Kompania më e madhe e sigurimeve në Shqipëri SIGAL UNIQA Group AUSTRIA shënon sot 10-vjetorin e futjes në tregun shqiptar të sigurimeve të një prej kompanive lider në Europën Qendro-Lindore, UNIQA Insurance Group.
 
Në vitin 2007 UNIQA vendosi të blejë një pjesë të aksioneve të SIGAL, duke u kthyer kështu në një partner kyç për SIGAL, por edhe një faktor të rëndësishëm për tregun e sigurimeve në Shqipëri dhe rajon.
 
Për kreun e Sigal UNIQA Group për Shqipërinë, Avni Ponarin, futja e UNIQA-s në industrinë e sigurimeve në Shqipëri ka qenë një prej aktorëve kryesorë në rritjen e këtij tregu në vendin tonë, sikundër ka ndikuar jo pak edhe në ekonominë shqiptare.
 
 “Ne jemi të lumtur që UNIQA na besoi ne 10 vite më parë, për të investuar në tregun e sigurimeve vendas përmes kompanisë tonë SIGAL, dhe sot e them me bindje dhe krenar që kjo ka qenë një nga vendimet më të mira që unë kam marrë në fushën e biznesit, sepse të bashkëpunosh me  një kompani si UNIQA Insurance Group është jo vetëm një siguri dhe sukses për ne si kompani, për SIGAL-in, por edhe një vlerë e shtuar, një aset tejet me vlerë për të gjithë tregun tonë dhe një impuls shumë i mirë për ekonominë e Shqipërisë, sikundër është një garanci  financiare e rëndësishme për investitorët vendas dhe të huaj”, tha Ponari.
 
Nga ana e tij, CEO i UNIQA-s, Z. Wolfgan KINDL tha se kompania që ai përfaqëson e ka në prioritet Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë dhe do të vazhdojë të investojë në tregjet e këtyre shteteve. Kindl shprehu bindjen për mbështetjen e qeverisë Shqiptare për ndërmarrjen e incentivave për përmirësimin dhe zhvillimin e industrisë së sigurimeve, pasi sipas tij kjo industri luan një rol të rëndësishëm dhe ka një potencial të madh për tu zhvilluar, por ka nevojë për një tjetër shtytje edhe nga ana e qeverisë dhe e shtetit.

Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)