Si u transmetua drejtpërdrejt në Instagram një vrasje brutale e Bosnjës

Si u transmetua drejtpërdrejt në Instagram një vrasje brutale e Bosnjës

Pamje nga protestat e mbajtura në Bosnje pas vrasjes së 11 gushtit

Mijëra persona janë tmerruar teksa e kanë shikuar drejtpërdrejt në Instagram, se si një burrë nga Bosnje-Hercegovina e ka vrarë ish-gruan dhe dy persona të tjerë të pafajshëm, para se t’ia drejtonte armën edhe vetes.

Ky episod e ka shokuar shoqërinë, që veçse përballet me traumat e konflikteve të mëparshme, dhe ka nxitur thirrje për më tepër mbrojtje për gratë sikurse Nizama Hecimoviq, nënën e re që është vrarë në qytetin verilindor të Gradaçacit, e cila paraprakisht dyshohet se është abuzuar nga babai i vajzës së saj.

Mirëpo zemërimi në Bosnje-Hercegovinë, dhe vendet tjera, është rritur edhe për dështimin e rrjeteve sociale, sikurse Instagrami, i cili bashkë me Facebook-u dhe WhatsApp-in janë në pronësi të kompanisë Meta, që të parandalojë transmetimin e drejtpërdrejtë të një përmbajtjeje të tillë, apo që të paktën ta largojë atë shpejt nga platforma.

Ekspertët tërheqin vërejtjen se algoritmet sikurse ato të Instagramit janë “kryesisht joefektive” në nuhatjen e rrezikut dhe besojnë se episodi në Gradaçac shpërfaq realitetin se si Meta, dhe platformat tjera, janë duke dështuar keq në moderim, sidomos kur është fjala për videot që kanë përmbajtje në gjuhë tjera jashtë asaj angleze.

Maida Muminoviq, drejtoreshë ekzekutive në Mediacenter në Sarajevë – organizatë e lidhur me Bashkimin Evropian dhe UNESCO-n për të kufizuar përmbajtjen e dëmshme online – ka thënë se përgjigja e META-s, do të duhej të ishte më e shpejtë.

“Qarkullimi i një videoje të tillë për disa orë, ka treguar dobësinë e mekanizmave për raportim dhe largim të përmbajtjes shqetësuese nga rrjetet sociale, dhe kjo flet për papërgjegjësinë e META-s”, ka thënë Muminoviq.

Ajo ka thënë se Koalicioni për Liri të Shprehjes dhe Moderim të Përmbajtjes në Bosnje-Hercegovinë, i lansuar zyrtarisht në qershor, do të kërkojë detaje të hollësishme nga Meta për ta kuptuar se çfarë ka shkuar keq.

“Nuk kam fjalë për ta përshkruar se çfarë ka ndodhur në Gradaçac”, ka thënë Nermin Nikshiq, kryeministër i Federatës Boshnjako-Kroate, një prej dy entiteteve që e përbëjnë Bosnjën.

Saktësisht një muaj më herët, Nikshiq e ka shpërndarë një fotografi të gjenocidit të vitit 1995, që ka ndodhur gjatë luftës në Bosnje në periudhën 1992-1995, duke thënë se shteti duhet të sigurohet që të mos e harrojë kurrë atë tragjedi, ashtu që të mos përsëritet kurrë ndaj askujt.

Videoja e 35-vjeçarit, Nermin Sulejmanoviq në rrjetet sociale, në të cilën ai i ka treguar qëllimet e tij dhe më pas ka shtënë me armë ndaj gruas, është shfaqur drejtpërdrejt rreth orës 10:20.

Faktet kryesore që duhet t’i dini rreth femicidit

Videoja është transmetuar për gati tri orë dhe përgjatë asaj periudhe është rritur edhe numri i viktimave, edhe numri i shikimeve.

Videoja është hequr nga platforma rreth orës 2:30, pasi Sulejmanoviq e ka vrarë edhe një baba me të birin dhe i ka plagosur tre persona tjerë, sa ka qenë duke u kërkuar nga Policia.

Rreth 12.000 mijë persona e kanë shikuar drejtpërdrejt aktin e vrasjes.

Në llogarinë e vrasësit të dyshuar, e cila është mbyllur, janë shtuar menjëherë pas aktit edhe rreth 300 ndjekës të rinj.

Sasha Petroviq, inspektor për krime kibernetike në Policinë Federale, i ka thënë Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se ai ka kontaktuar me Meta-n, pasi është njoftuar për transmetimin e drejtpërdrejtë nga disa prokurorë në zonën e Tuzllës.

“E kam marrë miratimin e policisë nga Tuzlla dhe kam biseduar me një administrator të Meta-s”, ka thënë Petroviq.

“Brenda 20 minutave, videoja është larguar, dhe llogaria është bërë krejtësisht e paqasshme”.

Petroviq ka thënë se ai dhe agjencitë policore të Bosnjës, kanë kontakte me zyrtarë të Meta-s dhe disa rrjete tjera sociale, që mundësojnë ngrirjen e të dhënave dhe bllokim të qasjes për disa përdorues, mirëpo ai personalisht ka treguar se nuk ka kontakte me platformën TikTok, në të cilën janë publikuar dhjetëra video me përmbajtje shqetësuese.

Kur është kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë në ditën e vrasjes, Meta nuk është përgjigjur se sa kohë ka kaluar derisa e ka larguar videon nga rrjeti.

Mirëpo më pas, në një deklaratë me shkrim për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Meta ka thënë se është “thellësisht e mërzitur” nga sulmi i “tmerrshëm” në Gradaçac dhe është në kontakt me “autoritetet e Bosnjës për t’iu ndihmuar në hetimet e tyre”.

I pyetur për t’i sqaruar politikat dhe praktikat e platformës, Meta ka thënë se “kur është fjala për përmbajtje të drejtpërdrejtë, ne përdorim [inteligjencë artificiale] për ta identifikuar përmbajtjen potencialisht të dhunshme, si dhe u përgjigjemi raportimeve nga komuniteti ynë”.

Meta ka thënë se i ka bërë “një mori përditësimesh për të mos lejuar përdorimin e shërbimeve tona për këso qëllime”, prej kur ka ndodhur vrasja në Kristçërç të Zelandës së Re, më 2019.

Edhe ai incident është transmetuar drejtpërdrejt në platforma sociale.

Caitlin Chin, hulumtuese në Qendrën Ndërkombëtare për Studime Strategjike, me bazë në Uashington, e cila është e specializuar në rregulloret për teknologji, ka thënë se transmetimi i vrasjes në Gradaçac nxjerr në pah kurthin në të cilin mund të bjerë algoritmi.

“Algoritmet e rrjeteve sociale janë plotësisht jofektive, sidomos kur është fjala për imazhe pa tekst”, ka thënë ajo për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Ajo e ka përshkruar procesin e komplikuar të shndërrimit të fotografisë në video, e më pas në tekst, dhe ka thënë se në përgjithësi “vetë softueri nuk është adekuat”.

Ajo ka folur edhe për reduktim të numrit të stafit të Metas, si dhe për efektin që mund ta kenë politikat e reja të moderimit të përmbajtjes.

“Fatkeqësisht, një prej mësimeve më të mëdha është se moderimi i përmbajtjes online është tejet sfidues”, ka thënë Chin.

Dhe mundësitë për gabime janë më të mëdha për njerëzit në shtetet si Bosnja.

Chin ka thënë se Meta e ndan një pjesë të madhe të vëmendjes për moderim të përmbajtjes në gjuhën angleze, mirëpo kjo “tragjedi e tmerrshme tregon sa problematik është neglizhimi i gjuhës së Bosnjës dhe gjuhëve tjera”.

James Waldo, profesor i shkencave kompjuterike në Universitetin e Harvardit, ka thënë se moderimi i përmbajtjes nuk është “gjë e thjeshtë”, sidomos kur është fjala për Meta-n, fillimisht të njohur si Facebook.

Ai mendon se Meta është ende “duke u mësuar me faktin se është kompani ndërkombëtare, dhe duhet të ketë përfaqësues të gjitha vendet”.

“Nuk e di sa ka staf në Bosnje apo Rumani, apo vendet tjera të Evropës Lindore”, ka thënë Waldo.

“E di se kanë shumë pak staf në Azinë Jugore… ndonëse janë prezentë në të gjitha vendet ku ka gjuhë e kultura të ndryshme”.

Mirëpo, ai e ka quajtur procesin e largimit të një videoje nga Facebook-u si “zonë të errët”, sepse, sipas tij, është “shumë e vështirë të besoj se Facebook është duke e bënë gjënë e duhur”.

Ai ka thënë se edhe procedurat ligjore e komplikojnë më shumë situatën, pasi një video mund të jetë shikuar në Shtetet e Bashkuara, përmes një serveri në Francë, ndonëse është postuar në Bosnje.

Millos Jovanoviq, nga Grupi OpenLink me bazë në Beograd, agjenci e teknologjisë informative, ka folur me simpati për dilemën e Meta-s.

Ai ka thënë se zhvillimet në kohë reale, sikurse ajo në Gradaçac, janë shumë sfiduese dhe do të duhen vite për të intervenuar menjëherë sapo dikush të nisë transmetimin.

“Jam i bindur se nuk ka qenë e mundshme të reagohet dhe largohet videoja brenda një periudhe të shkurtër kohore”, ka thënë Jovanoviq.

Claudio Agosti, themelues i platformës Tracking Exposed, ka thënë se procesi i moderimit kërkon shumë burime dhe vëmendje.

Ai ka thënë se dunat e erës shpesh klasifikohen gabimisht si trupa lakuriqë, dhe përgatitjet e ushqimit mund të klasifikohen si përmbajtje që shkel parimet.

“Përmbajtja që do të publikohet nesër, sipas definicionit, është e re, dhe inteligjenca artificiale është e trajnuar me përmbajtjen që e ka parë deri dje”, ka thënë Agosti, ndonëse e ka përmendur se sikurse me dezinformatat apo gjuhën e urrejtjes, dhuna që shfaqet nëpër video duhet të jetë e pavarur nga teksti dhe gjuha.

Darko Obradoviq nga Qendra për Analiza Strategjike në Beograd, ka sugjeruar se pas luftërave të viteve 1990, shumë njerëz në rajon kanë tolerancë të madhe ndaj dhunës.

Ai ka thënë se algoritmet e rrjeteve sociale nuk duhet ta përjashtojnë dimensionin njerëzor.

“Kjo na tregon se të gjithë jemi mpirë dhe i kemi humbur vlerat bazike të kulturës së sigurisë, e cila është shumë më e vlefshme sesa çfarëdo që shpërndahet nëpër rrjete sociale”, ka thënë Obradoviq.

Edhe shikuesit e videos do të mund të përballen me autoritetet e Bosnjës.

Ministria Federale ka thënë se ministri i Brendshëm Ramo Isak, do t’i kërkojë policisë federale dhe Ministrisë së Brendshme të kantonit të Tuzllës, ku gjendet Gradaçaci, që ta hetojnë secilin që mund ta ketë inkurajuar apo madhëruar krimin, pas publikimit në rrjetet sociale.

Më 14 gusht, mijëra banorë të Bosnjës kanë protestuar në shumë qytete, përfshirë kryeqytetin, Sarajevën, për të kërkuar mbrojtje më të madhe për gratë si Hecimoviqi, e cila vetëm disa ditë para vrasjes ka kërkuar mbrojtje policore.

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Bosnje, është shprehur i shokuar me rastin dhe u ka kërkuar autoriteteve të zotohen për ndalje të femicidit, duke përmendur se është i “tmerruar nga fakti që vrasja e një gruaje është kryer duke u shfaqur në një rrjet social”./REL

G.MO/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?