“Kushterimi u –dha n’at chas ci Skanderbegu me shpatë n’dorë i prini Shqyptarve vet, e brima e t’ghithve ni herit tui lype lirii shkoi deri n’kupe t’cilles”. (Dom Ndoc Nikaj) Jubileu i 550- vjetorit të ndarjes nga jeta të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot -Skënderbeut, më shtyu për të shkruar këtë artikull. Por nxitja kryesore ishin ca artikuj që lexova sëfundmi në shtypin e shkruar për festimet e jubileut të 500-vjetorit të ndarjes nga jeta të heroit tonë në Shqipërinë e atëhershme dhe në emigracion.
Ndërkohë që Gulagu shqiptar në vitin 1968 ishte në kulmin e tij duke mbyllur institucionet fetare kishat, xhamitë e teqet, me një zell të tepruar, nga ana tjetër po punohej për një ngjarje të rëndësishme për qenësinë tonë kombëtare, 500-vjetori i Skënderbeut. Rëndësia e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut është e madhe për shqiptarët por dhe për të huajt, disa janë munduar ta përvetësojnë e disa ta përdhosin por i ka qëndruar kohës, e bashkë me të dhe ne shqiptarët.
Festimet dhe nderimet e vitit 1968 kishin përfshirë jo vetëm Shqipërinë e robëruar nga ideologjia komuniste, por dhe mërgatën shqiptare. Janë të njohura hedhja e themeleve për të përgatitur një bibliografi për Gjergj Kastriotin-Skënderbeun që në vitet ‘60. Bibliografia për Skënderbeun që u nis në vitet ’60 dhe përfundoi në 1997 më bashkautorësi të Jup Kastratit dhe Kasem Biçokut, si dhe me bashkëpunimin e studiuesve më të njohur.
Gazeta Bashkimi e janarit të 1968, i bënë jehonë këtij Jubileu, ndonëse ka ngarkesa ideologjike, por ato ishin të pashmangshme dhe pjesë e rutinës së historianëve e studiuesve. Duhet theksuar se në vitin 1968 u organizua një konferencë ndërkombëtare nga Universiteti Shtetëror i Tiranës, ku morën pjesë albanologë si; Fredi Tirie, Alen Dyselie, Xhuzepe Skiro dhe Nexhip Alpan, K.Trajmer, E.Patcelt, V.Georgiev, S.Dimitrov, J.Irmsher, të ardhur nga vende të ndryshme si Franca, Italia, Turqia, Hungaria, RD Gjermane, Bullaria, Autria etj.
Nuk munguan në këtë Konferencë të II të Studimeve Albanologjike, delegacione nga kolonitë shqiptare e punonjës shkencorë të ardhur nga Kosova si; prof.Mark Krasniqi, prof. Fehmi Agani, Idriz Ajeti, Anton Cetta, Syrja Popovci e Zef Mirdita. Festime të jubileut të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut pati dhe në qytete të ndryshme si Shkodër, Lezhë, Krujë etj. U hapen ekspozita kombëtare të arteve figurative në kryeqytet, e me 12 janar 1968 u inaugurua monumenti i Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në qendër të sheshit Skenderbej në Tiranë që ndodhet dhe sot, ky monument është realizuar nga skulptoret Odhise Paskali, Andre Mano dhe Jonaq Paço.
Për Gjergj Kastriotin janë shkruar vepra nga të huaj e shqiptarë, vepra të të gjitha gjinive letrare, deri edhe Antonio Vivaldi kompozoi një opera në 1718 që u shfaq për herë të parë më 22 qershor 1718 në teatrin e Firencës/Itali.
Gjergji ynë është bërë i pavdekshëm me veprimtarinë e tij kombëtare dhe njihet si simbol bashkimi, e jo më kot rilindasit e shek.XIX shkruan e sollën në vëmendje bëmat e tij, identiteti kombëtar po vihej në pikëpyetje në një kohë që popujt e tjerë të Ballkanit po pavarësoheshin nga Perandoria Osmane e ne ende ishim në fazën fillestare të ndërgjegjësimit kombëtar për mësimin e këndimin e gjuhës së ëmbël shqipe.
Edhe mërgata shqiptare e përkujtoi, po sjelli këtu ca pjesë nga artikulli i L’Albanie Libre, fq-3, 15 aout 1968: -“Historija asht mësuesja e jetës”- Dy data fatbardha njef historija e popullit shqiptar dhe të dyja i sollën vendit t’onë fryte jetësore: me 1444 Skanderbegu mblodhi në Lezh kryezotat e kapidanat e krahinave të ndryshme të Shqipnis dhe i lidhi me besë për të veprue me nji qëllim të vetëm. Aty lindi Atdheu shqiptar e vllaznimi i fisit. Mbas katërqind vjetsh ajo ndienjë vllaznore e strukun në zemer të Shqiptarve, lulëzoi papritmas e shkaktoi nisjen e lëvizjes për rilindjen e kombit.
Me 1878 Abdyl Frashëri, tue ndjekun gjurmat e Skanderbegut, tuboi në Prizrend Krenët e mbarë Shqipnis edhe rindërtoi njisin shqiptare qi robnija shekullore azjatike kishte shpartallue. Lidhja e Prizrendit, me frymen e vet ringjallëse, u dhuroi Shqiptarvet 28 Nandorin 1912. Kur Prendija ka me na falun nji Njiri mendendritun e zemerbardhë qi t’i nxjerri popullit shqiptar, ndrydhë në rrethana fatzeza, flakimin e ri të vllaznisë? Dy data 1444 e 1878 duhet qi t’i shoshisim thellësisht në ndërgjegjen t’onë e ta bindim veten se vetëm bashkimi na shelbon. Atëherë ndoshta datën e tretë lumnuese ia afron fati Shqipnis.”
Mërgata shqiptare ka lobuar dhe iniciuar ngritjen e monumenteve të Gjergj Kastriotit në vende të ndryshme, pasi Skenderbeu i përket mbarë civilizimit evropian e jo vetëm shqiptarëve, dhe është për tu vënë në dukje dhe ngritja e monumentit të Skënderbeut për herë të parë në ShBA në fund të shkurtit të 2010, nismëtar i kësaj ngjarjeje ishte Dom Anton Kçira, Kryefamullitar i kishës së Shën Palit. Përmendorja e heroit kombëtar shqiptar në Detroit është punua nga skulptori shqiptaro-amerikan, Kreshnik Xhiku.
Sot në 550 vjetorin e vdekjes së Heroit tonë na duhet të mendojmë jo vetëm për ta përkujtuar, por për ta plotësuar sa më të plotë figurën e tij si detyrim kombëtar, e për këtë duhen bërë kërkime në arkivat e Italisë, Frances, Gjermanisë e Stambollit duke përfituar dhe se tashmë shteti shqiptar është në rrethana të favorshme politike ndryshe nga 50 vite më parë që ideologjia kufizonte dhe punën shkencore.
d.c./shqiptarja.com