Droga e cila u zbulua në disa vende të ndryshme, vuri në alarm Policinë, pasi në fshatin Drithas banorët kishin grumbullar tonelata të tëra me marijuanë.
Burime të Report TV nga Policia e Shtetit shprehen se po hetohen nëse personat e arrestuar kanë lidhje me grupe kriminale, duke i ndihmuar banorët për të kultivuar dhe grumbulluar sasi kaq të mëdha kanabis.
Gjithashtu po hetohet edhe pista nëse të arrestuarit e kishin blerë drogën tek banorë të fshatrave përreth, duke grumbullar disa tonë marijuanë, e cila dyshohet se ishte gati për t'u trafikuar.
Por si ra Policia në gjurmën e kësaj sasie rekord droge?
Burimet sqarojnë se ka qenë një informacion sekret i cili ka mbërritur në Policinë e Shtetit për sasi të mëdha droge në fshatin Drithas. Operacioni është zhvilluar nga Policia e Vlorës dhe FNSH e fierit, ndërsa monitorohej nga Haki Çako.
Policia gjeti në një shtëpi të boshatisur 9 ton drogë. Ky sasi kanabisi ishte në pronësi të Myzafer dhe Ervin Tushaj, bab e bir. Ndërkohë në banesën e Rakip Arapajt Policia gjeti rreth 3 ton drogë.
Ndërsa në shtëpinë e Kudret tushaj dhe Elion Tafili, bab e bir, Policia ka zbuluar sasinë tjetër të drogës ndërkohë që rreth 700 kg marijuanë është gjetur e braktisur pranë fshatit Drithas.
Të arresturit do të gjykohen secili më vete, për shkak se nuk janë gjetur prova që I lidhin ata me njëri-tjetrin. Ata pritet të dalin para Gjykatës së Vlorës ditën e hënë.
Ndërkohë Policia e Shtetit ka përjashtuar nga radhët e unfiormave blu, oficerin Lirim Lamaj. Ai përveçse nuk kishte raportuar për drogën, në oborrin e banesës iu gjetën 270 bimë kanabis të mbjellë. Ndërkohë për Policin tjetër Avdyl Sinanaj rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës, pasi nuk ka raportuar për drogën në njësinë administrative Llakatund.
Dy ditë më parë në Llakatund të Vlorës u sekuestruan 15.6 ton kanabis
Rreth 15.6 ton drogë janë kapur nga policia në dy banesa në fshatin Llakatund të Vlorës dy ditë më parë, gjatë një aksioni masiv antikanabis.
9 persona kanë rënë në pranga në Vlorë, shtatë persona të dyshuar si trafikantë si dhe dy punonjës policie të Vlorës, Lirim Lamaj dhe Avdul Sinani, për bashkëpunim me trafikantët dhe kultivim të lëndëve narkotike. Ndërkohë që u sekuestruan edhe 5 armë zjarri kallashnikov të cilat përdoreshin nga poseduesit e lëndës narkotike.
Kjo është sasia më e madhe e lëndës narkotike e kapur ndonjëherë në vend, pas ndërhyrjes së policisë në Lazarat në qershor të 2014-ës.
Vetëm në 3 muajt e fundit në Shqipëri janë sekuestruar mbi 51 ton kanabis sativa. Pas Vlorës, sasi e madhe droge është kapur edhe në Përmet disa muaj më parë me 11.6 ton, 8 ton janë sekuestruar në Itali, pasi kishin arritur të kalonin përmes Adriatikut, ndersa rreth 4 ton janë gjetur pak javë më parë në Mat e Skrapar.
Këto nuk janë ngarkesat e vetme, pasi në sasi më të vogla, droga e sekustruar ka qenë thuajse e përditshme.
Droga në Kavajë, dëshmia e tre të arrestuarve: Humbëm rrugën
Prokuroria për Krime të Rënda, në bazë të hetimeve paraprake, ka dhënë detaje rreth lëndës narkotike të sekuestruar tre ditë më parë në Kavajë. Gjatë një operacioni të policisë u kapën 1350 kg lëndë narkotike.
Prokuroria bën me dije sot se ka siguruar të dhëna të cilat krijojnë dyshime të arsyeshme për përfshirjen e 5 personave të ndaluar me urdhër të prokurorit.
Ndërkohë, Prokuroria bën me dije se gjatë dëshmisë, tre të ndaluarit, Kejvi Hajdari, Joni Sadikaj dhe Roland Hysenbelliu, kanë deklaruar se ishi nisur nga Tepelena në drejtim të Kavajës për të drekuar, por kanë humbur rrugën në zonat rurale.
Pasi kanë ndeshur një partullë policie në rrugë, ata kanë ndaluar dhe i kanë pyetur për rrugën, por në këtë moment janë shoqëruar nga policia.
Deklarata e plotë e Prokurorisë:
Mbrëmjen e së Enjtes, Policia e Kavajës zbuloi një dy mjete, një furgon dhe një fuoristradë Land Rover, një sasi prej 1350 kg lëndë narkotikë (konkretisht, 1 ton u gjet në furgon dhe 350 kg në mjetin fuoristratë “Land Rover”). Personat që gjendeshin në këto dy mjete janë larguar me shpejtësi. Në vijim të veprimeve policore, u shoqëruan në Komisariat 3 shtetas, të cilët gjendeshin në një veturë tip SAAB, pranë vendin ku u gjet lënda narkotike. Këta shtetas u identifikuan: Kejvi Hajdari, Roland Hysenbelliu dhe Joni Sadikaj.
Më tej, veprimet hetimore u drejtuan nga Prokuroria e Kavajës, e njoftuar për ngjarjen nga ana e Policisë lokale. Gjatë veprimeve vijuese, grupi hetimor sekuestroi edhe dy automjete të tjera, njëra veturë Toyota dhe tjetra kamionçinë, si edhe shumë pranë bregut të detit, një skaf me dy motorë, i lidhur me një zetor që shërbentë për tërheqjen e tij. Pra, në total, deri në këtë fazë hetimore, janë sekuestruar 7 mjete lëvizëse, nga të cilat dy vetura, një fuoristradë, një furgo, një kamionçinë, një zetor dhe një skaf.
Me zbulimin e skafit, grupi hetimor krijoi dyshimet se lënda narkotike ishte për qëllim trafikimi dhe, për këtë arsye, hetimi i kaloi për kompetencë Prokurorisë për Krime të Rënda.
Pas marrjes në pyetje të tre personave të shoqëruar, si edhe pas identifikimit të dy personave të tjerë që kishin lidhje pronësie apo përdorimi me mjetin tip fuoristradë ku u gjet një pjesë e lëndës narkotike (rreth 350 kg), prokuroria urdhëroi ndalimin e të pestëve, si persona të dyshuar për përfshirje në veprën penale të “Trafikut të lëndëve narkotike”.
Në bazë të veprimeve hetimore të deritanishme, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme për përfshirjen e tyre, në bazë të të dhënave paraprake, si më poshtë:
- Shtetasit Kejvi Hajdari, Joni Sadikaj dhe Roland Hysenbelliu kanë deklaruar se janë nisur nga Tepelena me mjetin tip Saab, të drejtuar nga Kejvi Hajdari, për t’u ulur për drekë në Kavajë. Pasi kanë përfunduar drekën, në mbrëmje vonë janë nisur për t’u kthyer, por kanë humbur rrugën në zonat rurale të Kavajës. Ata kanë konstatuar një patrullë policore, të cilët e kanë pyetur për rrugën, por në këtë moment, ata janë shoqëruar nga ana e Policisë.
Ata mohojnë përfshirjen në trafikun e narkotikëve.
Por, në bazë të veprimeve hetimore, rezulton se:
- Për shtetasit Kejvi Hajdari- ai deklaron se ka qenë nën drejtimin e mjetit Saab, por rezulton se ai ka përdorur gjatë ditës së enjte edhe kamionçinën, e sekuestruar tashmë, e cilat gjendej e mbyllur pranë një karburanti në Kavajë.
- Për shtetasin Roland Hysenbelliu- ai deklaron se ka qenë pasagjer në mjetin e drejtuar nga Kejvi Hajdari dhe ishin për drekë shoqërore në Kavajë. Ndërkohë, në Kavajë është gjetur një tjetër mjet i mbyllur, Toyota, i cili rezulton të jetë blerë nga një familjar i tij rreth dy muaj më parë në Tepelenë.
- Për shtetasin Joni Sadikaj- në furgonin ku u zbulua 1 ton lëndë narkotike, u gjet edhe një kartë telefonie celulare. Në bazë të veprimeve hetimore, rezultoi se kjo kartë është blerë në Tepelenë nga një shtetas, i cili nuk e kishte përdorur asnjëherë, por ia kishte dhënë shtetasit Joni Sadikaj.
Ndërkohë, pas ndalimit të tre personave të mësipërm, prokuroria për Krime të Rënda urdhëroi ndalimin edhe të shtetasve: Aristotel Kasaj dhe Arvis Muçaj.
Këta dy shtetas rezultojnë të kenë lidhje me pronësinë e mjetit tip fuoristradë, në të cilën u gjend rreth 350 kg lëndë narkotike.
Në deklarimet e tyre, ata kanë mohuar të jenë përfshirë në veprimtarinë e trafikimit të lëndës narkotike. Gjithsesi, ata kanë dhënë dëshmi mbi tjetërsimin e pronësisë së mjetit, të cilat duhen verifikuar.
Në bazë të këtyre elementëve, por edhe të tjera të dhëna të cilat përbëjnë sekret hetimor, Prokuroria për Krime të Rënda dyshon se këta persona, në bashkëpunim me të tjerë, janë përfshirë në veprimtarinë kriminale të “Trafikut të lëndëve narkotike”.
Kanabisi ne 91 ha, baraz me 230 fusha futbolli ose sa gjysma e Beratit
Nga një raport që Guardia Di Financa i ka dorëzuar Policisë Shqiptare për Lazaratin, ka rezultuar se në atë zonë vetëm 1 km larg Gjirokastrës, prodhoheshin rreth 900 ton marijuanë në vit, në një sipërfaqe prej 319 hektarë.
Nëse ndjekim të njëjtën llogjikë përllogaritje rezulton se 257 ton drogë të jenë mbjellë në një sipërfaqe prej 91.7 hektarë. Kjo sipërfaqe, pra 91.7 hektar, është e përafërt sa gjysma e qytetit të Beratit, ose sa 230 fusha futbolli.
Ndërkaq, sipas raporteve të Policisë Italiane, droga që sekuestrohet është vetëm 1 e 10-a e asaj që kultivohet e më pas trafikohet.
Nëse marrim parasysh këtë të dhënë, atëherë droga e kultivuar dhe e trafikuar nga Shqipëria është në nivele marramendëse.
Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com