Fëmija që u shpëtua mrekullisht nga zjarrfikësit ishte vetëm kur banesa e tij në një pallat tek Fresku u përfshi nga flakët.

Si ky zjarr janë regjistruar gati çdo ditë që nga fillimi i muajit nëntori. Ulja e temperaturave dhe ngrohja me gaz ka shtuar rastet e pakujdesisë tek qytetarët dhe për pasojë edhe zjarret.

'Numri i ngjarjeve në qytetin e Tiranës me shpërthim të gazit të jetë i përditshëm. Pra, çdo ditë kemi pasur ngjarje të tilla ku sinjalizohen në sallën tonë operative për shpërthim të gazit të bombolave', thotë Shkëlqim Goxhaj, drejtori i Zjarrfikëses për Tiranën.

Qytetarët vazhdojnë të përdorin bombola kampingu për ngrohje, të cilat sjellin rastet më të shpeshta të shpërthimit të gazit.

 'Shumica e ngjarjeve, pothuajse 70 deri në 80% të rasteve vijnë nga këto bombola gazi. Pra, bombolat ngjyrë portokalli nuk duhet të përdoren', bën me dije Shkëlqim Goxhaj.

Kreu i Zjarrfikëses së Tiranës, Shkëlqim Goxhaj, apelon për ndërrimin e bombolave dhe rimbushjen.

 'Qytetarët, duke ardhur nga një kohë që nuk i kanë përdorur pajisjet e ngrohjes me gaz, si bombolat, fillojnë i përdorin dhe disa kanë edhe probleme nga ana teknike. Duhet kujdes i veçantë i ndërrimit të pajisjeve të gazit, që nga rimbushja e bombolave', këshillon Goxhaj.

Por, si mund të mbrohemi nga një shpërthim i mundshëm në banesa?

'Fillimisht kemi rrjedhje te gazit në ambiente të mbyllura. Në momentin që qytetari përdor diçka, qoftë edhe çelësin e dritave në atë ambient aty fillon shpërthen gazi. Fillimisht në orët e para të mëngjesit nuk duhet të kenë cigare të ndezur, nuk duhet bërë asnjë veprim, derisa të bëhet ajrosja e ambientit', këshillon Goxhaj.

Goxhaj këshillon vendosjen e detektorëve të gazit afër bombolave.

'Afër bombolës së gazit duhet të ketë sinjalizues. Janë sinjalizuar që lajmërojnë rrjedhjen e gazit. Kanë një sinjal karakteristik dhe qytetari e kupton që ka rrjedhje gazi, menjëherë sapo dëgjon alarmin duhet të veproj', deklaron drejtori i Zjarrfikëses.

Në rast të zjarreve në ndërtesa të larta, këshillohet dalja e menjëhershme në tarraca, nëse rruga është e bllokuar. Bombolat e gazit përdoren masivisht në familjet shqiptare, jo vetëm për gatim por sidomos për ngrohje gjatë stinës së ftohtë.