar, Ekho Moskvy, votoi për likuidimin e kanalit dhe të ueb-faqes së tij, për shkak të presionit të madh nga Qeveria ruse për mbulimin që i ka bërë pushtimit të Ukrainës. Stacioni u hoq nga transmetimi më 1 mars, bashkë me televizionin liberal, Dozhd.
Po ashtu më 3 mars, Ministria e Arsimit e Rusisë mbajti një “mësim online” për t’u shpjeguar nxënësve dhe mësimdhënësve të tyre se “përse është i nevojshëm misioni çlirimtar në Ukrainë”.
Në kohën kur lufta e paprovokuar e presidentit rus, Vladimir Putin, kundër Ukrainës fqinje ka hyrë në javën e saj të dytë, Qeveria e tij ka ashpërsuar betejën edhe brenda Rusisë, duke bërë përpjekje jo vetëm të kontrollojë narrativën rreth luftës dhe sanksioneve të papara perëndimore, por edhe të vendosë një unanimitet kombëtar, të stilit sovjetik.
“Kjo luftë po e ndryshon Rusinë në një mënyrë shumë të keqe”, shkroi në Twitter Sergei Utkin, udhëheqës i Seksionit të Vlerësimit Strategjik, pranë Institutit të Ekonomisë Botërore dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare të Akademisë Ruse të Shkencave.
Sam Greene, drejtor i Institutit rus pranë Kolegjit Mbretëror të Londrës, tha se Putin “po lufton në mënyrë efektive dy luftëra” - një në Ukrainë dhe një në Rusi.
“Putini po lufton për të parandaluar që ekonomia dhe lufta të përhapen në mendjet e shumë rusëve të zakonshëm”, shkroi ai në një blog.
Ivan Zhdanov, ish-drejtor i Fondacionit të ndaluar Kundër Korrupsionit, i cili u largua nga Rusia në vitin 2021, tha se Rusia ose do të ndryshojë tani, ose kurrë.
“Ky është momenti pas të cilit do të jetë shumë vonë... Ose gjithçka ndryshon tani - në ditët dhe javët në vijim - ose Rusia do të bëhet një Kore tjetër e Veriut, pa internet, pa qasje në botën e jashtme”, tha ai për kanalin Current Time të Radios Evropa e Lirë.
Censurë ushtarake, por jo luftë
Udhëheqësi i burgosur i opozitës ruse, Aleksei Navalny, u bëri thirrje rusëve që të protestojnë çdo ditë kundër luftës.
Sipas OVD-Info, një organizatë joqeveritare që monitoron represionin politik, më shumë se 7,600 njerëz u arrestuan në protesta kundër luftës që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt. Më 3 mars u arrestuan mbi 800 persona për aktivitete kundër luftës në 36 qytete.
Ndoshta jo rastësisht, Ekho Moskvy u themelua në vitin 1990 dhe e vetmja herë tjetër që u mbyll ishte shkurtimisht në gusht të vitit 1991, kur qindra mijëra rusë dolën në rrugë për të kundërshtuar grushtshtetin e frymëzuar nga agjencia e sigurimit, KGB, kundër presidentit sovjetik, Mikhail Gorbachev.
Gazetarët e stacionit u zotuan se do të vazhdojnë të raportojnë duke përdorur llogaritë e mediave sociale të Ekho Moskvy.
Më herët, agjencia shtetërore e monitorimit të mediave, Roskomnadzor, i urdhëroi mediat të ndalojnë përdorimin e fjalëve “luftë” dhe “sulm”, për të përshkruar pushtimin e Ukrainës, dhe kërcënoi se do të bllokojë shumë media të pavarura, duke përfshirë Current Time dhe faqe të tjera të Radios Evropa e Lirë në gjuhën ruse.
Zëvendëskryeredaktori i parë i Ekho Moskvy, Sergei Buntman, i tha Radios Evropa e Lirë se Qeveria ruse, në fakt, po imponon censurë ushtarake, “në mungesë të një lufte ose gjendjeje të jashtëzakonshme”, sepse Kremlini këmbëngul që pushtimi i Ukrainës është një “operacion special ushtarak”.
“Deglobalizimi” i Rusisë
Analisti rus i sigurisë, Pavel Luzin, tha për Current Time - pak pasi filloi pushtimi i Ukrainës - se vendimi për të ndërhyrë është pjesë e një “ndryshimi ideologjik” në Rusi që nga viti 2020 dhe se drejtohet nga Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB), i cili ka trashëguar KGB-në.
“Jam më se i bindur”, tha ai më 25 shkurt. “Ne po shohim një situatë të brendshme politike, në të cilën FSB-ja jo vetëm që merr pjesë në debatin ideologjik, por ka filluar të veprojë. Operativët e FSB-së - aktualë dhe të mëparshëm - janë jo vetëm të pranishëm në mesin e elitave në pushtet, por janë edhe në Shtabin e Përgjithshëm dhe në të gjitha bordet e korporatave”, shtoi Luzin.
Putin ka qenë për kohë të gjatë oficer i KGB-së dhe ka drejtuar FSB-në në vitet 1998-99.
“Në përgjithësi, siç e shoh unë, ata kanë vendosur ta realizojnë idenë e tyre për një Rusi të deglobalizuar”, tha Luzin.
“Sipas kësaj ideje, është koha për t’i ndaluar të gjitha këto lojëra të 30 vjetëve të fundit dhe thjesht ta vendosin të gjithë hapësirën ish-sovjetike nën kontrollin e tyre. Dhe, me pak fjalë, të tërhiqen në guaskën e tyre dhe të jetojnë vetëm”, shpjegoi Luzin.
Mbyllja e Ekho Moskvy dhe mediave të tjera është “një hap plotësisht i pritshëm nga ana e autoriteteve”, tha ekonomisti dhe ish-zyrtari i Bankës Qendrore Ruse, Andrei Cherepanov.
“Nëse do të lejonin transmetimin e programeve të tilla, atëherë publiku do të mësonte të vërtetën për atë që po ndodh në luftën e Putinit në Ukrainë”, tha ai për Shërbimin rus të Radios Evropa e Lirë. “Dhe, sapo ta mësonin, do të kishte revolta kundër luftës”, shtoi ai.
Televizioni i kontrolluar nga shteti rus dhe media të tjera transmetojnë pretendime të rreme të Kremlinit se Ukraina drejtohet nga “nazistë dhe të varur nga droga”, që kryejnë “gjenocid” kundër rusishtfolësve.
“Unë flas me shumë njerëz”, tha kritiku televiziv, Aleksandr Melman. “Deri vonë, para luftës në Ukrainë, isha i befasuar që të gjithë ata - njerëz me arsim të ndryshëm, moskovitë dhe jomuskovitë - e mbështesnin Putinin, por ne mund të bisedonim normalisht. Tani, duke folur me të njëjtët njerëz, shoh se si niveli i agresionit është rritur shumë, sa thjesht kërkojnë që ta mbështesni Putinin, ta mbështesni luftën”, tha ai.
“Më bën të mendoj, për fat të keq, jo për [diktatorin sovjetik, Josef] Stalinin, por se si në vitin 1933 - apo rreth tij - populli gjerman, populli më i kulturuar në botë, u shndërrua në imazhin e liderit të tij, Adolf Hitler”, u shpreh Melman.
Më 2 mars, kryeredaktori i televizionit Dozhd, Tikhon Dzyadko, njoftoi se ai dhe disa gazetarë të tjerë të Dozhd-it po largoheshin nga Rusia, pasi kanali i tyre u bllokua.
“Pas bllokimit të paligjshëm të Dozhd-it dhe të llogarive të Dozhd-it në mediat sociale, si dhe pas kërcënimeve ndaj disa punonjësve, është bërë e qartë se siguria personale e shumicës prej nesh është nën kërcënim”, tha ai për Current Time./ REL