48 shqiptarë humbën jetën vjet në vendin e punës, gati 30% më shumë se në 2024-ën. Inspektorati i Punës thotë se tre sektorët më problematikë, me numrin më të lartë të fataliteteve janë ndërtimi, minierat dhe industria prodhuese. Mbetet ende sfidë lufta ndaj informalitetit kryesisht në nëndeklarimin e pagave dhe të pagesave për orët shtesë.
***
Puna në lartësi, shembjet galerive në miniera, makineritë e prodhimit dhe aksidentet me mjetet e transportit, vijojnë të jenë shkaktarët kryesorë të fataliteteve në vendin e punës në Shqipëri.
“Sektorët me risk më të lartë janë sektori i ndërtimit si në numër aksidentesh, përfshirë dhe ato aksidentet që janë me pasoja më fatale, i ndjekur nga sektori i minierave dhe sektori i prodhimit, por do të veçoja ndërtimi dhe minierat janë sektorët me risk më të lartë përsa i përket sigurisë së shëndetit në punë”, tha Eljo Muçaj kryeinspektori i Inspektoratit të Punës.
Vetëm gjatë vitit të kaluar regjistruar 212 aksidente në vendin e punës nga 177 aksidente në 2024-ën apo 168 në vitin 2023. Bilanci është rënduar, me 48 punonjës të aksidentuar vjet humbën jetën, dhe sektori më problematik mbetet ndërtimi, minierat e prodhimi.
“Ka qenë një numër relativisht i lartë, por rreth 20% e këtyre aksidenteve ë kanë qenë aksidente rrugore të cilat janë regjistruar, pra regjistrohen si aksidente në punë sepse ka ndodhur në kohën e punës. Aksidente fatale pa diskutim që ka edhe në sektorin e minierave është dhe sektori i ndërtimit”.
Ndërsa në tre muajit e parë të këtij viti janë regjistruar 53 të aksidentuar me pasojë 9 humbje jete, kryesisht punonjës të shërbimit të shpërndarjes së mallrave të ndryshëm në shtëpi.
Kryeinspektori i Inspektoratit të Punës Eljo Muçaj thotë se siguria në vendin e punës duhet të jetë prioritet i si për punëdhënësin dhe për punëmarrësin.
“Të forcojmë kulturën e sigurisë së shëndetit në punë”, tha ai.
Problematikat e tjera që hasen në tregun e punës kanë të bëjnë me informalitetin në disa aspekte të tij.
“Sektorët që paraqesin nivel më të lartë të informaliteti pra është sektori i turizmit kjo është pak dhe e lidhur dhe me natyrën që ky sektor ka karakter sezonal, dhe me një numër më të lartë të subjekteve që gjatë sezonit të verës hapen dhe pastaj pezullojnë aktivitetin e tyre në përfundimin e sezonit”, thotë Mucaj.
Nga inspektimet e kryera në 2025-ën janë identifikuar 2,591 punëmarrës informalë, ku 98% e tyre janë formalizuar brenda procesit inspektues.
“Mungesa e një kontrate është element informaliteti. Mospagesa e pagës është element informaliteti, pagesa e pjesshme e pagës në bankë apo nën deklarimi i saj, mospagesa e orëve shtesë, puna në turne të dyta edhe të treta që lidhen me përllogaritën e pagës, të gjitha këto janë elementë të informalitetit”, tha Muçaj.
Nëndeklarimi i pagave mbetet hallka më e vështirë e informalitetit, si për t’u verifikuar ashtu dhe për t’u ndëshkuar mbetet.
“Deklarimi real i pagës, e cila është një nga elementët më të vështirë për t'u vërtetuar është marrëdhënie mes palesh dhe është e vështirë për t'u provuar në momentin që nuk ka evidenca të qarta për ta vërtetuar pagën e dhënë pjesë atë pjesë të pagës e cila është dhënë nën dorë”, thekson ai.
Kryeinspektori sqaron se vjet kanë marrë 1200 ankesa nga qytetarët, nga të cilat afro 70% janë zgjidhur në favor të tyre. Sa i takon masave, për shkeljet e identifikuara si për sigurinë në punë ashtu edhe për informalitetin, janë vënë 268 gjoba me vlerë 64.5 milionë lekë ose 20% më shumë se në 2024-ën.
Komente










