Siguria në shkolla, ajo rrugore dhe kibernetike ishte tematika e takimit që kryepolici Ilir Proda pati sot (10 Janar) me nxënësit.
Nën temën “Dyer të hapura për nxënësit dhe qytetarët”, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit bisedoi për tre nga faktorët më të rëndësishëm të nismës.
Ai u shpjegoi nxënësve rëndësinë dhe funksionet shumëdimensionalë të punonjësve të Policisë në shoqëri.
“Akademia e Sigurisë ofron mundësi të artë për maturantët që dëshirojnë të bashkohen me Policinë e Shtetit, duke i dhënë një mision të veçantë të ardhmes së tyre”, tha ai.
Nxënësit shfaqën kuriozitet dhe drejtuan pyetje mbi mënyrën e organizimit dhe funksionimit të Policisë së Shtetit, duke u ndalur te drejtimet që lidhen me hetimin e krimeve kibernetike, teknologjinë e informacionit, komandimin dhe drejtimin, sigurinë rrugore, si dhe marrëdhënien me median dhe qytetarët.
Institucioni blu njoftoi se aktivitete të tilla, të organizuara në kuadër të 112-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit, janë zhvilluar në të gjitha drejtoritë e Policisë në 12 qarqet e vendit, ku vizitorët u pritën nga drejtorët e drejtorive.