Një anije ruse mallrash u godit nga dronët dhe shpërtheu në flakë në ujërat ndërkombëtare të Detit Baltik. Anija më pas u zhvendos në ujërat finlandeze, duke bërë që Finlanda të vendosë kufizime të përkohshme për fluturimet dhe lundrimin në zonë. Autoritetet finlandeze dyshojnë se pas sulmit qëndron Ukraina.
Anija “Sparta II” po lundronte drejt Kaliningradit, territor rus mes Polonisë dhe Lituanisë, kur u godit në perëndim të ishullit rus Gogland. Forcat e Mbrojtjes së Finlandës konfirmuan vendndodhjen e sulmit, të raportuar më herët edhe nga zyrtarët rusë.
“Ka gjasa që Ukraina të qëndrojë pas sulmit”, tha në një konferencë për shtyp zëdhënësi i forcave të armatosura finlandeze, Aki-Mauri Huhtinen. Ai shtoi se mbetet e paqartë pse u vu në shënjestër pikërisht kjo anije.
Një foto e publikuar nga Roja Kufitare Finlandeze e anijes së dëmtuar ruse
Kufizimet për fluturimet dhe lundrimin u vendosën në pjesën lindore të Gjirit të Finlandës. Sipas Helsinkit, masat synojnë të mbrojnë civilët dhe t’u japin mundësi autoriteteve të ndërhyjnë nëse duhet të ndalojnë dronë të tjerë.
“Lufta po përhapet në zonat pranë nesh. Autoritetet finlandeze po menaxhojnë situatën në Gjirin e Finlandës, ku një sulm me dronë ka goditur një anije tregtare ruse. Ukraina ka të drejtë të luftojë kundër agresorit”, shkroi në X kryeministri finlandez, Petteri Orpo.
Ministria e Jashtme e Ukrainës dhe ambasada ruse në Helsinki nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment. Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, “Sparta II” është nën sanksione amerikane dhe lidhet me kompaninë ruse të transportit detar “Oboronlogistika”. Në faqen e saj, kompania thotë se ofron shërbime logjistike për Ministrinë ruse të Mbrojtjes.
“Për momentin nuk ka informacion të konfirmuar për ngarkesën në bord, por nuk përjashtohet mundësia që anija të transportonte pajisje ushtarake”, tha për Reuters komandanti i Rojës Kufitare finlandeze, Ilja Iljin.
Në një njoftim të veçantë, Helsinki tha se një helikopter rus dyshohet se ka shkelur të shtunën hapësirën ajrore të Finlandës. Autoritetet thanë se fluturimi mund të ketë pasur lidhje me operacionet e shpëtimit ose të vëzhgimit të anijes së dëmtuar.
Sipas të dhënave të LSEG, “Sparta II” është një anije mallrash 121 metra e gjatë, lundron me flamur rus dhe është në pronësi të kompanisë “Oboronlogistika”. Ajo ishte nisur të premten nga Shën Petersburgu.

Shtetet e Bashkuara synojnë të organizojnë para Krishtlindjeve një takim trepalësh me Ukrainën dhe Rusinë. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se e ka pranuar propozimin amerikan dhe se takimi mund të zhvillohet në nivel liderësh gjatë samitit të G20-s në Miami, më 15 dhe 16 dhjetor.
“Këshilltarët tanë për sigurinë do të zhvillojnë një sërë kontaktesh, ndoshta me videokonferencë, ndoshta me takime fizike, për të përgatitur axhendën, pra çështjet që do të diskutohen, dhe për të përcaktuar se çfarë synojmë të arrijmë: si t’i afrohemi fundit të luftës. Pala amerikane tha se dëshiron ta organizojë takimin para Krishtlindjeve. Unë pranova. Sa më shpejt të arrihet një rezultat, aq më mirë”, tha Zelensky në një takim me gazetarët në Kiev.
Presidenti ukrainas e sheh samitin e G20-s si një mundësi për një takim trepalësh në nivel liderësh. Ai tha se disa udhëheqës i kanë konfirmuar se Uashingtonit i është sugjeruar ta ftojë zyrtarisht Ukrainën në samit. Deri tani, Kievi ende pret një ftesë zyrtare nga Shtetet e Bashkuara.
“Besoj se, nëse Trump do ta ftonte Ukrainën, situata do të ishte pak më ndryshe, sepse një takim trepalësh në kuadër të G20-s do të merrte mbështetje. Pavarësisht se sa e simpatizon apo e urren dikush Putinin, nëse e ka mik apo jo, po të krijohej mundësia për një takim trepalësh në nivel liderësh në G20, jam i sigurt se të gjithë do ta mbështesnin”, shtoi Zelensky.









Komente
Komento