“Dekreti mbi Paqen” mbërriti edhe në Shqipërinë e pushtuar nga një çetë e tërë shtetesh të huaja. Ngulëkëmbja e Vladimir Iliç Leninit për të mos lejuar përvetësimet e territoreve të kombeve të tjera qe një mbështetje e madhe edhe për mbijetimin e saj, madje i kishte ardhur në çastin më të duhur. E papritura e këndshme për shqiptarët ishte se e mira këtë herë po vinte prej një shteti që tradicionalisht e njihnin si shumë të afërt me vende fqinje që ato momente po e copëtonin mes tyre.
Megjithatë në atë nëntor 1918 “Dekreti mbi Paqen” nuk depërtoi dot deri tek shqiptarët e thjeshtë dhe kështu nuk u bë dot lajm. Për pasojë ai nuk hyri dhe as u ngulit dot në memorien e tyre.
E kundërta ngjau disa ditë më pas, kur në 19 nëntor, me vendim të kongresit të dytë të Sovjetëve, për të demaskuar diplomacinë e fshehtë të Rusisë cariste, qeveria sovjetike botoi traktatet e fshehta grabitqare që ndanin botën. Mes tyre qe edhe Traktati i Fshehtë i Londrës i 26 prillit 1915. Marrëveshjet tinëzare menjëherë pas daljes nëpër faqet e shtypit sovjetik, si të qenë një ortek i pandalshëm, mbushën edhe kolonat e të përditshmeve të botës, përfshi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këtu shumë fragmenteve të tyre i bënë jehonë “Evening Post” e Nju Jorkut si edhe gjatë gazeta të tjera.
Thuhet se në fillim presidenti amerikan Uodrou Uillson nuk i dha shumë rëndësi efektit të këtij aksioni politik dhe po aq ideologjik të ardhur nga tashmë supershteti rival. Do të lëvizte më pas me shpejtësi, deri sa do të ndërmerrte gjestin e kundërveprimit: fjalimin në Kongres. Në gazetat që dilnin në gjuhën shqipe në zonën austro-hungareze të pushtimit u publikua lajmi për Traktatin e Fshehtë të Londrës dhe çfarë ai kishte vendosur në pabesi për fatin e tyre: copëtimi i plotë mes fqinjëve, Serbisë, Greqisë dhe Malit të Zi. Italia përveç se ishullin e Sazanit e portin e Vlorës bashkë me rrethinat do të kishte të drejtën e protektoratit mbi një çerek shtet shqiptar, kryesisht mysliman e të shtrirë pak më sipër e ca më poshtë lumit Shkumbin, atje ku në kohën e perandorisë romake kishte kaluar rruga Egnatia.
Nga lajmi i beftë dhe tërësisht i pabesë mes shqiptarëve brenda kufijve të hapësirës etnike por edhe kudo ku të emigruar gjendeshin nëpër botë, shpërtheu indinjata.
Kështu në atë janar të vitit 1918 presidenti amerikan Uodrou Uillson, ndërsa ende kumti për fjalimin e tij “14 pikat” nuk kishte mbërritur, qe një emër shumë më pak tërheqës se ai i Vladimir Iliç Leninit. Kryebolsheviku sovjetik po bëhej përherë e më shumë simpatik mes shqiptarëve. I kishte të gjitha gjasat të shndërrohej në figurë popullore.
apo uillsonizëm?
Presidenti amerikan Udrou Uillson qe mbi të gjitha një idealist i madh. Ai qe plotësisht në lartësinë e një burri shteti ndërsa kuptoi se në fatin e njerëzimit regjimet me liri të ndaluara po shfaqeshin si oguri më i zi i atij shekulli të njëzetë dhe se në luftë me këtë kanosje planetare i binte për detyrë historike Shteteve të Bashkuara të Amerikës të ishte në vijë të parë. Uillson ishte internacionalist i madh dhe duke qenë mbrojtës i shquar i më të dobtëve, qe njëkohësisht edhe i vendeve të vegjël. Presidenca e tij, veçanërisht në vitet e fundit, arriti të krijojë një doktrinë të tërë me vlera mbarënjerëzore: Uillsonizmin. Në sistemin shoqëror të një shteti ky ishte kapitalizmi thellësisht demokrat. Në marrëdhëniet ndërkombëtare Uillsonizmi qe mbrojtje për të drejtat e popujve të vegjël.
Uillsonizmi ishte “komunizmi” i vërtetë. Me këtë platformë doktrinare dhe vizion global vetëm një president si Udrou mund ta përballonte bolshevikun dinak dhe energjik, me mendje tejpamëse dhe mobilizues magjik i turmave, tiranin e maskuar si liridashës të madh, Vladimir Iliç Leninin. Ky i vuri përballë shemrit të tij amerikan doktrinën e tij, e cila qe shoqëria komuniste, e zbatuar në një vend posaçërisht shumë të varfër, por që pak nga pak do të bënte për vete e pushtonte edhe shtetet e pasur.
Doktrina e Vladimir Iliçit qe edhe internacionaliste, madje kishte mision të eksportohej, të realizonte revolucionin botëror.
Ajo u quajt Leninizëm.
Vdiq i pari Uillsoni, pas dy javësh Lenini
Në fund të vitit 1917, kur njëri pas tjetrit ose të dy njëherësh, pa u kuptuar mirë cili prej tyre qe i pari, mes shqiptarëve hynë Udrou Uillson dhe Vladimir Iliç Lenini, vendi ynë thjesht kishte ngritur në 28 nëntor 1912 flamurin e pavarësimit, por nuk qe akoma shtet i pavarur. Ndodhej në gjendjen e kundërt. Ishte krejtësisht i pushtuar. Madje qe i copëtuar, çka do të thoshte se përjetonte grahmat e një situate më të keqe se pushtimi. Deri ato çaste kishte patur shqiptarë, por jo Shqipëri. Pikërisht kjo Shqipëri për herë të parë, kur Uillson dhe Lenin u shfaqën dhe u spikatën në fatin e botës, ndodhej në buzë të asgjësimit fatal.
Si prijësi i parë ashtu edhe i dyti, edhe pse rivalë doktrinarë të papajtueshëm, ndaj shqiptarëve u afruan me gjeste të njëjta e tërësisht në favor të tyre. Qe një rast shumë i rrallë që dy supershtete të globit nuk ishin për shuarjen e popullit tonë të vogël, siç kaq fort e lakmonin dhe po e realizonin fqinjët tanë serbë, grekë dhe malazezë. Duke u mbështetur mbi reagimin e shtypit të kohës lihet përshtypja se gjesti i Vladimir Iliç Leninit ka ushtruar mbi shqiptarët një veprim më të fortë, më gjurmëlënës, se ai i Udrou Uillsonit.
Denoncimi i Traktatit të Fshehtë të Londrës i 26 prillit 1915 nuk zhurmoi vetëm në gazetat e pakta të Shqipërisë ende e mbipushtuar, por edhe në diasporën kombëtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më të fuqishmen mërgatë të shqiptarëve jashtë. Gazeta “Dielli” e marsit 1918, ndërsa për këtë traktat të ligë shprehej se qe “Qefini i Shqipërisë”, për veprën e kryekomunistit bolshevik Vladimir Iliç Lenin shkruante “Ishte sy për të verbrit dhe veshë për të shurdhrit”. Aq e fortë qe vala e zemërimit sa shoqata “Vatra” i shkroi britanikes “The Manchester Guardian” se ajo marrëveshje e pabesë, e hartuar dhe e firmosur fshehtas në kryeqytetin e tyre dhe që përjetë do ta mbante Londrën si vendin e krimit, ishte “një nga aktet ndërkombëtare më të errëta që mund të përmenden”.
Aq e shungulluese ishte vala e indinjatës së shqiptarëve në trojet e tyre sa që autoritet italiane të pushtimit në zonën e tyre të kontrollit bënë përpjekje të sforcuara për ta fashitur shqetësimin dhe zbutur kundërveprimin. Komanda e Truparmatës XVI i porositi prefekturat dhe nënprefekturat në juridiksionin e saj të përhapnin kudo fjalë se gazeta ruse “Izvestija” nuk e kishte bërë publike të gjithë të vërtetën, por me qëllim të keq pati botuar vetëm një variant të parë dhe aspak marrëveshjen e vërtetë, ku sipas tyre italianët nuk qenë shprehur dakord për copëtimin e Shqipërisë.
Për shkak të shumë rrethanave të mëpasshme garimi i Udrou Uillsonit me Vladimir Iliç Leninin për të fituar epërsi mes shqiptarëve (kjo ndodhte ndërkohë edhe me shumë popuj të botës) do të vijonte shumë i thekshëm deri në çastin kur të dy do të ndërronin jetë. Edhe pse nuk qenë të së njëjtës moshë (presidenti amerikan kishte vitlindje 1856-tën dhe kryekomunisti sovjetik 1870-ën), ditëvdekjet iu gjendën shumë afër. Lenini vdiq në 21 janar 1924, kurse Uillsoni në 3 shkurt të po atij viti.
Lajmi për këto dy jetëhumbje u përhap në të tërë globin.
Në trojet shqiptare gazeta “Politika” e vlerësoi Vladimir Iliçin si njeriun që denoncoi traktatet e fshehta dhe e shpëtoi shtetin shqiptar, se i ruajti tërësinë tokësore si edhe pavarësinë. Ajo botoi edhe frazën mallëngjyese “Vdiq Lenini dhe bota qan”. Ndërkohë nëpër faqet e gazetave shqiptare të kohës gjeje për të edhe shprehjen “miku i popujve të vegjël” apo deri edhe gjykime thellësisht ideologjike si “gjeniu i revolucionit socialist”.
Në SHBA gazeta “Dielli” e muajit shkurt theksoi “Me vdekjen e Vladimir Leninit shuhet pa fjalë një mendje e thellë që diti, sidomos në kohërat e fundit, të shkulë përgjithnjë rrënjët e zeza të absolutizmit të carëve dhe të ngrejë në shkallën e duhur emrin e popullit”. Në 4 shkurt, vetëm një ditë pas jetëhumbjes së Udrou Uillsonit, parlamenti shqiptar, i quajtur atëherë Asambleja Kushtetuese, u përfshi në një debat të madh, ngjarje e bujshme e cila gjatë pesëdhjetë viteve të diktaturës asnjëherë nuk u rrëfye në pamjen e saj të vërtetë. Madje që prej këtij çasti ka nisur një nga deformimet më të pacipa dhe manipulimet më dinake të historisë shqiptare të shekullit të shkuar. Regjimit i duhej të provonte se idetë komuniste jo vetëm kishin qenë pritur me entuziazëm të madh menjëherë pas triumfit të bolshevizmit në Moskë, por ndjekësit e tyre më ps u shtuan aq shumë sa që përbënin një grup të fortë edhe në parlamentin e kohës.
4 shkurt 1924
Këtë periudhë është ngjarja e ndodhur në sallën e Asamblesë Kushtetuese, ku për presidentin Uillson dhe kryebolshevikun Lenin u kërkua mbajtja e heshtjes nderuese. Vetë ngjarja e mbajtjes zi për të dy shtetarët e fuqishëm botërorë, është tepër e rrallë, shumë e veçantë, e pangjarë atë kohë në parlamente të tjera. Ajo është shumë shprehëse e dukurisë që mbart, përballjen në Shqipëri të Uillsonizmit me Leninizmin. Në se ky ballafaqim u bë për hir të çështjes kombëtare apo si doktrinë ideologjike, me epërsi të njërës apo të tjetrës, meriton vëmendje shumë të madhe sepse pikërisht kjo është edhe karakteristika e kësaj ngjarjeje. Po qe se e lexojmë qartë do të mund të kuptohet për ku anonin më shumë shpirtërisht shqiptarët.
Pra për cilin, Uillsonin apo Leninin, për Amerikën apo Rusinë, rrihte më shumë zemra e tyre.
Tani po tregojmë ngjarjen
Në 27 dhjetor qenë kryer votimet për Asamblenë Kushtetuese dhe në 2 shkurt ajo çeli punimet e saj në Tiranë. Në 3 shkurt ndërroi jetë presidenti amerikan dhe lajmi në Shqipëri nuk mbërriti dot brenda një apo dy orëve. Veç në 4 shkurt ai qe përhapur kudo. Në mbledhjen e Asamblesë së kësaj dite, madje që në fillim të saj, deputeti Rauf Fico u ngrit dhe tha: "Zoti kryetar! Pa hy në bisedimin e rendit të ditës, dua të bëj një proponim. Me hidhërim muarmë vesht se ish kryetari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Willsoni, vdiq. Duke marrë parasysh shërbimet e mbëdha që i ka bërë Shqipërisë, proponoj të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi dhe t’i hiqet një telegram ngushëllimi familjes së të ndjerit".
Menjëherë pas kësaj e mori fjalën deputeti Jashar Erebara dhe nguli këmbë të bëhej e njëjta gjë edhe për Leninin, i cili kishte vdekur që në 21 janar dhe duke qenë se Asambleja ato çaste nuk ekzistonte tani e kishin mundësinë ta shprehnin hidhërimin.
Menjëherë pas Erebarës u shpreh Avni Rustemi, i cili qe deputet i Kosovës. Ai e mbështeti propozimin e Erebarës dhe deklaroi “E dini fare mirë, zotërinj, se qysh ai mbrojti principet e larta të njerëzisë e se qe i pari që denoncoi traktatin e fshehtë të 1915-tës që ishte për copëtimin e Shqipërisë”.
Këto zhvillime tekstet e historiografisë së diktaturës i kanë përshkruar si një betejë e ashpër mes deputetëve reaksionarë (që mbështetnin nderimin e Uillsonit) dhe përparimtarë (ata që ndërhynë për t’ia bërë nderimin Leninit). Po ashtu këto libra shkruajnë se vetëm me këmbënguljen e këtyre të fundit Asambleja Kushtetuese mbajti pesë minuta pushim edhe për vdekjen e shefit të Sovjetëve.
Ai ishte vërtet kështu?
11 shkurt, flet edhe Fan Noli
Historiografia e shkuar, e ndikuar nga një platformë ideologjike nuk shpjegoi asnjëherë se propozimi në Asamblenë Kushtetuese për të mbajtur pesë minuta heshtje për Vladimir Iliç Leninin ishte ngjarje e dytë, veprim pasojë, reagim i drejt për drejtë ndaj gjestit të shumicës parlamentare për të mbajtur zi në kujtim të Udrou Uillsonit. Rikujtojmë se ky pati ndërruar jetë në 21 janar dhe se pikërisht këtë datë në Tiranë kishte çelur punimet, e porsazgjedhur dhe e shpallur ligjërisht, Asambleja Kushtetuese. Ka të ngjarë që lajmi i rëndësishëm për të gjithë botën, sidomos edhe për Shqipërinë ku emri i Vladimir Iliçit lidhej tërësisht me denoncimin e guximshëm të Traktatit të Fshehtë të Londrës, atë ditë të mos ketë mbërritur dot në mjediset zyrtare të kohës.
Në të vërtetë sipas rregullit më elementar ai njoftim duhet të ketë hyrë në kryeqytetin shqiptar brenda asaj mbrëmjeje, të paktën, por sidoqoftë në punimet e Asamblesë për atë 21 janar ai nuk është përmendur fare. Nuk ndodhi kjo as në ditët e mëpastajme, ndërsa kuvendi i parlamentarëve, në debatin e tij të përgjithshëm nëse Shqipëria do të ishte republikane apo do të vendoste një sistem monarkik, u mblodh disa herë. Ja pse mbetet shumë e panatyrshme çdo përpjekje për ta shpjeguar propozimin Erebara-Rustemi si rrjedhojë të një pranie të ideologjisë marksiste-leniniste tek ta. Apo edhe thjesht të një simpatie personale për komunizmin.
Ca më shumë do të qe e padrejtë që çfarë kanë shqiptuar ata të interpretohet si prirje e shoqërisë shqiptare. Kur shumica e deputetëve shqiptarë, të quajtur si reaksionarë nga historiografia zyrtare e Tiranës, kërkoi mbajtjen e zisë për Uillsonin, më shumë se prej kritereve ideologjike veprimin e kreu e shtyrë nga motive kombëtare. Presidenti amerikan pati mbrojtur Shqipërinë dhe po ashtu, si Lenini, denoncuar automatikisht edhe Traktatin e Fshehtë të Londrës. Kur deputeti Jashar Erebara propozoi pesë minutat e heshtjes në kujtim të udhëheqësit të Revolucionit të Tetorit kishte në mendje të njëjtën vlerë e shërbim në favor të popullit të vogël të shqiptarëve, aspak Marksin dhe as Engelsin, kurrë thirrjen e tyre “Proletarë të të gjithë vendeve bashkohuni!”
Shënojmë se në 4 shkurt, kur Erebara-Rustemi propozuan pesë minutat e heshtjes nderuese për Vladimir Iliçin dhe Asambleja Kushtetuese ra dakord, Noli nuk ndodhej në sallë. Këtë e sqaron vetë të hënën pasardhëse, 11 shkurt, pasdite. Në protokollin e asaj seance është shkruar se “Imzot Fan Noli, Kryepeshkopi dhe Mitropoliti i Durrësit, i Gorës dhe i Shpatit” i është drejtuar kryetarit të Asamblesë Kushtetuese, Petro Goga, me këto fjalë “Nga shkaku i një moskuptimi nuk u ndodha të hënën e kaluar në mbledhjen ku u përmend vdekja e Presidentit Uillson. Kisha pak fjalë për të thënë atë ditë, e pasi nuk munda, ju lutem të më jepni leje t‘i thom sot”. Është tepër e qartë: Në 4 shkurt, ndërsa u mbajtën nga pesë minuta zi për presidentin amerikan dhe pastaj për udhëheqësin komunist sovjetik, Fan Noli, po të ndodhej në sallë nuk do të shqiptonte asnjë fjalim për Leninin.
Kur sipas protokollit thuhet “Zëra: Pranohet”, pra iu dha leja gjërësisht nga deputetët, Noli nisi të flasë. Ja cilat janë ato që dëshiron t’i bëjë publike para gjithë opinionit të bashkëkombësve: “Amerika edhe tërë bota vajtuan këto ditë vdekjen e Udrou Uillsonit, të njëzetë e tetit President të Shteteve të Bashkuara. Pranë Amerikës merr pjesë në këtë zi dhe Shqipëria, e cila qan në fytyrën e tij Amerikanin e math, idealistin bujar dhe mprojtësin e saj më të fortë”. “Titulli "Amerikan, tha Fan Noli në atë pasdite, mjafton që t‘a bëjë popullin tonë të marrë pjesë në çdo vajtim të Amerikës, se që të gjithë e dimë sa të mira kemi parë prej saj”. Më tej: “Që në 1900 Amerika ka qenë kurbeti më i math i Shqipëtarëve. Që më 1914, kur Shqipëria u shkel prej të huajve, Amerika u bë vendi ku shqiptarët shkonin për të shpëtuar jetën e tyre e për të fituar bukën e familjes”.
Menjëherë më pas Fan Noli ka të shqiptuara edhe këto fjalë lapidare: “Për të njëzet e pesë vjetët e funtme Amerika ka qenë për shqiptarët një fushë pune dhe një shkollë: Një fushë pune ku fiton aqë para sa ishin të zotët, dhe një shkollë ku mësonin respektin e kanunit, disiplinën, vlerën e organizimit dhe detyrat kundrejt atdheut, kështu që ktheheshin në Shqipëri krejt të transformuar dhe njerëz me idera të ra”. Në atë kuvend kushtetues Fan Noli qe i pari me të drejta ekskluzive për të folur për presidentin amerikan dhe më pas askush tjetër nuk pati shkëlqim.
Dita e 11 shkurtit ishte dita e tij. Në fjalën e vet shumë të sinqertë Noli nuk harroi qëllimisht t’ua kujtojë kolegëve dhe opinionit publik se në biografinë e tij politike përveç takimit personal me Uillsonin (më 4 korrik 1918, në pelegrinazhin e organizuar nga presidenti amerikan në Mount Vernon), kishte edhe një ngjarje shumë të veçantë, të paposeduar nga kurrkush tjetër. Si Ministër i Jashtëm i vendit të vet ai pati qënë në Gjenevë në ditët e orët historike kur Shqipëria u pranua në Lidhjen e Kombeve. "Ndjeva një lëmsh mallëngjimi në grykë”, shqiptoi solemnisht në Asamble, “dhe më rrotullonte në kokë një emër, që ka fituar mirënjohjen e gjithë zemrave shqiptare, emri i Presidentit Wilson".
[gallery]24177[/gallery]
(Vijon)
Redaksia Online
D.T/Shqiptarja.com