Në një lidhje telefonike për A1 Report ish-presidenti Alfred Moisiu ka sqaruar takimet e asaj kohe në Lazarat, një zonë kjo e vështirë për t’u depertuar pas sulmit me armë zjarri që iu bë dhe helikopterit të Interforcës italiane në Lazarat në gusht të vitit 2004. Moisiu ka treguar për bisedën në Lazarat mes tij, nënkryetares së kuvendit të asaj kohe Makbule Ceços, ministrit të Pushtetit Vendor e përfaqësuesve të tjerë me lazaratasit dhe kryetarit te komunës Lazarat.
Moisiu fali 62 emra me komision të posaçëm, 2 gra
Falja e firmosur nga Presidenti i Republikës Alfred Moisiu në korrik të vitit 2006 ka ardhur pas propozimeve të deputetëve të Kuvendit si dhe krerëve të pushtetit vendor. Madje, në atë kohë si rrallë ndonjëherë deputetë të të dy krahëve politik, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor kanë firmosur emrat që i janë dorëzuar presidencës për të kërkuar faljen e dënimit të mbetur. Madje në vitin 2006 Moisiu ka pranuar të dekretojë dy falje, e para me 62 emra dhe e dyta me 70 emra.
Në atë kohë burimet deklaruan se propozimet e emrave erdhën pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005, kohë kur palët u përfshinë në një fushatë zgjedhore. Ndaj dhe disa u konsideruan si premtime politike. Por se duke qenë se presidenca u fut në mes të këtyre listave, të ardhura nga të gjitha palët politike, komisionet parlamentare por dhe pushteti vendor, presidenti Moisiu kërkoi ngritjen e një komisioni të posaçëm. Komision që gjithsesi duket se ka bërë tolerime të dukshme. Madje Moisiu u kritikua se kishte falur persona të akuzuar për krime si vrasje, prostitucion dhe trafiqe, por vetëm dy femra.
Komisioni
Juristët dhe këshilltarët e Presidentit, ekspertët e Ministrisë së Drejtësisë, të Drejtorisë së Burgjeve dhe juristët e komisioneve parlamentare, morën në dorëzim, në atë kohë, emrat që i ishin paraqitur Presidenti të Republikës. Madje për këtë shkak dhe listat e paraqitura në presidencë u vonuan në disa muaj. Pikërisht në një nga dosjet që janë paraqitur ka qenë dhe emri i Razip Rustem Mahmutaj, i cili rezulton të ketë marrë mbështetjen nga deputetë të zonës së Gjirokastrës si dhe përfaqësuesit e pushtetit vendor.
Po ashtu presidenca në atë kohë bëri të ditur se vendimi u mor mbi bazën e dokumenteve dhe informacioneve që kanë ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Ndërsa Presidenca sqaroi se propozimet kishin ardhur nga deputetët, pushteti vendor dhe Drejtoria e Burgjeve. Por veç kësaj u vu re se në listën e atyre që dilnin nga burgu ishin vetëm 2 femra dhe pjesa tjetër ishin meshkuj.
Redaksia Online
(Shqiptarja.com)