'Si u helmua babai im, Tuk Jakova, në Spitalin Civil të Tiranës në ‘59-ën, pas urdhrit të Enverit'/ Dëshmia e Agim Jakovës dhe kërkesa për kryeministrin e sotëm

'Si u helmua babai im, Tuk Jakova, në Spitalin Civil të Tiranës në ‘59-ën, pas urdhrit të Enverit'/ Dëshmia e Agim Jakovës dhe kërkesa për kryeministrin e sotëm

Mita dhe Tuk Jakova

Djali i ish-zv/kryeministrit dhe sekretarit organizativ të Komitetit Qendror të PPSh-së, gjeneral-leitnant, Tuk Jakova, (“Hero i Popullit”), publikon dokumentet arkivore me dy akt-ekspertizat e vdekjes së babait të tij, me firmat e mjekëve përkatës, të cilat i’u relatuan asokohe Komitetit Qendror të PPSh-së, nga ana e Ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral-leitnant, Kadri Hazbiu, si dhe iu bën një apel strukturave përkatëse shtetërore të qeverisë shqiptare e personalisht kryeministrit, që ta zbardhin këtë ngjarje, duke bërë analiza toksike të kockave të babait të tij, në një laborator të specializuar jashtë vendit, gjë e cila do të tregonte, se Tuk Jakova, është helmuar dhe nuk ka vdekur nga apendiciti!

Të bën përshtypje ky fakt, përse dy ekspertiza për një vdekje?! Njëra drejtpërdrejt mbas autopsisë dhe tjetra, një muaj më vonë, me interesim direkt të udhëheqjes qendrore të Partisë. Përse…!!! Para se të argumentoj “Përsenë”, vlen të shpjegoj, kush qe Partia, për ata që nuk e kanë njohur dhe jetuar. Udhëheqja e Partisë qe një instrument në duart e Enver Hoxhës, e përbërë nga një grup personash, të seleksionuar dhe të zgjedhur prej tij, si më të besuarit dhe më të bindurit. Sipas piramidës së saj, maja qe Enveri. Ai qe Zoti. Sipas shkallës më pas vinte Byroja dhe më pas Komiteti Qendror. Këto dy forume, sipas hierarkisë, kishin personat me pushtet në ushtrinë partiake të Enverit. Kishte një parullë. “Kur themi Partia nënkuptojmë Enverin dhe kur themi Enveri, nënkuptojmë Partinë”!

Çdo produkt, me vlerë apo i zi i mendjes së tij, zbatohej me përpikëri nga piramida dhe kontrollohej, apo filtrohej po prej Enverit deri në fund. Kush neglizhonte, penalizohej si armik me pasoja në familje deri në farefis. Në atë kohë edhe muret kishin veshë; nuk kishte besim brenda familjes; jo pak herë vëllai ka spiunuar vëllanë apo, djali babanë dhe anasjelltas. Pasojat kanë qenë tragjike, i spiunuari shkonte në burg, spiuni vetëvritej nga turpi, pjesëtarët e tjerë çoheshin në internim për riedukim! Terrori psikologjik dhe centralizmi ishin në shkallën më të lartë. Askush s`mund të jepte ndonjë mendim, apo të merrte një nismë personale pa lejen e Enverit.

Unë do fokusohem në pjesën e zezë, të errët, makabër dhe mafioze të Enverit, ushtruar në rastin e vdekjes së babait tim, Tuk Jakovës. Nga kujtimet e shokëve të vegjëlisë dhe rinisë, bëmat negative të Enverit, fillojnë në “pionierllëk”. Shumë pak të dokumentuara janë ato gjatë Luftës dhe qeverisjes, në një kohë që eliminimet mafioze janë të konsiderueshme në të dy etapat. Që në fillimet e luftës ai krijoi “Falangën” e krimit, për të eliminuar konkurruesit dhe kundërshtarët. Me ardhjen në pushtet, “Falanga” u strukturua në Ministrinë e Brendshme. Enveri vepronte me dorë të fshehtë. Porositë për eliminim i pëshpëriste në vesh dhe nëpërmjet zinxhirit të “Falangës”, pëshpëritja përfundonte tek ekzekutuesi. As një herë ekzekutuesi nuk dinte porositësin.

Ai zbatonte me përpikëri, besnikëri dhe devotshmëri detyrën e dhënë nga Partia. Kështu “porositësi” me ekskluzivitet absolut në eliminime nuk linte gjurmë faktike. Më pas “radari”, që merrte i pari pëshpëritjen (porosinë), bashkë me zinxhirin, mbas disa pëshpëritjesh, eliminohej nga “radari” pasardhës. Cikli është përsëritur disa herë deri në fundin e “pëshpëritësit”. Por nuk kishte rëndësi vetëm dokumenti, që nuk ekzistonte. Rëndësi kishte dhe jehona apo opinioni, që linte pas akti i porositur. Këtë vakum, “pëshpëritësi” e kishte plotësuar me organin e agjitacion-propagandës dhe frymën “engjëllore” të Partisë. Me gjithë atë pak njerëz u indoktrinuan, sepse rastet ishin aq të përsëritura, sa impononin edhe tek të pa aftët mendorë domosdoshmërinë e një përfundimi. Këtë e tregoi gjyqi i popullit në sheshin “Skënderbej” në shkurtin e vitit 1991.

Mbas kësaj ekspozeje vjen radha e shpjegimit të “Përsesë”, së dy ekspertizave?!

Ekspertiza e parë ndaj trupit të babait tim Tuka Jakova, e bërë drejtpërdrejt mbas autopsisë dhe pa u varrosur viktima, thotë: – “Ka ardhur në spital pa vonesë, u operua pa vonesë, 5 ditët e para nuk kishte temperaturë dhe asnjë shqetësim”. Përmirësohej çdo ditë, sa mendohej, të linte spitalin sipas rregullit pas 9 ditësh domethënë ende 2 ditë mbas vdekjes. Çdo gjë ndodhi mbas “rrufesë” (helmimit). Autopsia thotë, se: “Operacioni është bërë në rregull, vendi ishte lidhur mirë dhe fort, si dhe qe përmirësuar. Konkluzioni…operacioni qe i suksesshëm, pacienti u përmirësua për 5 ditë, aq sa do largohej nga pavijoni, por papritur vdiq. Arsyeja…nga peritoniti “Akut”, i cili shkaktoi paralizën e zorrëve dhe helmimin e gjithë trupit”, thotë raporti Nr-1. Si u shkaktua ky peritonit “Akut”, kur çdo veprim është kryer në kohën e duhur dhe me saktësi…?!

Ka shkencë mjekësore që e pranon këtë vdekje nga apendiciti me këto të dhëna…?! Nga erdhi kjo “rrufe” në një ditë me diell në qiell të hapur…?! Si u krijua ai helm në zorrë?! Ishte helm biologjik apo kimik? Autopsia nuk ka guxuar ta përcaktojë. Helmi biologjik do krijohej rreth vatrës së operuar, por autopsia vatrën e gjeti jo vetëm në rregull, por të përmirësuar. Logjikisht vatra do ishte e inflamuar, do qe skuqur, ndoshta dhe qelbëzuar. Në të vërtetë u gjend e kundërta. Indirekt lihet të nënkuptohet se, që helmi të shkonte te zorrët, rrugëtimin e ka nisur nga goja.

Atëherë rrjedhimisht, helmi është injektuar nga goja me konjakun, që i dha “Falanga” e krimit në dhomën e drejtorit. Ky akt tregohet nga bashkëvuajtësi i pranishëm, z. Nikollë Zagoriani, i cili komunikoi me Tukun, para dhe pas takimit me “Falangën” e krimit. Varianti i parë, i përpiluar nga spitali në 27 gusht 1959, për Ministrin e Brendshëm, i është dërguar nga Ministri i Brendshëm, Hysni Kapos në 14 shtator 1959, dhe lë dyshime, se kemi një “rrufe” (helmim), në qiell pa re, në mes të ditës. Ajo që përcakton autopsia dhe procedura e shtrimit, rrëzojnë variantin peritonit “Akut”!!! Enveri si “pëshpëritës”, i vënë pa tjetër në dijeni, duke ditur “ku flinte lepuri”, nuk e ka pranuar këtë variant, duke sugjeruar modifikimin e tij, sepse shfaqet dukshëm “rrufeja” në qell të hapur, në ditën me diell.

Varianti i dytë, i përpiluar një muaj më vonë nga i pari, në dukje është më serioz. Ai është përpiluar nga 3 mjek me emër dhe s’fumon plotësisht në opinion “rrufenë” në qiell pa re. Ata nuk kanë parë Tukun, por kanë analizuar kartelën. Ky variant, thotë se: pacienti është paraqitur me vonesë shumë të madhe mbi 30 orë, gjë që nuk thuhet në variantin e parë. Kjo është përgjegjësi e burgut, Tuku nuk u vonua se kishte ndonjë preokupim personal të rëndësishëm apo kishte trafik. Në atë kohë trafiku qe zero, se s`kishte makina dhe spitali ishte rreth 2.5 km. larg. Kjo vlerësohet si arsyeja kryesore e vdekjes. Në se është vonuar, qëllimi i vonesës ka qenë asgjësimi në qeli dhe ky do qe një krim banal. Do ishte për të qeshur, që vonesa të konsiderohet burokraci. Askush nuk guxonte ta vononte Tukun, duke marrë mbi vete përgjegjësi personale. Kjo vonesë shkaktoi shpimin e apendicitit dhe peritonitin “Akut”, thotë variant i dytë.

Është luajtur me vonesën për shtrim, për të arsyetuar vdekjen. Këtë unë e kundërshtoj. Me të dhënat e autopsisë dhe kartelës nuk mund të luhej, sepse ato nuk ishin nën pushtetin e Ministrisë së Brendshme. Kështu rrezikohej ose dekonspirohej arsyetimi i vdekjes. Për aq sa thuhet, kjo vonesë nuk ka rol fatal. Këtë pikë që quhet kryesore, do ta analizoj dhe shpjegoj me eksperiencën time dhe të pjesëtarëve të familjes. Tre fëmijë të Tukut (unë dhe dy motrat) kemi pasuar probleme me apendicitin.

Rasti i motrës së madhe qe peritonit. Zorrët e saj gurgullonin. Për shkak të rrethanave (internimit dhe sëmundjes së shëndetit mendor të saj) nuk mund të operohej. Pranuam të kurohej me doza të larta antibiotiku në shtëpi dhe më pas ç`fat të ishte. Nuk pati prani mjekësore, injeksionet i bënte tezja. Peritoniti u përtha. Kanë kaluar 38 vjet, fatmirësisht motra është gjallë. Rasti i motrës tjetër, ishte normal.

Rasti im qe peritonit. Shkova me 3 ditë vonesë në spital. Nuk kisha as dhimbje as temperaturë. Ndjeja fryrje barku dhe mezi përkulesha. Rija në krevat, pa ditur, që kisha apendicit, me mendimin se do kalojë. Këtë gjendje e kisha kaluar edhe 8 muaj më parë. Mbas ekzaminimit përfundova në operacion në urgjencë. Në konsultën e parë pas operimit, mjeku operator, i tha shefit, se unë, kisha peritonit dhe karçinomë (gangrenizim) dhe se pastrimi u bë me shumë kujdes. Kanë kaluar 15 vjet dhe fatmirësisht jam gjallë!

Si shihet, mjeku operator vëren dhe përcakton edhe shkallën e avancimit dhe rrezikshmërinë e sëmundjes. Ai operon duke eliminuar çdo pasojë dhe rrezik eventual. Peritoniti nis, jo kur fillojnë dhimbjet, por kur ç’pohet apendisiti. Atëherë dhimbjet zvogëlohen. Sa mbas fillimit të dhimbjeve, ndodh shpimi, kjo është individuale. Mjeku operator nuk ka ditur zhvillimet në burg (vonesën), por duke parë dhe prekur konkretisht gjendjen, ka konkluduar, se: pacienti ka ardhur pa vonesë. Edhe pse apendiciti mund të ketë qenë i shpuar, peritoniti ndoshta, sapo kish filluar. Aktiviteti i peritonitit nuk ka qenë preokupant. Peritoniti është vdekjeprurës kur ka vazhdueshmëri, shoqëruar me temperaturë të lartë mbas operacionit. Tek Tuku nuk ndodhi kjo. Kjo është domethënia për rastin. Përcaktimi i ardhjes brenda kohës së nevojshme si dhe plaga e përmirësuar, janë shumë domethënëse për ndodhinë e “rrufesë” në qiell të hapur, që pagëzohet peritonit “Akut”!

Në krimet e pa zbardhura dhe të lëna në haresë të “Falangës”, diagnozës i shtohet prapashtesa “Akut”. Në rastin e Tukut, justifikohet me peritonit “Akut”, ndërsa mbas pirjes së kafesë në klub, viktima diagnostikohet me infarkt “Akut”, ose gjendet i vetëvrarë në shtëpi ose në zyrë. Të çuditshme këto rastet “Akute”…?! Peritoniti i Tukut qe pa rrezik, u operua dhe kurua në kohë, u zhduk për 5 ditë, pastaj çuditërisht u bë pishman, u ngjall, mblodhi forcat dhe sulmoi si rrufe, duke asgjësuar si hakmarrës tinëzar viktimën, Tukun. Sigurisht ky lloj peritoniti “Akut”, do ketë qenë “inteligjent”, sepse ka vepruar si njeri?! Më bën përshtypje fakti që tregoj. Në bibliotekën e Tukut, kam gjetur një katalog, që zbardhte të gjitha krimet politike të Stalinit gjatë 29 vjetëve në krye të partisë. Është e tmerrshme si dhe sa koka ka qëruar me ndihmën e Berias (Ministër i Brendshëm), nëpërmjet doktor Levinskit dhe “Falangës”. Stalini vdiq në mars 1953. Tuku u dëbua nga Tirana, në fund të qershorit 1955.

Për dy vjet si u zbardhën këto krime mafioze staliniane, kur u përkthyen në shqip, kur u shpërndanë, kur përfunduan në bibliotekën e Tukut? E gjithë kjo në më pak se 2 vjet?! Është mbresëlënëse. Kur ka pre-dispozicion çfarë nuk bëhet dhe kur nuk ka pre-dispozicion, prapë çfarë nuk bëhet. Raporti i zbardhjes së krimeve të komunizmit për 2 vjet në Rusi me 32 vjet në Shqipëri, tregon pre-dispozicionin zero të klasës politike shqiptare. Kjo do të thotë, se duan të vdesin me Enverin hero. Varianti i dytë, shpërqendron fokusimin tek “rrufeja”, duke ngarkuar me përgjegjësi totale Drejtorinë e Burgut dhe Spitalin, duke bërë të paaftë stafin mjekësor, që e operoi dhe kuroi Tukun, duke  bërë përgjegjës sado pak dhe pacientin.

A mund të mos fajësohet Shteti në këtë rast? A duhet ta zbardhi shteti këtë rast? Pavarësisht kush levë e Shtetit përgjegjësohet me akuza reciproke, këtu kemi të bëjmë me një dëshirë dhe të drejtë për të jetuar, të një njeriu kontribuues për Shqipërinë, të ndërprerë nga vet levat e Shtetit. Pra thjesht kemi të bëjmë me një krim partiak, ku si veprues është përdorur Shteti me levat e tij. Ky quhet “krim shtetëror” Varianti i dytë vëmendjes i vendos frëngji, për të orientuar fokusimin kritik, atje ku do “Pëshpëritësi”. Ky është thelbi që shpjegon “Përsenë”. Në të dy variantet arsyet e tjera profesionale mjekësore nuk kanë ndonjë rol në fatalitetin e Tukut. Ato janë teori katalogu, për të manipuluar opinionin. Helmit nuk i shpëton dot as Zoti.

I dashur baba…! Në frymën e fundit, ti le një amanet, për zbardhjen e vdekjes tënde, të pranishmit dhe bashkëvuajtësit, z. Nikoll Zagoriani. Me ndihmën e tij dhe të miqve, kam arritur, ta zbardh historinë e saj, por nuk kam mundur, ta ligjëroj. Duhet bërë analiza toksike e kockave në laborator jashtë vendit dhe kjo ka një kosto. Janë dy arsye që e pamundësojnë:

-E para është zbardhja nga Shteti. Shteti ka krijuar dhe kompletuar fasadën institucionale, por fatkeqësisht, pa tagër dhe buxhet, për  zbardhjen e rasteve si yti. Për këtë Shteti është pa kujtesë, shurdh-memec dhe qorr. Rroftë fasada se, pre-dispozicioni mungon. Nëpërmjet avokatit nisa rrugën ligjore, që rastin tënd ta marrë materialisht përsipër Shteti. Stacioni i parë është Kryeministria. Këtu përgjigjja qe refuzuese, fyese dhe keqdashëse. Përse ky qëndrim për zbardhjen e së vërtetës? Ky aparatçik, i vënë në detyrë, për t`i shërbyer qytetarit duhet të ketë qëndrim shtetëror dhe moral për të vërtetën. Pozicioni, morali i Shtetit qëndron në anën e zbardhjes të së vërtetës, jo të largimit prej saj, si të jetë një mikrob vdekjeprurës. Shteti nuk është keq për ndofta 10,000 euro. Morali i tij qëndron mbi çdo çmim. Aparatçikut, nuk i’u kërkua të paguajë nga xhepi. Ai nuk ka detyrim, ndërsa shteti ka. Ai mund ta përcillte më lart problemin deri tek Kryeministri, por duket nuk i korrespondon vendit të dhënë.

Baba i dashur, qe çasti, që rinia shqiptare luftoi me përkushtim dhe vetëmohim për liri, drejtësi, barazi dhe mirëqenie. Nga këto vlera njerëzore brezi juaj nuk përsëritet më për Shqipërinë. Këto i predikonte komunizmi, se qe në modë. Si të rinj u joshët dhe krijuat një lëvizje të fuqishme. Çliruat dhe siguruat Shqipërinë në kufijtë e sotëm, fatkeqësisht sollët në fuqi “djallin përbindësh”. Pa përjashtim, idealistët dhe inteligjenca u shfarosën nga ky “djall”. Duke e parë nga pozita e sotme, po ta dije, për kë dhe përse luftove, me siguri do ishe penduar. l dalluar në aktivitetin tënd në Luftë dhe në ato pak vite në pushtet, more vlerën “Hero i Kombëtar” (kështu shkruan motivacioni). Konsiderohesh në përgjithësi një gur më vlerë, për përshtypjet që ke lënë. Pikërisht për këto them se është në nderin e Shtetit, të çojë në vend amanetin tënd.

Rasti yt ka të bëjë me një eliminim politik shkallë-shkallë deri në asgjësim fizik mafioz të një “Heroi të Popullit”. Gatishmëria e Shtetit për të zbardhur këto raste, respekton Shtetin dhe e nderon atë, gjithashtu respekton rangun dhe radhën, pavarësisht kohës kur ka ndodhur. Këtu nuk po përmend pasojat në familje dhe te vëllezërit. Amanetin s`e tret dheu (postulat shqiptar). Sigurisht koha bën të sajën dhe i gjalli harron të vdekurin, pa menduar se do t`i vijë radha dhe ky fenomen nuk përjashton as politikën. Prandaj, baba, po të ishe gjallë me siguri motivacionit të akorduar nga Kuvendi i atëhershëm, i mohuar mbas dënimit, i ricikluar mbas ‘90-ës, do t`i gjeje vendin. Ai nuk ka vlerë. Si i gjehet vendi në këtë rast, populli ka një shprehje. Vendin ia gjej dhe unë, se fiziologjikësh jetoj në rregull, por e kam kujtim. Pamundësia e dytë është pamundësia ime ekonomike. Paça jetën e gjatë, që të mund të plotësoj këtë amanet. Jam 75 vjeç, pra jam një minë me sahat. Duke menduar se koha e mbetur është…me pikëpyetje, do t`i drejtohem Shtetit nëpërmjet e-Albania, që të investohet për të bërë analizën toksike të eshtrave në rrugë ligjore./Memorie.al

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Marian Laca: 09/11/2022 10:59

    Agim. Baba jot ka marre ate qe ka merituar. Axha im Bernard Laca inxhinjer eshte pushkatua nga yt ate betem e vetem se ishte jo komunist. Mos fol ma se le name.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë