TIRANE- Qeveria nuk do të ndalë luftën ndaj informalitetit në trasportin qytetas dhe ndërqytetas në Republikën e Shqipërisë, ku në thelb është siguria e qytetarëve. Kjo ishte kryefjala e dikutimit të përbashkët të ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, gjatë një takimi të zhvilluar ditën e djeshme me shoqatat e transportit ndërqytetas të autobusëve të cilat janë në konflikt me shoqatat e transportit ndërqytetas të furgonave (autoveturë 8+1).
 
Konflikti
Shoqatat e transportit ndërqytetas me automjetet 8+1 kërkojnë rishikimin e ligjit për transportin publik taksi i cili detyron kthimin bosh. Kjo nuk pranohet nga shoqatat e transportit publik urban, të cilat kërkojnë që të respektohet ligji  pasi ata dëmtohen. Për sa i përket Qeverisë, ajo këmbëngul në zbatimin e ligjit për transportin publik taksi, i cili detyron kthimin bosh
 
Anarkia
Bashkitë e vendit japin më shumë liçenca taksie për atomejtet 8+1 (furgona), se sa për automjetetet 4+1 (autovetura). Kështu u shpreh kreu i Rendit, Saimir Tahiri. "Janë të liçensuara si taksi  4+1, sot 1590 mjete, dhe 2150 automjete 8+1 të licencuara si taksi. Kur jepen 10 licenca 4+1 duhet të jepet vetëm një licencë mbi 4+1.Bashkitë tona japin më shumë licenca për autovetura mbi 4+1 (furgona) sesa për autoveturat normale taksi. Këtu fillon shkelja dhe çoroditja e sistemit”,-nënvizoi ai.
 
Bashkëpunimi
Qeveria është e gatshme të shqyrtojë porpozimet e shoqatave të trasportit publik brenda një periudhe 10-ditore. Ndërkaq, ministri i Transportit, Haxhinasto, parashtroi disa propozime për transportin publik. Ai propozoi që shërbimi i transportit ndërqytetas të bëhet me autobus me kohë të caktuar nisjeje dhe mbërritjeje me komoditetin përkatës, me cilësinë e duhur dhe garancinë e duhur për sigurinë e automjetit dhe drejtuesit të mjetit. Për sa i përket shërbimit taksi, ministri Haxhinasto u shpreh se taksitë 4+1 ashtu si Furgonat taksi 8+1 duhet që të marrin pasagjerë si në vajtje ashtu dhe në ardhje vetëm brenda hapësirës urbane (brenda qytetit), kurse në destinacione interurbane ato në kthim nuk duhet të marrin udhëtarë.

Furgonat
Për automjetet 8+1 propozohet, që të jenë pjesë e tregut të transportit publik në disa pjesë të komunave dhe rrethinave të qyteteve. “Kemi mirëkuptimin e plotë të atyre që janë pronarë furgonësh. Mund të akomodohen në hapësirat e tregut shqiptar. Do të thotë, që për linjat e caktuara, transporti rreth qyteve apo komunave, qendrash komunash, të kryhet me furgona”,-u shpreh ministri Haxhinasto.

Shkrimi u publikua sot (15.02.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)