Me shortin e Kupës së Botës që hidhet këtë të premte në Uashington DC (ora 18:00 me atë shqiptare), tifozët dhe bizneset po paralajmërohen se nxehtësia ekstreme, moti i keq dhe cilësia e dobët e ajrit mund të sjellin pasoja të konsiderueshme gjatë turneut të vitit 2026.
Ndërsa 16 qytetet pritëse në SHBA, Kanada dhe Meksikë po përgatisin stadiumet, po rekrutojnë staf dhe po forcojnë sigurinë, ekspertët theksojnë se diçka mbetet jashtë kontrollit; Moti.
Turneu do të zhvillohet në qershor dhe korrik, periudha më të nxehta të vitit në Amerikën e Veriut. Kjo ngre shqetësime për temperatura ekstreme, zjarre pyjore dhe madje edhe uragane, të cilat mund të ndikojnë në lojtarët, tifozët dhe punonjësit e stadiumeve.
Një raport i fundit, zbulon se 10 nga 16 stadiume janë në “rrezik shumë të lartë” nga nxehtësia ekstreme.
Sipas Maddy Orr, studiuese e ndikimit të klimës në sport, kostot më të mëdha mund të vijnë nga anulimi i ndeshjeve.
“Nëse një event anulohet, mund të kërkohet rimbursim biletash dhe pagesë për stafin që është paraqitur”, thotë ajo.
Gjatë Kupës së Botës për Klube të FIFA-s, zhvilluar verën e kaluar në SHBA, pati vonesa të shumta për shkak të reshjeve të dendura dhe stuhive. Disa ndeshje në Orlando, New Jersey dhe Cincinnati u shtynë për më shumë se një orë, ndërsa njëra u vonua mbi dy orë.
Organizatorët ndeshen me detyrime ligjore, kontrata televizive dhe marrëveshje me sponsorë, të cilat mund të kushtojnë miliona nëse një ndeshje nuk zhvillohet sipas planit.
Ekspertët e udhëtimeve këshillojnë tifozët të marrin sigurim udhëtimi dhe të lexojnë me kujdes kushtet e politikave.
Lisa Webb nga revista Which shpjegon se ka një ndryshim të madh mes ndeshjes së anuluar dhe asaj të shtyrë.
Nëse ndeshja anulohet, bileta rimbursohet. Nëse shtyhet, bileta mbetet e vlefshme dhe tifozët duhet të mbulojnë vetë kostot shtesë për udhëtim apo hotel.
Ajo këshillon gjithashtu rezervime fleksibël për hotele dhe shmangie të politikave pa anulim. Pagesat e mëdha rekomandohen të bëhen me kartë krediti, duke ofruar mundësi më të mira rimbursimi në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Kansas City do të presë gjashtë ndeshje të Kupës së Botës verën e ardhshme
Në Kansas City, një nga qytetet më të rrezikuara nga nxehtësia ekstreme, po instalohen pika freskuese, ventilatorë me ajër të lagësht, zona hijezimi dhe stacione hidratimi për qindra mijëra vizitorë.
Po ashtu, është krijuar një task-forcë rajonale për nxehtësinë, e përbërë nga mjekë, meteorologë dhe trajnerë sportivë, për të monitoruar dhe menaxhuar kushtet në kohë reale.
Tifozët do të marrin edhe njoftime në telefon me këshilla për hidratim dhe masa mbrojtëse përpara se të nisen drejt stadiumit. Megjithatë, organizatorët pranojnë se nuk mund të kontrollojnë çdo faktor. FIFA vendos oraret e ndeshjeve, ndërsa qytetet mund të ofrojnë vetëm rekomandime.
Zjarret janë një kërcënim kryesor për cilësinë e ajrit të Vankuverit në muajt e verës
Edhe pse vëmendja është përqendruar te qytetet amerikane, ekspertët paralajmërojnë se Toronto dhe Vancouver kanë përjetuar nxehtësi ekstreme dhe ndotje nga zjarret pyjore vitet e fundit.
Nëse ndonjë qytet bëhet “i papërshtatshëm për lojë” për shkak të nxehtësisë apo smogut, do të kërkohen rregullime të shpejta dhe zhvendosje të mundshme të ndeshjeve.
Pavarësisht sfidave, bizneset lokale po shpresojnë për një vit rekord. Në Vancouver, tregtarët përgatiten për rritje të shitjeve të suvenireve dhe produkteve sportive, duke pritur një bum vizitorësh.
Komente








