Si u shantazhua nga politika
prokurori i çështjeve të bujshme

Si u shantazhua nga politika<br />prokurori i çështjeve të bujshme
TIRANË - Nëse ka ndonjë prokuror, që i rezistoi për një kohë të gjatë akuzave të politikës, dhe u vu në qendër të tyre më shumë se një herë, ai quhet Zamir Shtylla. Ka mbi supe më shumë se 37 vite punë me drejtësinë, e për 18 vjet qëndroi si prokuror i Prokurorisë së Përgjithshme. Në vitet e fundit të punës atje, si Drejtor i Hetimit, gati gati, numri dy i Prokurorisë së Përgjithshme. Por, u desh ndërhyrja e politikës, që me një të rënë të lapsit, duke paraqitur një dorëheqje sa për sy e faqe, Ina Rama, ish prokurorja e Përgjithshme, e etiketuara Silvia Konti nga ish kryeministri Sali Berisha, i firmosi dorëheqjen nga prokuroria e Përgjithshme.

Shumë herë i është përmendur emri në media, pak gazetarë e kanë takuar dhe kanë arritur t’i marrin informacione për punën që bënte. Ishte prokurori që punonte më shumë dhe fliste më pak.

Në vitin 2010, u gjet një argumentim për të ashtuquajturin ligj të “Dosjeve”, që ish kryeministri Sali Berisha të drejtonte shigjetat e sulmit tek njeriu që po e ngacmonte më shumë në punën e tij: ai e kishte emrin Zamir Shtylla, dhe ishte duke hetuar në atë kohë, dosje shumë të rëndësishme, dhe ndër më kryesoret, dosja “Gërdeci”. Ishte koha kur opionioni publik po zjente nga publikimi në media i dosjes “Gërdeci” dhe përmendjes në media të emrit të djalit të kryeministrit, Shkëlzen Berisha.

Historia
Zamir Shtylla është njeriu që u mor me gjyqin e kafeve ndaj Nexhmije Hoxhës. Kjo e fundit e kujton shumë mirë dënimin e vitit 1992 dhe burgosjen e saj. Por Zamir Shtylla, ndoshta nisur edhe nga presioni i kohës, i bëri hetimet për këtë çështje.

Por Nexhmija ishte një ndër gratë e nomeklaturës që u dënua nga Shtylla. Shumë vonë, në vitin 2010, zoti Shtylla do të akuzohej nga kryeministri Sali Berisha pikërisht për punën e tij si hetues në vitet e komunizmit. U gjet një person, Gëzim Peshkëpia, i cili në po atë vit, në televizionin “Klan” e akuzoi prokurorin e Gërdecit se ishte direkt përgjegjës për burgosjen persekutimin e tij dhe të familjes në një proces të vitit 1975. Madje Peshkëpia, fliste edhe për tortura çnjerëzore dhe monstruoze ndaj tij dhe familjes së tij.

Rasti u gjet. Berisha dha urdhër që ligji i Dosjeve të risillej në vëmendjen e politikës, madje të dërgohej për miratim shumë shpejt në parlament. Sesioni i ri parlamentar i vitit 2010, ziente nga debatet dhe diskutimet që kryeministri kërkonte përfshirjen në këtë ligj të gjykatësve e prokurorëve, ndërkohë ish opozita (PS) fliste në media për shkelje të parimeve kushtetuese. Ambasadorët e vendeve të BE dolën po ashtu kundër. “Gjuetia e shtrigave” kishte filluar, sidomos për prokurorë që po merreshin me çështje të rëndësishme hetimore korruptive, dhe kjo ishte shumë e qartë. Berisha u nxeh, emrat e prokurorëve, mes të cilëve Zamir Shtyllën, filloi t’i përmendë një e nga një. Madje gjithë media vlonte me debate dhe diskutime. Dukej se iniciativa ligjore po dështonte.

“Ishte koha kur u kisha dhënë detyra të qarta prokurorëve për të marrë në pyetje njerëz me pushtet politik, siç ishte rasti i Ministrit të Drejtësisë (Aldo Bumçi në atë kohë, shën.red) dhe ish Ministrit të Mbrojtjes. Dosja Gërdeci po shkonte drejt fundit. Do akuzoheshin ushtarakë e politikanë”, kujton këtë çështje në një intervistë një vit më vonë për GSH, Zamir Shtylla.

Po kërkonte me çdo kusht që për çështjen “Gërdeci”, tragjedinë e 15 marsit 2008 ku humbën jetën 26 persona, brenda dhjetorit 2009 për të mos u shkelur afatet proceduriale, dosjen hetimore ta çonte në Gjykatë. Por nuk pati kohë. Kryeministri Berisha e sulmoi publikisht dhe hapur. Nën presion të vazhdueshëm, dha dorëheqjen nga posti i drejtorit të hetimeve për çështjen Gërdeci duke e transferuar në prokurorinë e Elbasanit. Numri dy i prokurorisë së Përgjithshme, duhet të ngrinte plaçkat, e të kalonte një prokuror i thjeshtë rrethi, a thua se do të hetonte ndonjë “mallist” që dilte e shiste hashash në rrugët e qytetit. Nuk kishte denigrim më të madh për njeriun që kishte mbi supe disa dosje të rëndësishme hetimore. E gjeti veten në mes të katër rrugëve. Askush nuk i doli në mbrojtje.

Skeda pas 1990
Viti 1991- Drejtor në Prokurorinë e Përgjithshme
Viti 1993 – Drejtor i Hetimit - Shkrihet Hetuesia me Prokurorinë e Përgjithshme
Viti 1995 – Prokuror në Apel
Viti 2000 – Specialist i drejtorisë së Krimit të Organizuar në Prokurorinë e Përgjithshme
Pas vitit 2000 – Drejtor i drejtorisë së Hetimit gjatë kohës së Sollakut e Ina Ramës

Rasti Fazlliç
Nuk ka qenë e thjeshtë puna e Zamir Shtyllës. Rasti i biznesmenit serbo-boshnjak Damir Fazlliç, ishte një tjetër objekt i punës dhe veprimtarisë së tij në prokurorinë e Përgjithshme. Fazlliç ishte i njohur për lidhjet e tij politike, madje, drejtpërsëdrejti me kryeministrin Sali Berisha. Damir Fazlliç, ishte aq i pushtetshëm, saqë merrte pjesë edhe në mbledhjet e komisionit të sigurisë në Këshillin e Ministrave. Po hetohej për kontrata të rëndësishme pastrimi parash e blerje trojesh. Por, për të sqaruar akuzat, del në “opinion” në TV Klan. Prokurorët e kërkojnë në studiot e televizionit. Ai u shoqërua që aty në Rinas.

Prokurorët lajmëruan Rinasin për të mos u larguar nga Shqipëria. Policët, e shoqëruan deri te Avioni. Nuk kishte kthim pas. Zamir Shtylla, po i zgjaste këmbët më shumë se ç’kishte jorganin. Dalëngadalë po e mbushte kupën. Berisha në parlament deklaroi se e kishte mik shtëpie Damir Fazlliçin, e po të donin, ta merrnin edhe te shtëpia e tij. Deklarata e bujshme u bë gjatë një seance plenare. Deputetët e PD nuk ngurruan. Filluan menjëherë sulmet ndaj prokurorit që po merrej me hetimin e çështjes. Ai quhej, Zamir Shtylla.

Dosja “Basha, Durrës-Kukës”
Zamir Shtylla, ishte i njëjti prokuror që vite përpara largimit do të diskutonte një ndër çështjet më të mëdha, më të bujshme, ende të pazbardhura per sistemin e drejtësisë. Ka të bëjë me akuzat për abuzimet në rrugën Durrës-Kukës. Nuk ishte vetëm media, që e shqetësonte ditë pas dite qeverinë dhe kryeministrin Sali Berisha. Por një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit, e vërtetuar me katër ekspertë, nxorri një abuzim në shifrën e 220 milionë eurove për punimet e “Rrugës së Kombit”.

Prokuroria filloi menjëherë procesin. Hetimet po zhvilloheshin intesivisht. Drejtoria e Hetimit, e drejtuar nga Shtylla, bëri dhe akuza konkrete. “Nuk dua të flas për këtë çështje, tha Shtylla dy vite më parë. Gjykata ka folur, dhe prokuroria po ashtu. Por në mendimin tim, gjykata duhet ta kishte gjykuar këtë çështje dhe duhet të kishte dhënë një vendim” ishte konstatimi i ish kryeprokurorit.

Por jo. Gjykata gjeti shkelje proceduriale dhe Lulzim Basha, ish ministër i Transporteve që urdhëroi fillimin e punimeve dhe çdo pagesë tjetër për këtë rrugë, vetëm për çështje proceduriale, i shpëtoi gjykimit, dhe kjo deri në gjykatën e lartë. Zamir Shtylla, si prokuror që njeh ligjet e shtetit, nuk kishte çtë bënte. Do t’i bindej vendimit të gjykatës, dhe do të shihte përpara për çështje të tjera.

Puna në kohën e monizmit
Zamir Shtylla nuk e ka mohuar asnjëherë se ka punuar gjatë kohës së diktaturës. Normal, si një student që kishte përfunduar Universitetin, do të fillonte shkollën. Akuza që iu bë në 2010 kur filloi sulmi ndaj tij, ishte pikërisht me dosjet e diktaturës. Por në të vetmen dalje publike dhe në një njoftim për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme në kohën kur sulmohej, Zamir Shtylla, hodhi poshtë pretendimet e akuzatorit të tij, Peshkëpia.

“Ai më akuzon për një ngjarje në vitin 1975, por kjo nuk është e vërtetë. Unë kam filluar punë në Hetuesi, në vitin 1976” thoshte Zamir Shtylla në sqarimin e prokurorisë së Përgjithshme. E ka treguar vetë se para viteve ’90 ka qenë hetues në Berat. “Nuk kam pasur procese politike, sepse hetuesit që merreshin me çështje politike kanë qenë hetues të profilizuar dhe ishin hetues pothuajse të njohur dhe të përcaktuar”. Ky ka qenë përkufizimi i akuzave që iu bënë për kohën e diktaturës, nga goja e vetë ish-prokurorit. Ka punuar edhe në Sarandë në kohën e diktaturës. Por ndihmonte hetuesit e tjerë dhe nuk merrej drejtpërsëdrejti me çështje të caktuara.
 

Shkrimi u publikua sot (26.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të lejohet mjeku të punojë njëkohësisht në spital publik e privat?



×

Lajmi i fundit

Spahiu: Censusi qesharak! Shqipërinë e nxjerrin 90% më fetare se Italia dhe Gjermania

Spahiu: Censusi qesharak! Shqipërinë e nxjerrin 90% më fetare se Italia dhe Gjermania