SIGAL UNIQA organizon të parin Forum Ndërkombëtar Biznesi në Shqipëri

Në prag të 20-vjetorit të themelimit të saj, SIGAL UNIQA sjell në Shqipëri mbi 120 drejtues biznesesh nga e gjithë Europa. Kompania më e madhe e sigurimeve në Shqipëri dhe rajon, SIGAL UNIQA Group Austria, në kuadër të 20-vjetorit të themelimit të saj në Shqipëri, organizon të parin Forum Ndërkombëtar të Industrisë së Sigurimeve në Shqipëri, me pjesëmarrjen e mbi 120 CEO dhe Kryetarët  e Bordeve Drejtuese të kompanive UNIQA Insurance Group nga 16 shtete Europiane.

Forumi u parapri nga një konferencë për mediat e zhvilluar në ambientet e Hollit Protokollar në Kryeministri, ku merrnin pjesë Zv. Kryeministrja e Shqipërisë Znj. Senida Mesi, Z. Andreas Brandstetter CEO i UNIQA Insurance Group, Z. Avni Ponari CEO i SIGAL UNIQA për Shqipërinë-Kosovën dhe Maqedoninë, Ministra e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Znj. Sonila Qato, Zv.Ministri  i Financave dhe Ekonomisë, Z. Elton Haxhi, Zv. Ministrja e Punëve të Jashtme, Znj. Kleopatra Maliqi, Nën-Kryetarja e AMF-së Znj. Mimoza Kaçi, ministra dhe përfaqësuesë të tjerë të qeverisë, përfaqësuesë të institucioneve financiare dhe diplomatike në Shqipëri, Ambasadori i Austrisë në Shqipëri, Z. Johann Sattler etj.

Në fjalën e tij CEO i UNIQA Insurance Group, Z. Brandstetter tha se grupi europian financiar që ai drejton zgjodhi të investojë në Shqipëri 11 vite më parë nëpërmjet SIGAL, sepse tregu ynë ka një potencial të jashtëzakonshëm për tu rritur dhe zhvilluar dhe nënvizoi se ky ka qenë një nga vendimet më të mira që ai ka marrë në biznes dhe se nuk është penduar për këtë. Z. Brandstetter tha se investimi dhe interesi i gjigandit austriak të sigurimeve, UNIQA do të vazhdojë në Shqipëri dhe se bashkëpunimi me SIGAL dhe drejtuesin Z. Avni Ponari është një bashkëpunim i shkëlqyer, korrekt dhe shumë i frytshëm.

Ndërsa vetë Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë SIGAL UNIQA Group Austria, Z. Avni Ponari tha se futja e investitorit strategjik në Shqipëri, UNIQA Group, është një investim dhe garanci shumë e mirë për tregun vendas të sigurimeve, i cili rrit standartet e shërbimit dhe produkteve që u ofrohen qytetarëve.

SIGAL UNIQA është e para kompani në Shqipëri që futi shitjen online të sigurimeve. Sot ajo numëron 8 produkte sigurimesh online, ndër të cilat edhe sigurimi i automjeteve dhe shtëpisë, dhe klientët mund të marrin shërbimin dhe produktet që u nevojiten shumë shpejt, pa kosto shtesë dhe pa patur nevojë të shkojnë nëpër zyra. Veçanërisht sigurimi i shtëpisë ka një impakt të rëndësishëm tek qytetarët, kjo sepse me sigurimin e shtëpisë çdo qytetar nuk ngelet pas dyerve të institucioneve për të kërkuar ndihmë kur i përmbytet apo digjet shtëpia, por dëmshpërblehet menjëherë nga kompania e sigurimit.

UNIQA Insurance Group në Austri po investon 500 milionë euro në dixhitalizimin dhe inovacionin e sigurimeve. Edhe SIGAL UNIQA në Shqipëri i ka kushtuar një vëmendje të veçantë dixhitalizimit, duke investuar me kapital financiar dhe burime njerëzore.

Së fundmi, SIGAL UNIQA ka dalë me aplikacionin e ri online të dedikuar për sigurimet, ku qytetarët jo vetëm mund të marrin të gjitha informacionet që ju duhen për sigurimet dhe të blejnë online sigurimin që ju duhet, por në kohë reale mund të aplikojnë për dëmshpërblimin. Kompania po punon që edhe dëmet shëndetësore edhe dëmet materiale që ju ndodhin klientëve të mund të procesohen online, pa patur nevojë të shkojnë në zyra.

Një tjetër risi e kompanisë SIGAL UNIQA është edhe ngritja e Qendrës së Asistencës për të Dëmtuarit nga Aksidentet Automobilistike. Kjo qendër u mundëson qytetarëve që të shkurtojnë kohën dhe burokracitë nëpër zyra dhe gjykata, dhe të marrin në një kohë shumë të shpejtë dëmshpërblimin sipas vlerës që ju takon me ligj, duke shmangur kështu edhe zvarritjet e procesve gjyqësore dhe ndarjen e dëmshpërblimit me përfaqësuesit ligjorë.

Z. Ponari në fjalën e tij ngriti edhe shqetësimin e implementimit të ligjit të ri për sigurimet, i cili parashikon që të vihet në jetë sistemi Bonus-Malus. Ai u kërkoi edhe përfaqësuesve të qeverisë të pranishëm në konferencë, që të futet sa më shpejt ligji i ri, sepse implementimi i tij do të bënte që çdo qytetar të kishte një skedar personal të sigurimeve dhe nisur nga kjo përcaktohet dhe çmimi i siguracionit të tij. Një qytetar që nuk ka shkaktuar asnjëherë aksidente do ta përfitonte siguracionin me një çmim shumë më të ulët sesa ai që ka një CV të keqe në drejtimin e automjetit.

Ponari tha se Shqipëria ka nivelin më të ulët të sigurimeve në rajon, me 35 euro për frymë në vit, dhe kjo vjen edhe si pasojë e mosnxitjes së tregut nga instancat përkatëse dhe mungesës së incentivave për zhvillimin e kësaj industrie. 

Zv.Kryeministrja Mesi e vlerësoi kompaninë SIGAL UNIQA si kompani novatore dhe me produkte me cilësi europiane që i shërben klientëve dhe të gjithë tregut më së miri. Ajo gjithashtu tha se qeveria po shikon që ligji i ri ku parashikohet edhe funksionimi i sistemit Bonus-Malus të vihet në jetë si dhe skema e sistemit të pensioneve private po shikohet nga shteti.

Ndërsa Ministra Qato, duke përgëzuar SIGAL UNIQA si kompani pararojë e novacionit dhe dixhitalizimit, e vuri theksin tek nevoja e zgjerimit të sigurimeve tek qytetarët, si një mundësi që u jep atyre më shumë pavarësi nga shteti dhe më shumë siguri financiare.

Mbi SIGAL UNIQA Group Austria
SIGAL UNIQA është kompania më e madhe e sigurimeve në Shqipëri, me një shtrirje edhe në Kosovë e Maqedoni. Që prej vitit 2002, SIGAL udhëheq tregun shqiptar të sigurimeve, me rreth 30%. Pavarësisht shtimit në numër të kompanive të sigurimit, SIGAL e ka ruajtur pozicionin si lider të tregut, vetëm në sajë të shërbimeve më të mira ndaj klientëve, nëpërmjet produkteve me interes ofruar tek qytetarët dhe pagesës së dëmeve në kohë dhe në vlerën e duhur sipas ligjit.

Me rreth 900 mijë kontrata në vit, mbi 152 milionë euro dëme të paguara vetëm 10 vitet e fundit si dhe një volum primesh gjithmonë në rritje, lideri i sigurimeve udhëheq bindshëm tregun dhe është kompania më e besuar për shqiptarët.

Grupi SIGAL UNIQA numëron rreth 1200 punonjës dhe agjentë, zotëron 121.2 milionë euro asete dhe ka të gjitha parametrat financiarë në përputhje me kërkesat e ligjit.

Me futjen e UNIQA-s grupi SIGAL mori një tjetër hov zhvillimi, që ndikoi ndjeshëm në në rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj klientëve, në përmirësimin e infrastrukturës, krijimin e standarteve të europiane për kompaninë dhe tregun në tërësi, sikundër kjo reflektoi edhe në rritjen e volumit të primeve por edhe në një rritjen e dëmshpërblimit në kohë rekord të klientëve.

Krahas përgjegjësisë kontraktuale duke paguar në kohë rekord dëmet, SIGAL UNIQA ka dhënë një kontribut shumë të madh për artin, kulturën dhe sportin në vend.

Mbi UNIQA INSURANCE GROUP
UNIQA GROUP është lider në tregun e sigurimeve të Austrisë dhe të Europës Qendrore dhe asaj Lindore. Mbi 20 mijë punonjës iu shërbejnë mbi 10 milionë klientëve në 16 shtete të Europës. Gjigandi austriak i sigurimeve, me një histori mbi 200-vjeçare në tregun e sigurimeve, zotëron mbi 33 miliardë Euro asete dhe mbi 7 miliardë euro prime në vit.

UNIQA GROUP hyri në tregun shqiptar të sigurimeve në vitin 2007, nëpërmjet bashkëpunimit me kompaninë më të madhe në vend, SIGAL, duke u bërë kështu i pari investitor i huaj që futej në industrinë e sigurimeve në Shqipëri.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Tenderi për Porto Romanon/ Berisha: Qeveria e PD s'do njoh asnjë tender deri në 15 maj 2025! Zotohem që ai projekt s'do ndodhë kurrë

Tenderi për Porto Romanon/ Berisha: Qeveria e PD s'do njoh asnjë tender deri në 15 maj 2025! Zotohem që ai projekt s'do ndodhë kurrë