Biznesmeni shqiptaro-maqedonas Remzi Hoxha sipas dosjes së prokurorisë është rrëmbyer në rrugën "Siri Kodra", afër një magazine që ndodhet tek zona e quajtur "Frigoriferi". Persona civilë i kanë kërkuar atij që të shkonte me ta, dhe pasi e kanë futur në një automjet ai është transportuar në sekret të plotë, në bazën e SHIK në Lezhë. Pikërisht në këtë bazë, janë shoqëruar edhe dy persona të tjerë shtetasi Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli, të cilët së bashku me Remzi Hoxhën janë torturuar nga të pandehurit Ilir Kumbaro, Arben Sefgjini dhe Avni Koldashi me metoda çnjerëzore.

Loshaj, është hedhur nga kati i tretë i godinës, dukë kërkuar të vetëvritet vetëm për ti shpëtuar torturave çnjerëzore, ndërsa fati i Remzi Hoxhës, nuk është i qartë nga prokuroria,e cila ka ngritur dyshime se biznesmeni ka vdekur si pasojë e torturave dhe se trupi i pajetë i tij është zhdukur nga të pandehurit në një vend që ende dhe sot nuk dihet. Ndërkohë që fati i ka buzëqeshur dy të shoqëruarve të tjerë, Ziso Kristopuli dhe Avdyl Loshaj, të cilët duke pranuar të bashkëpunojnë me SHIK, kanë arritur të fitojnë lirinë dhe të shpëtojnë nga torturat që bëheshin në bazën sekrete të Vaimit në Lezhë. Loshaj dhe Kristopuli, kanë mundur të larguhen jashtë shtetit, duke kërkuar azil politik, për atë çka kishin hequr në shtetin e tyre. I vetmi që nuk mundi të përballojë torturat ishte Remzi Hoxha, familjarët e të cilit edhe pse kanë kaluar plot 17 vite nga kryerja e krimit, nuk kanë rreshtur së kërkuari eshtrat e njeriut të tyre. Ata akuzojnë direkt, qeverisjen e asaj kohe si dhe kryeministrin Berisha, se ka gisht në zhdukjen e Remzi Hoxhës.

(eq/shqiptarja.com)