Pr.ligji i policisë së Shtetit, diskutim me debat te ‘Siguria’! Balla: Përmirëson organizimin e policisë! Metaliaj: Siguria në nivel 0! Ministri: Mos hidhni baltë

Projektligji për Policinë e Shtetit kaloi në parim me debate në Komisionin e Sigurisë. Ministri i Brendshëm Taulant Balla foli për forcim të bluve pas miratimit, përfshirë këtu edhe ecjen në karrierë të policëve.

‘Ky projektligj do të na mundësojë krijimin e kapacitete të munguara në PSH, forcojnë strukturat aktuale, eliminimin e veprimtarive korruptive, një nga prioritetet e mia. Ligji përmirëson organizimin e PSH, proceset dhe procedurat e brendshme, garanton ecjen në karrierë të punonjësve të Policisë.’- tha Balla.

Ligji i ri rikthen Akademinë e Sigurisë në nivelin “bachelor”, njëlloj si të gjitha universitetet e tjera.

‘Këtë vit kemi 100 kuota në nivelin “Bachelor”, në Fakultetin e Sigurisë dhe Hetimit. Ata që do të përfundojnë këtë cikël 3-vjeçar, janë përfitues të drejtpërdrejtë të gradës “Nënkomisar”.’- u shpreh Balla.

Opozita e konsideroi të shpejtuar kalimin e projektligjit në komisionet parlamentare. Nuk munguan akuzat për dekonspirime të operacioneve nga vetë blutë.

Një ndër raportet më të zinj që kanë qarkulluar për Policinë e Shtetit. Raporti i DASH për vitit 2023 qendër tranziti e drogave të forta kokainë dhe heroinë.

Akuza të rënda u hodhën nga deputetja Lindita Metaliaj, e cila kërkoi llogari pse në Lezhë emëroheshin gjithnjë drejtues policie që arrestoheshin dhe kanë lidhje me krimin.

Policia e Shtetit lë për të dëshiruar tek zbatueshmëria e ligjit. Rendi dhe siguria në nivelet më të zeza. Oltion Bistri në burg, Henerigert Mitri në arrati, Vehbi Bushati i shkarkuar nga AMP, të gjithë drejtues të policisë në Lezhë.’- tha Metaliaj.

‘Dua t’iu komplimentoj për gatishmërinë e madhe që keni për t’ia futur kot sa herë ju jepet mundësia dhe mikrofoni. Është aftësi e madhe që njeriu të thotë gjëra pa kuptim në shpejtësinë që ju ekzekutoni. Nuk ju lejoj as ju dhe asnjë tjetër të hidhni baltë mbi Policinë e Shtetit, është organizatë që e bënë punën më së miri dhe si në çdo lloj organizatë ka nevojë për më mirë, pyll pa derra nuk ka.’- tha Balla.

Kritik me projektligjin është edhe kreu i “Sigurisë” Nasip Naço, i cili me vete kishte Kushtetutën.

‘Vota ime është pro në parim, por do të jem tejet kërkues dhe do i bëj oponencë këtij ligji. Para se të vija këtu kam marrë Kushtetutën dhe çdo gjë do e bëj në bazë të saj.’- u shpreh Naço.

Projektligji për Policinë e Shtetit mbledh të hënën të gjitha grupet e interesit për të diskutuar të gjitha detajet dhe kërkesat e tyre, ndërsa të martën “Siguria” diskuton nen për nen, me synim kalimin për votim në seancën plenare të së enjtes së 25 korrikut.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:13
‘Nuredin Dumani pjeshkëron me kë i do qejfi’ Salianji përplaset me Ballën: Ligji i ri për 'Policinë' presion për t’i përdorur për zgjedhjet

 

Deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji nga Komisioni i Sigurisë, lëshoi akuzën se ligji i ri për Policinë e Shtetit, bëhet për arsye zgjedhore.

Sipas Salianjit me ligjin e ri, punonjësve të policisë do t’i bëhet shantazh për të siguruar kështu më shumë vota për zgjedhjet. Mes të tjerash ai sugjeroi që shqyrtimi i këtij ligji të shtyhet.

Salianji po ashty pyeti Ballën se pse Nuredin Dumani lejohet që të kryeje aktivitetin e tij kriminal brenda në burg.

Salianji: Raporti i DASH për 20232 thotë se Shqipëria është vend tranzit i kokainës dhe heroinës, po ashtu edhe vatër kanabisi. Ta ka thënë Gledis Nano që “Plumbi i Artë” është dekonspiruar. Drejtuesi i SPAK thotë që operacionet dekonspirohen. Ka përgjegjësi Policia e Shtetit që Nuredin Dumani pjeshkëron nga qelia? Pse e sillni një ligj të ri 6 muaj para zgjedhjeve? Kemi problem të bashkëpunojmë për shkak të lidhjeve me grupet kriminale, vlerësim për çdo polic që rri në vapë e shi, që përballen me drejtues të inkriminuar, ke zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit. Keni arritur të kapni ndonjërin nga ata? Tre herë keni sjellë ndryshime këtu për Vettingun në polici. Me anën e Vettingut ka reaguar vetëm një person mos ta përmend atë të shkretin, u harxhuan para për komisione Vettingu, po një e keni në detyrë dhe një që e keni shkarkuar. Të ka thënë drejtuesi i Spak që dekonspirohen operacione, grup i fuqishëm tha drejtuesi i SPAK. Bënin namet në Belgjikë, Holandë, t’ju bëj një pyetje të drejtpërdrejtë del Nuredin Dumani që duhet të ruhet nga njësia, që pjeshkëron 24 orë me kë i do qejfi e vendos gjoba. Keni ju ministër përgjegjësi, pse me pezullimin e dy policëve, ata e kanë lejuar të bëjë atë që bën?! 

Balla: Unë e kuptoj që ju kjo punë ju duket shaka se s’keni faj se keni kohë të gjatë në opozitë, por sa i përket indikatorit të sigurisë. Gjatë prezantimit që bëmë në fillim të seancës kemi prezantuar cilat kanë qenë gjetjet që çuan në nevojën e ndryshimeve dhe të faktit që këtu nuk bëhet fjalë për ndryshime por një ligj të ri. Duam ti japim Shqipërisë një kuadër të ri ligjor, me synimin Shqipëria 2030 vend anëtar i BE, që edhe Policia e Shtetit të jetë e njëjtë me vendet e BE.

Salianji: Ata që flenë më pak të dëmshëm janë, se ju që rrini zgjuar, jeni më të rrezikshëm. Ju s’më dhatë përgjigje për një gjë të rëndë që ka ndodhur. Nuredin Dumani që nga burgu, kur të vinë ata të Burgjeve, kryen aktivitet kriminal. A ka përgjegjësi ky departament, a keni marrë masa që ndodhin këto ndodhi në Shqipëri? Një personazh ndër më të rrezikshmit në Shqipëri, ka mundësi dhe salltanete. Ligjin mendoj se ju, përderisa nuk ka një gjë të ngutshme, duhet ta tërhiqni. Policia e Shtetit për ju është një indikator i lartë. Shtyheni diskutimin dhe miratimin e ligjit, pasi bëhet për të mbajtur nën trysni drejtuesit e policisë, për t’i përdorur për zgjedhjet.

Ora 12:35
‘Pse në Lezhë ka vetëm drejtorë që arrestohen!’ Balla i përgjigjet Metaliajt: Ja fusni kot sa herë flisni! Brenda një viti AMP ka kryer 297 referime

 

Në komisionin për Sigurinë po prezantohet ligji për Policinë e Shtetit. Deputetja e PD-së Lindita Metaliaj pyetur ministrin Taulant Balla se pse ‘në Lezhë ka vetëm drejtorë policie që arrestohen?’

Balla-Metaliajt: Dua t’iu komplimentoj për gatishmërinë e madhe që keni për t’ia futur kot sa herë ju jepet mundësia dhe mikrofoni. Është aftësi e madhe që njeriu të thotë gjëra pa kuptim në shpejtësinë që ju ekzekutoni. Megjithatë, uroj, sinqerisht, si koleg, që t’ia vlej gjithë ky përdorim që e keni të shpeshtë. Ju thatë pse na duhen ligjet. Deputet kështu si ju nuk duhen, shpresoj t’iu kemi edhe në mandatin e radhës, se na duheni. Nëse hasni policë të inkriminuar, duhet t’i kallëzoni ato. Në opozitë kam kallëzuar ministra, kryeministra, bëjeni dhe ju është e shëndetshme.

Nuk ju lejoj as ju dhe asnjë tjetër të hidhni baltë mbi Policinë e Shtetit, është organizatë që e bënë punën më së miri dhe si në çdo lloj organizatë ka nevojë për më mirë, pyll pa derra nuk ka. Vetëpastrimi i policisë ka rezultate mbresëlënëse. Nga 15 korriku 297 raste të referuar nga AMP nga 424 subjekte policie në prokurori. I lexoni siç doni deklaratat e z. Dumani. Duhet të ndiqni standardin pasi mund të të tërheqin vëmendjen në darkë të rruga e shpresës. Nuk e keni radhën sot? Ah, më falni atëherë. Ju si e quani SKAP apo SPAK? Para disa ditësh kemi pasur një operacion të përbashkët në Shkodër, dhe puna më e madhe hetimore në terren është bërë nga Policia e Shtetit. Më thoni një vend në botë që kur lëshohen urdhër-arreste, të ekzekutohen të gjitha? Sot, kolege, Policia e Shtetit është në periudhën më të mirë të bashkëpunimit ku nuk ka asnjë ditë të vetme të ndalojmë. Jua qajë hallin, nuk keni faj. Një parti politike që ka udhëheqësin me probleme me drejtësinë, kuptohet. Sa i përket besueshmërisë së policisë, është indikator që nuk e kam nxjerr unë. Organizatë qeveritare që financohet nga një vend i BE. Në 2012-ën e Flamurit tënd e kishte 37%, sot e ka 72%. Pyesni flamurin tënd pse.

Ora 12:02
Balla te ‘Siguria’: Kuvendi ka garantuar një agjenci të pavarur! AMP rezultate të mira në më pak se 3 vite

 

Në komisionin për Sigurinë Kombëtare po shqyrtohet projektligji ‘Për Policinë e Shtetit’.  

Teksa iu drejtua deputetëve, Ministri i Brendshëm Taulant Balla në fjalën e tij tha se  Kuvendi ka garantuar një agjenci të pavarur, dhe me rezultate të shkëlqyera në më pak se 3 vjet të kësaj agjencie.

Ai theksoi se duhet të ketë një nen në projektligj që të rregullon raportin e policisë dhe Komisionit të Sigurisë.

Taulant Balla-Kollçakut: Fal këtij komisioni në shtator 2021 është diskutuar ngritja e AMP, dhe përtej debateve dhe shqetësimeve, kur është diskutuar ky projektligj, sot mund t’iu garantojë se Kuvendi ka garantuar një agjenci të pavarur, efikase dhe me rezultate të shkëlqyera në më pak se 3 vjet të kësaj agjencie. Nuk mund të përfshihen rolet e AMP dhe Policisë së Shtetit, pasi AMP kontrollon dhe agjenci të tjera. Shpresoj të kthehem shpejt këtu pasi na duhet të bëjmë ndryshim rrënjësor për ligjin për zjarret, për shërbimin zjarrfikës, dhe për rolin kontrollues që ka AMP. Nuk jam kundër të ketë një nen në projektligj që të rregullon raportin e policisë dhe Komisionit të Sigurisë. E kemi të shkruar në Kushtetutë që të vijmë të raportojmë sa herë që të na thërrisni. Shefi i komisariatit emërohet nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Rregullorja e PSH është vendim i Këshillit të Ministrave. Mendoj që eksperienca e  fituar në agjencitë e tjera për këshillat e emërimeve ka rezultuar e suksesshme dhe në këtë aspekt mendoj që do të japë rezultate në emërimet në Policinë e Shtetit.

Taulant Balla-Resulajt: Kriteret përzgjedhëse bëhen me akte nënligjore. Integriteti është kriteri themelor. Karriera në Policinë e Shtetit do të ketë busull integritetin. Ka plotë indikator si matet integriteti, për shembull testi i së vërtetës.

Balla-Naços: Është ankesë që lind shpesh në rrugë të ndryshme, por në ligj afati është sendet nuk mund të bllokohen më shumë se 30 ditë.

Balla-Naços: Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës, e kanë të rregulluar standardin e respektimit të të drejtave të njeriut për rastet e terrorizmit. Vetëm në kushtet e flagrancës kryejmë kontrolle për të ndërhyrë. Dështimin nga suksesi e ndanë sekonda dhe jo pa qëllim në paragrafin 3 të nenit 28 e kemi qartësuar për të qetësuar çdo shqetësim që mund të vij: kontrolli ushtrohet në raste flagrance, kur jemi në ndjekje të një personi për akte terroriste dhe ka prova të besueshme që po përgatitet akt terrorist. Ky nen është i prezantuar edhe në ligje të policive të shteteve të tjera.

Ora 11:07
Balla thirrje deputetëve: Bëhuni zjarrfikës vullnetar

Ministri Taulant Balla u bëri thirrje deputetëve që të bëhen zjarrfikës vullnetar, duke marrë si shembull Austrinë.

‘Policimi vullnetar është një koncept që funksionon në shumë vende. Ne shqiptarët pas viteve 90 vullnetarizmin e shohim si herezi, do doja të fusnim në shumë aspekte, edhe në Policinë e Shtetit. Me forcat që kemi në dispozicion e kemi të vështirë të përmbushim të gjitha nevojat në të gjitha plazhet e Shqipërisë me prezencë policore. Efekti dhe rezultati në shkolla është mirëpritur pasi hyrja është me prezencë policore. Do ishte mirë që këtu të kishte policim vullnetar, por jo në këtë fazë të bëhet me ligj. Austria ka 300 mijë zjarrfikës, veç 1% e tyre janë me pagesë. Edhe një deputet shërben si vullnetar zjarrfikës. Ne sot në Shqipëri kemi 1400 zjarrfikës, me pagesë të gjithë. Vihen në dispozicion si vullnetarë me zor edhe punonjës të bashkisë. Mendoj se vullnetarizmi nuk duhet parë si mbetje e regjimit të kaluar, por si përgjegjësi. Një punonjës policie në pension mund të kishte prezencë vullnetare shumë mirë, sidomos në afërsi të shkollave.’- tha Balla.

Ora 10:22
Balla prezanton Projekligjin ”Për Policinë e Shtetit": Synimi themelor, reformimi dhe ngritja në një nivel tjetër të Policisë së Shtetit

Ministri i Brendshëm Taulant Balla prezantoi sot projektligjin ”Për Policinë e Shtetit", në Komisionin parlamentar për Sigurinë Kombëtare, i cili ka synim themelore reformimin dhe ngritjen në një nivel tjetër të Policisë së Shtetit.

Balla gjatë fjalës së tij tha se Projektligji i ri ka efekt afatgjatë, sesi e duam policinë në 2030, kur Shqipëria është anëtar i Bashkimit Europian. 

Nga fjala e ministrit Balla në prezantimin e nismës ligjore: 

“Statistikat kanë fakte, ato tregojnë se në forma të ndryshme indikatorët e luftës kundër kriminalitetit, kanë patur përmirësim drastik, më i miri në këto 33 vite.
Meqenëse u përmend njëri prej tyre, vrasje me dashje nëse në 2012 kishte 125 vrasje me dashje, në 2023 kemi, gati 3 herë më pak, 35 vrasje. Kjo është një rënie drastike më e dukshmja në të gjitha vendet e BP.
Pavarësisht shumëfishimit të numrit të mjeteve në këto 10 vite, se janë dyfishuar mjetet në pronësi por shumëfishuar ata që vijnë si turistë janë përgjysmuar humbjet e jetëve për shkak të aksidenteve, 334 jetë të humbura në 2012, janë 191 në 2023. Pritshmëritë janë pozitive në 2024. 

Besueshmëria e publikut, nëse në 2013 ishte vetëm 1 në 3 qytetarë, pra 37 %, sot jemi në 72 %, më shumë se 7 në 10 e shohin Policinë e Shtetit si institucionin më të besuar në vend, kjo falës punës së shkëlqyer dhe rezultateve. 

Shqipëria po hyn në një fazë të re zhvillimi. Sfidat e rendit dhe të sigurisë nuk janë më ato të 10 viteve më parë. Jetojmë në një moment të ri sfidash. Një element është thelbësor, numri tejet i lartë i vizitorëve që zgjedhin Shqipërinë, nëse kishim 10 mln të huaj në 2023, dhe 2.8 mln mjete me targa të huaja, në 2024 pritshmëritë janë më të larta. Atëherë na duhet të përgatitim PSH për sfidat e reja, si krimi kibernetyik, marrëdhënia me komunitetit, dhunën me bazë gjinore, seksuale, etj.

Nisma ishte një hap i rëndësishëm sepse ka të bëjë më angazhimin, pa dallime politike, në rrugën drejt anëtarësimit drejt BE, për detyrimet për forcimin e shtetit të së drejtës. 

Kjo nismë forcon kapacitet e PSH, në fushën e rendit e sigurisë, me luftën kundër krimit në vend, ndërkufitar dhe në nivel ndërkombëtar.  Vlen të theksoj se iniciativat e ndryshme ligjore, kanë ardhur nga vetë PSH, për çështje që duhen adresuar, për të konsoliduar përvojën dhe përgjigjur sfidave të kanë dalë apo që dalin në vijim, shtuar dhe sfidën Shqipëria 2030, si vend anëtar i BE-së.

Policia është një agjenci ligjzbatuese e pavarur, autonome, e vetëdijshme dhe e ndërgjegjësimit se ka vend për të përmirësuar. 

P.ligji që keni para është një sipërmarrje e përgjegjshme e iniciuar në shtator 2023. Procesi i hartimit të tij i është nënshtruar një qasje të strukturuar e shtrirë në kohë, sistematike, me vetë PSH, institucionet e tjera të varësisë, me partnerët që asistojnë MB, bazuar në analizën e  e brendshme, gjithçka e mirë e ligjit është përforcuar. Janë analizuar bazat ligjore të disa vende si Italisë, Kroacisë, Sllovenisë, Rumanisë etj., me eksperienca të ngjashme të organizimit të ngjashëm të shtetit.

Ka kaluar një proces konsultues edhe me institucioneve të pavarura dhe organizata të shoqërisë civile etj.  Janë marrë në konsideratë analizat e nevojave për reformim të adresuara drejt PSH dhe MB, por edhe gjetjet e partnerëve tanë. 

Janë lexuar rekomandimet e progres-raporteve të BE, të OSBE–ODIRH, por edhe raporte të tjera, të vendeve që monitorojnë Shqipërinë. Iniciativa ka marrë mbështetjen e partnerëve dhe institucioneve të pavarura. 

Ky p.ligj do të na mundësojë krimin e kapacitete të munguara në PSH, forcojnë strukturat aktuale, eliminimin e veprimtarive korruptive, një nga prioritetet e mia.  Policia pranë komuniteteve është fryma e ligjit. 

Ligji përmirëson organizimin e PSH, proceset dhe procedurat e brendshme, garanton ecjen në karrierë të punonjësve të Policisë. Legjislacioni aktual nuk i ka dhënë mundësitë reale të bëjnë një karrierë të pa ndikuar nga aktorë të tjerë, veç meritokracisë. Ndaj kemi ardhur sot në Kuvend, kërkojmë të marrim mbështetjen tuaj se përafrojmë karrierën brenda PSH me standardet më të mira të BE. 

Sapo ne ta miratojmë zyrtarisht do t’ia dorëzojmë edhe Kosovës, që na kanë kërkuar ligjin si model, sepse kemi një plan A, anëtarësimin në BE, nuk kemi plan B. Përmirësojmë rekrutimin, duke rregulluar një gabim në heqjen e sistemit ‘Bachelor’. 

Ligji përmirëson emërimet në pozicionet drejtuese. Gjej rastin ti falënderoj një për një, anëtarët e Komisionit, nga Kryetari, nënkryetari për mbështetjen e dhënë për PSH.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Polic #: 23/07/2024 18:39

    Këta që thonë se niveli i sigurisë është zero, me siguri e krahasojnë me sigurinë para 1990. Paguani policët me atë nivel page si përpara 1990 dhe do të keni të njëjtën siguri, por juve nuk ju intereson ai nivel sigurie sepse për 1 vit përfundoni të gjithë në burg...

    Përgjigju
  • Turi: 19/07/2024 17:11

    Zoti Balla po gradat ne rolin baze qe jane me Tre nivele perse do ti hiqni a mund te kete grade njesoj si nje polic i ri qe sapo fillon pune me nje polic qe k dhene jeten prej 30 vitesh ne detyre. Kjo eshte demotivim dhe me keq do ta beni policine por juve nuk ju dhimbset se i perkohshem jeni. Kjo eshte krim tamam. Do korrigjohet me vine kjo por demi eshte shume i madh.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës