Si rrëzohen Rama, Berisha e Meta bashkë

Si rrëzohen Rama, Berisha e Meta bashkë

Rama, Berisha dhe Meta

Ideja se në Shqipëri është e pamundur të sendërzohet një alternativë politike jashtë dyshes PS-PD dhe satelitëve të tyre buron nga konceptimi thellësisht elitist i politikës. Sipas narrativës elitiste një elitë e keqe mund të zëvendësohet vetëm me një elitë më të mirë. Ndaj për sa kohë nuk del një alternativë bindëse ndaj PS dhe PD – së jemi të detyruar të votojmë për këto të fundit, edhe pse janë banda. Duhet pritur dalja e një elite superiore ndaj kësaj që kemi që elektorati të ndryshojë mënyrën se si voton. Sipas kësaj llogjike ndryshimi në Shqipëri mund të ndodh vetëm nga lart, pra nga oferta politike dhe jo nga poshtë, dmth nga kërkesa e elektoratit.

Po cila është alternativa apo elita e re që pritet të shfaqet në horizont? Është pikërisht e kundërta e partive tradicionale. Ajo është plot njerëz të rinj por me eksperiencë, që nuk kanë qeverisur kurrë, por që ofrojnë alternativë qeverisëse. Janë të njohur por të papërfolur në skenën publike. Vinjë nga jashtë sistemin politik, dhe mundësisht nga jashtë Shqiërisë, por njëkohësisht e njohin atë shumë mirë. Është pra një alternativë perfekte përballë elitës plot difekte!

Kaq mjafton për të kuptuar që në fakt na ftojnë të presim për Godonë ose për një elitë që vjen nga Marsi. Në një sferë publike dhe politike të kontaminuar më akuza, mllef, vrer, korrupsion dhe baltosje pafund një alternativë e tillë nuk do dalë kurrë. Ndaj ftesa për të pritur alternativën ideale ndërkohë që na ftojnë të votojmë elita kriminale është në fakt një thirrje për të ruajtur rendin ekzistues.

Ajo bazohet në idenë elitiste që ndryshimi vjen nga sipër dhe jo nga poshtë. Është një ide që e riprodhojnë elitat politike, mediatike dhe ekonomike për interesin e tyre, ndonëse historikisht nuk ka asnjë bazë faktike. Ndryshimet më të mëdha në historinë tonë politike, të 30 viteve të fundit kanë ardhur nga poshtë ndonëse janë shfrytëzuar nga lart. Mjafton të përmendim këtu rënien e komunizmit dhe krizën e vitit 1997.

Komunizmi në Shqipëri nuk ra si pasojë e daljes së një elite anti-komuniste, por si pasojë e presionit që erdhi nga poshtë nga qytetarët e thjeshtë. Komunizmin e rrëzuan minatorët e Valiasit me grevën e tyre, të rinjtë me balluke dhe flokë të gjata që vrapuan nëpër ambasada dhe dorën e fundit ia dhanë studentët e Universitetit të Tiranës.

Elita komuniste thjesht iu përgjigj por nuk i parapriu presionit social. Sali Berisha u përzgjodh nga Ramiz Alia për të folur me studentët sepse ishte nga Tropoja ashtu sikurse edhe lideri i tyre Azem Hajdari. Ama ai ishte qartësisht pjesë e elitës komuniste, ndonëse jo në rrethin e saj të parë. Ishte pjesë e përpjekjes së saj për tu reformuar dhe për tiu përgjigjur pakënaqësisë sociale që vinte nga poshtë.

Ishte ky presion që e rrëzoi komunizmin dhe jo Sali Berisha, Gramoz Pashko, Azem Hajdari, Aleksandër Meksi apo Arben Imami. Natyrisht tashmë që jemi në kapitalizëm askush nuk flet për grevën e minatorëve, pasi punëtorët dhe protestat e tyre shihen me përçmim. Madje Kryeministri propozon importimin e punëtorëve nga Banglandeshi sepse ata shfrytëzohen më lehtë sesa tanët.

Ndaj emisionet që bëhen për rënien e komunizmit nga mediat dhe gazetarët pranë elitave politike theksojnë pafund rolin e elitave aktuale politike dhe pothuajse e injorojnë presionin social që vinte nga punëtorët dhe qytetarët e thjeshtë. Sipas stinës politike herë theksohet heroizmi i Berishës dhe herë antikomunizmi apo disidenca e Ramës. 

Në qendër të ngjarjes vendosen elitat edhe pse ato ishin produktet dhe jo shkaqet e rënies së komunizmit. Punëtorët, minatorët, halabakët me xhinsa dhe flokë të gjata që shpërthyen ambasadat kthehen në sfond pasi janë turma pa fytyrë që vështirësisht mund të përfaqësohen në debatin tonë mediatik tejet të personalizuar.

Diçka e ngjashme ndodh edhe me krizën e vitit 1997. Ajo në thelb ndodhi si pasojë e presionit popullor dhe nuk kish të bënte aspak me elitat politike, ekonomike dhe mediatike. Këto të fundit ishin pothuajse të gjitha, me pak përjashtime, të përfshirë në skemat piramidale. Merrnin reklamë dhe financime nga këto të fundit, ndaj në vend që ti kritikonin i bënin fresk.

Ama me rrëzimin e skemave piramidale dhe të qeverisë Berisha 1 në skenë del si hero dhe shpëtimtar Fatos Nano dhe Partia Socialiste. Harrohen shpejt komitetet e shpëtimit, greva e studentëve të Vlorës dhe revolta popullore në përgjithësi, për tu përqendruar tek personazhet specifike në veçanti. Kështu historia kthehet me kokë-poshtë. Nuk ishte populli që e shpëtoi Fatos Nanon nga burgu por ky i fundit që e shpëtoi popullin nga Berisha.

Janë narrativa që e paralizojnë aksionin qytetar sepse i thonë se asgjë nuk vjen nga poshtë, çdo ndryshim vjen nga lart. Ndaj qytetarët janë të dënuar të presin që të ndodhë një mrekulli. Duhet të vijë dikush nga Marsi që të na shpëtojë. Ndërkohë ata duhet të vazhdojnë të votojnë njësoj si 30 vitet e fundit sepse nuk ka alternativë.

Në fakt jo vetëm historikisht por dhe llogjikisht elitat ndryshohen nga poshtë dhe jo nga sipër. Nuk ka përse të presësh ndryshim të regjimit apo sistemit aktual nga elitat ekzistuese pasi ato përfitojnë prej tij. Rama, Berisha dhe Meta mund të shahen e zihen gjithë ditën ama ata janë shumë komod me njëri-tjetrin. Halli i Berishës nuk është aspak Edi Rama, por SHBA-të. Problemi që ai ka me non-gratën nuk është produkt i Ramës, por i politikës anti-korrupsion të Departamentit të Shtetit të SHBA-ve, që nuk përcaktohet as nga Rama dhe as nga Sorosi. 

Në fakt i ashtëquajturi “regjim i Ramës” ia dha Berishës Partinë Demokratike me një gjyqtar që ishte në konflikt të pastër interesi. Po “regjimi i Ramës” i lejoi Berishës dhe Metës të kishin “sukses” në zgjedhjet e pjesëshme lokale të 6 Marsit 2022 në mënyrë që këta të dy të rickloheshin në politikë. Qeveria Rama është po ashtu shumë komode me akuzat anti-korrupsion që vijnë nga Metaj apo Kryemadhi.

Edhe këta të fundit i janë komod me Ramën. Zihen e grihen por kanë bashkëqeverisur dhe abuzuar bashke për vite. Mjafton të kujtojmë aferën e inceneratorëve ku Ministri i Mjedisit Lefter Koka, që i përkiste LSI-së, vjedh në qeverinë e Rama-Meta (2013-2017).  Nuk është aspak çudi që nesër të krijohet një qeveri Rama-Metaj nëse numrat ia imponojnë. Atë që sot thonë nesër e harrojnë shumë shpejt. Mjafton të kujtosh se çfarë ka thënë Berisha për Metajn dje, që nga hajdut deri tek trafikant dhe vrasës e ka quajtur. Nga ana tjetër Berishës dhe Metajt i duhet një qeverisje si kjo e Ramës për ta shpallur Shqipërinë në rrezik dhe nën diktaturë. Imagjinoni si do shfaqeshin përballë një qeverie pa korrupsion, efikase dhe me mbështetje të gjerë popullore.

Ndaj e vetmja mënyrë për të bërë rotacionin e elitave është të ndryshohet sjellja e elektoratit. Dhe kjo ka ndodhur prej vitesh në pothuajse të gjithë rajonin. Ndodhi se fundmi në Itali ku elektorati edhe një herë dënoi klasën politike tradicionale duke votuar parti alternative. E njëjta gjë ka ndodhur në Kosovë, Maqedoni, Greqi, Bullgari dhe Rumani si dhe në plot vende të Evropës Perëndimore si Spanja.

Vetëm si pasojë e këtij ndryshimi në sjelljen elektorale partitë tradicionale janë rinovuar në të gjitha vendet e mësipërme dhe elitat politike kanë qarkulluar në mënyrë reale. Elitat nuk ikin vetë ato largohen, me votë ose me revolucion. Dy revolucionet e fundit që kemi bërë në fakt riprodhuan një pjesë të mirë të elites ekzistuese. Ndaj është koha që të provojmë rotacionin e elitave me votë.

Me të drejtë disa lexues këtu do më thonë se alternativat ekzistuese nuk janë premtuese, se mund të na zhgënjejnë. Natyrisht që po, por bëhet fjalë për rotacion dhe jo stanjacion. Idea nuk është që për 30 vitet e ardhëshme të votojmë të njëtin Filan Fistek, pra të zëvendësojmë Ramën apo Berishën aktual më një Berishë tjetër. Rotacioni nënkupton ndryshim të vazhdueshëm të elitës politike, siç ka ndodhur tek fqinji ynë Italian. Ai nuk ofron garanci absolute por mundësi të lartë për përmirësimin e elitave politike.

Largimi nga skena politike i dinosaurve aktual do mundësojë afrimin e kapaciteteve të shumëta intelektuale dhe njerëzore që Shqipëria i ka, por që sistemi aktual i dekurajon nga pjesmarrja në politikë. Partitë e ngritura nga Rama, Berisha dhe Meta e zhveshin politikanin nga çdo lloj dinjiteti njerëzor, e reduktojnë atë në servil të kryetarit. Asnjë intelektual serioz, asnjë kapacitet njerëzor dinjitoz, nuk afrohet tek parti të tilla politike.

Te tjerë do më thonë se rinovimi i elitës politike është i pamundur, sepse partitë tradicionale e vjedhin votën e pavarur nëpërmjet komisionerëve të tyre. Është e vërtete që sistemi ynë politik dhe zgjedhor është ndërtuar për të reduktuar daljen e alternativave politike. E megjithatë votimi në masë kundër partive tradicionale dhe për alternativa politike që ndodhen jashtë tyre e shpërthen sistemin aktual. Është një sistem që mund të bëjë manipulime të vogla apo të moderuara por jo masive.

E thënë ndryshe, manipulimi masiv i votës nga partitë tradicionale e delgjitimon thellë regjimin aktual dhe herët a vonë e rrëzon atë. Mjafton të kujtojmë se në zgjedhjet parlamentare të vitit 1996 manipulimi masiv i votës ishte hapi i parë drejt rënies së regjimit Berisha 1. Ndaj një votë masive jashtë partive tradicionale nuk mund të eleminohet lehtësisht nga sistemi aktual.

E vërteta është se ky sistem vazhdon të mbahet sepse shumica e qytetarëve shqiptar votojnë në mënyrë konstante për dy partitë kryesore dhe satelitët e tyre. Sondazhet dhe studimet tregojnë se ajo që quhet volatiliteti politik është shumë i pakët në Shqipëri. Ndryshe nga pothuajse të gjitha vendet e rajonit, tek ne ka pak ndryshim në luhatjen e votës nga njëra palë zgjedhje në tjetrën. Edhe ndryshimi që pamë në zgjedhjet fundit parlamentare të vitit 2021 ishte në fakt ndryshim brenda opozitës, kthimi i votave nga LSI tek PD-ja. Për sa kohë nuk ndryshon kjo sjellje elektorale nuk mund të kemi ndryshim të elitave politike.

Nuk është një sjellje elektorale normale apo e natyrëshme, edhe pse tek ne është normalizuar. Mjafton të krahasosh Shqipërinë me vendet e rajonit, apo me Kosovën, për ta kuptuar diçka të tillë. Bashkëjetesa e një zhgënjimi të thellë tek qytetarët tanë me klasën politike, siç na tregojnë sondazhet, dhe votimi konstant për të njëtën klasë politike është një çrregullim elektoral që mund të shpjegohet dhe analizohet por nuk duhet normalizuar. 

Ai prodhohet në mënyrë artificiale sa nëpërmjet klientelizmit, blerejes së votës, apo emigracionit aq edhe nëpërmjet sistemit tonë politik dhe mediatik. Nuk kemi hapësirë këtu për ti shtjelluar të gjithë faktorët e mësipërm ndaj do ndalem thjesht tek faktori i fundit, sistemi mediatik.

Ky i fundit prodhon mos-ndryshimin e sjelljes elektorale duke theksuar mungesën e alternativave apo detyrimin për të votuar një nga “tre bandat”. Është një funksion që media e kryen në mënyrën më të pavetëdijëshme dhe më të sinqertë. Kemi të bëjmë me një gënjeshtër të sinqertë. Gazetarët dhe analistët tanë realisht besojnë se nuk mund të ekzistojë një realitet alternativ përtej atij që ata shohin. Ndaj çdo vizion alternativ e quajnë lajthitje ose utopi.

Kjo për faktin e thjeshtë se media (sikurse e kam shtjelluar tjetërkund) është transformuar në shtojcën e sferës politike dhe e sheh realitetin me sytë e kësaj të fundit. Një nga implikimet e këtij deformimi është se prestigji apo reputacioni i gazetares dhe analistit matet me impaktin që ka tek elita politike më shumë sesa tek qytetaria, ndonëse këta të fundit mbeten të rëndësishëm. Gazetari dhe analisti ynë (dhe këtu hyj edhe unë) e shkruan artikullin duke patur në mendie reagimin e aktorëve politik më shumë sesa interesin e qytetarit. Pyetja që shpesh lind në mendjen e tij (sepse është kryesisht burrë) është: Si do reagojë Rama/Berisha/Meta/Basha/Veliaj/Balluku/etj.  përballë kësaj që po shkruaj?

E thënë ndryshe, i gjithë sistemi dhe kultura mediatike është e lidhur ngushtë me elitën ekzistuese politike. Disa e shajnë dhe të tjerë e lavdërojnë këtë elitë, ama të gjithë sytë i kanë nga ajo. Ndaj idea se mund të votohet jashtë saj duket absurde. Sidomos kur është pikërisht kjo elitë që e legjitimon sistemin mediatik nëpërmjet parasë, pushtetit, prestigjit apo kapitalit social.

Është e pamundur për këtë sistem mediatik të ftojë qytetarët të votojnë dhe krijojnë një elitë politike alternative që nuk e njohin personalisht, që nuk i garanton asnjë kapital financiar, moral apo social. Është njësoj e pamndur për një media thellësisht elitiste ti ftojë qytetarët të votojnë për parti apo kandidatë që i sheh me përçmim nga majat e pozicioni të saj social. Gazetarët dhe analistët tanë janë shumë lart për ti ftuar qytetarët të votojnë “kaq poshtë”. Ata merren me njerëz të rëndësishëm si Berisha dhe Rama dhe jo me askushët politik që përbëjnë alternativën e vetme reale sot.

Natyrisht pas llogjikës mediatike qëndrojnë edhe interesa ekonomike të cilave nuk u leverdis një rotacion i elitave politike, për faktin e thjeshtë se janë shumë komode me ta. Ata që sot në qeverisjen e Ramës quhen “oligarkë” janë të njëjtët që pasuroheshin dje në qeverisjen e Berishës. Rotacioni i elitave përbën paqartësi dhe pasiguri të lartë për ta pasi i duhet të investojnë përsëri në kapjen e elitave të reja.

Të gjithë faktorët e mësipërm (dhe të tjerë që nuk kemi hapësirë ti shjellojmë këtu) mjegullojnë faktin e thjeshtë se ndryshimi mund të ndodhe shumë lehtë nga poshtë, me votë. Janë këta faktorë që kanë krijuar idenë fantastike se shpëtimi i vetëm vjen nga të njëjtat elita që kanë 30 vite që na abuzojnë.

Ama fakti që duhet kaq shumë punë për ta mbuluar ekzistencën e alternativës politike nuk duhet lexuar në mënyrë pesimiste si pamundësi e realzimit të saj. Në fakt pesimizmi është një nga faktorët kyc që mban në këmbë sistemin tonë politik (por për këtë duhet artikull tjetër). Përkundrazi fakti që duhet kaq shumë investim mediatik, ekonomik dhe kaq shumë cirk për të fshehur alternativën, tregon forcën e kësaj të fundit.

Është një e vërtetë shumë e thjeshtë që po shfaqet cdo ditë e më shumë. Këta që na duken sot si elita të përjetëshme dhe të pathyeshme në fakt pushtetin e marrin nga vota jonë. Nëse secili prej nesh ndryshon mënyrën e votimit këto elita të përjetëshme menjëherë bëhen të përkohëshme. Është e kuptueshme që një ndryshim i tillë të trembë elitat ekzistuese, por s'ka përse të trembë votuesit.  

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë